E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë padit në Gjykatën e Tiranës KLD-në

Artan Zenelaj fut në sherr ministrin Alibeaj dhe anëtarët e KLD-së. Padia i është përcaktuar me short për t’u gjykuar gjyqtares Elona Stavri

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë padit në Gjykatën e Tiranës Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Vetëm pak ditë më parë, në kryesekretarinë e kësaj gjykate është depozituar padia ku kërkohet shfuqizimi i një prej vendimeve të KLD-së. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan dje për gazetën “Albania” se ministri i Drejtësisë kërkon që të shfuqizojë me vendim gjykate vendimin për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Artan Zeneli. Padia është përpiluar me urdhër të ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili, me sa duket, nuk është mjaftuar me deklaratën publike që dha ditën që u mor vendimi. Kjo padi shënon betejën e parë ligjore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për çështje të kësaj natyre. Zakonisht, vendimet e KLD-së i kanë paditur vetëm gjyqtarët të cilëve u janë prekur interesat nga vendimet e marra prej anëtarëve të Këshillit. Mësohet se padia është përcaktuar me short që të gjykohet nga gjyqtarja Elona Stavri.
Konflikti
Përzgjedhja e kryetarit të gjykatës më të madhe në vend, në një nga mbledhjet e korrikut që kaloi risolli përplasjet mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Gjithçka ka nisur kur anëtarët e KLD-së po bëheshin gati të votonin. Ministri Alibeaj u ka bërë me dije anëtarëve të KLD-së se kandidati Artan Zeneli nuk i plotësonte kriteret për të qenë pjesë e kësaj gare. Këto pretendime nuk janë pranuar dhe votimi ka nisur duke përcaktuar në fund si kandidatin më të denjë Artan Zenelin. Menjëherë pas mbledhjes, ministri, në një konferencë të posaçme për shtyp, lëshoi dhe akuzat e para publike se e gjithë mbledhja e djeshme nuk ishte gjë tjetër veçse një farsë. Pa kaluar shumë kohë reagoi dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet njoftimit zyrtar, duke zbuluar për herë të parë disa nga votat që u dhanë dje.

Reagimi
Menjëherë pas mbledhjes, Alibeaj ka dalë në një konferencë shtypi përmes së cilës e ka konsideruar farsë procesin e djeshëm për zgjedhjen e kreut të Gjykatës së Tiranës. Ai tha se ky vendim ishte i paramenduar dhe se është shkelur ligji për emërimin e gjyqtarëve. Alibeaj theksoi se Artan Zeneli është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Tiranës vetëm një javë më parë, ndërsa sipas ligjit, duhet të ketë të paktën 4 vjet eksperiencë. Ndërsa
si asnjëherë më parë, po në njoftim publik të KLD-së, u bënë publike votat e disa anëtarëve. “Në vlerësim të transparencës gjatë procesit të vendimmarrjes, kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, deklaroi se vota e tij shkoi në favor të kandidatit Kastriot Selita, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër”, - thuhej në njoftimin zyrtar të KLD-së. Po sipas këtij njoftimi, rezultatet e votimit në favor të kandidatit Zeneli përjashtuan edhe zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili votoi në favor të kandidates Manjola Bejleri, anëtarin Neshat Fana dhe një anëtar tjetër të KLD-së, të cilët votuan në favor të kandidatit Petrit Çomo. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk votoi për asnjë kandidat, pasi mbajti qëndrimin se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e kryetarit të Gjykatës. Rëndësi të veçantë në mbledhje patën diskutimet mbi nevojën e vazhdimësisë së prurjes në gjykata të gjyqtarëve magjistratë, e lidhur kjo me vazhdimësinë e programit të formimit fillestar nga Shkolla e Magjistraturës për vitin akademik 2009 - 2010. Në përfundim të diskutimit Këshilli e pa të arsyeshme që, mbi bazën e një studimi të thellë, të realizojë në të ardhmen një vendimmarrje, e cila do të konsistojë në një planifikim afatgjatë për sjelljen e gjyqtarëve të rinj nga Shkolla e Magjistraturës në sistemin gjyqësor.

Shorti përcakton gjyqtarët që do të gjykojnë dosjen “Bazelli”

Tiranë – Dje, në Gjykatën e Tiranës u hodh shorti për dosjen e Elton Bazellit. Ky i fundit është akuzuar dhe dënuar njëherë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të ndodhur në vitin 2004. Mirëpo, duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankimin e bërë prej tij, kjo dosje do të rigjykohet edhe një herë, por kësaj radhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj Bazellit akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”. Bazelli akuzohet se më 30 prill të vitit 2004 ka tentuar të vrasë me armë zjarri biznesmenin Elton Carçiu, me të cilin kishte pasur edhe një konflikt disa kohë më parë. Carçiu, i cili ishte pronari i një argjendarie pranë shkollës “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet, ka mbetur i plagosur dhe pasi ka dalë nga salla e operacionit, u ka treguar uniformave blu se kush ishte autori. Menjëherë pas identifikimit të tij, policia e ka shpallur atë person në kërkim në momentin që gjykata e deklaroi fajtor. Tani kjo dosje do të ketë kryesues gjyqtarin Petrit Çomo dhe anëtarë të trupit gjykues dy gjyqtarë të dhomës penale të kësaj gjykate. Pritet që gjyqtari i çështjes, pas njohjes me dosjen, do të caktojë dhe seancën e parë gjyqësore.

Llazar Bicja: “Masakrën e Cërrikut e mësova nga mediat”

Procesi për bandën e Cërrikut ka vijuar dhe dje me të tjera deklarime nga të pandehurit. Gjatë seancës së radhës, i pandehuri Llazar Bicja, i kërkoi sërish kolegjit penal që të dëshmonte në lidhje me informacionet që kishte ai mbi masakrën. Llazar Bicja ka rrëfyer dje se ku kishte qenë gjatë gjithë ditës së 23 majit të vitit 1997, duke ndërtuar kështu alibinë e tij mbi ditën e ngjarjes. Bicja dëshmoi se numrin e viktimave e kishte mësuar nëpërmjet televizioneve. Sipas dëshmisë së tij, ai atë ditë kishte shkuar të shtëpia e kryetarit të bashkisë së qytetit, kishte ndenjur ca dhe më pas ishte larguar drejt shtëpisë së tij. Kishte dëgjuar të shtëna, por sipas tij, në ato ditë të shtënat ishin të zakonshme. Kësisoj, Bicja ka hequr petkun e akuzave i cilësuar nga i penduari si një nga organizatorët e masakrës së Cërrikut. Dëshmia e të pandehurit vijoi me detaje të tjera mbi ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, kur u sulmuan punonjësit e Gardës së Republikës. “Ndodhem prej 20 muajsh në burg duke më privuar lirinë dhe më kanë cenuar dinjitetin tim, si pasojë e strukturave të Policisë së Shtetit dhe organit të hetimit, të cilët më akuzojnë për ngjarjen e 23 majit të vitit 1997, ku janë vrarë gjashtë punonjës të Gardës. Nuk kam lidhje me këtë ngjarje, nuk kam lidhje as me të pandehurit apo ndonjë person që ndodhet jashtë”, - theksoi Bicja. Bicja shpjegoi se ditën që ka ndodhur ngjarja, ai kishte qenë në Bashkinë e Cërrikut, në një takim me persona të tjerë, ku e pranishme kishte qenë edhe kryetarja e Bashkisë, Mishelina Milo. “Pasi na kanë njoftuar që në Bashkinë e qytetit kishin ardhur disa tanke, kemi dalë jashtë në panik. Meqë e kisha shtëpinë larg, kam shkuar te banesa e Milos, duke u larguar disa orë më vonë. Të nesërmen kam shkuar sërish te Milo ku e kam pyetur nëse kishte ndonjë dijeni për atë që ndodhi”, - ka shpjeguar i pandehuri. Bicja ngriti dje pretendimin se kishte qenë një nga personat që kishte kërkuar që të arrestoheshin personat që ishin përgjegjës për këtë ngjarje. Procesi gjyqësor ndaj bandës së Cërrikut zbardh ngjarjen e rëndë të vitit 1997, ku mbetën të vrarë 6 policë. Procesi në ngarkim të bandës së Cërrikut vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dëshminë e njërit prej të pandehurve për ngjarjen e rëndë në vitin 1997 në qytezën e Cërrikut, ku, si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën disa punonjës të Policisë së Shtetit në përpjekje për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike. I pandehuri Bujar Buzani tregoi ngjarjen e ndodhur disa vite më parë duke implikuar edhe të pandehur të tjerë në ngjarjen e rëndë në Cërrik. Dëshmia e tij është cilësuar si një nga provat e forta të prokurorisë për çështjen në fjalë. Në këtë proces janë marrë me cilësinë e të pandehurit Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepaxhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen ndër të tjera për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›