Godo: Dalim jashtë koalicionit nëse nuk marrim post në qeveri
Republikani Sabri Godo ka bërë të ditur dje se Partia Republikane do të dalë jashtë koalicionit me Partinë Demokratike në rast se nuk do t’i jepet një portofol ministror në kabinetin qeveritar. Godo gjithashtu ka shtuar se PR-ja kërkon që ky post të merret brenda legjislaturës aktuale parlamentare. Sipas tij ka partia aleate të cilët përfaqësohen në Kuvend me më pak deputetë se PR-ja dhe kanë një post ministror, ndërkohë që republikanët përfaqësohen në qeveri vetëm me dy poste në nivel zëvendës ministrash. “Ne kërkojmë të përfaqësohemi në qeveri brenda këtij muaji. Në rast se më të vertët nuk arrihet unë besoj se ne do të rishikojmë pjesëmarrjen tonë në koalicion. Ne na intereson puna jonë. Jemi partia e dytë në koalicionin e djathtë dhe nuk mund të vazhdojmë të jemi në parti me dy zëvendsëministra. Ka parti që nuk dua t’i përmend tani me nga dy deputetë që kanë ministri të rëndësishme dhe kjo nuk është në proporcion me logjikën. Ne duam të na jepet një ministri dhe të shikojmë se ç’njerëz kemi, për të vendosur për emrat”, është shprehur Godo. Partia Republikane mbeti jashtë qeverisë, që pas dorëheqjes së ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu pas tragjedisë së Gërdecit më 15 mars të këtij viti. Kohët e fundit kryetari i PR-së, Mediu ka zhvilluar disa takime informale me kryeministrin Berisha të cilit i ka kërkuar përfshirjen e PR-së në qeverisje me një post ministror. Republikanët gjithashtu kanë vënë kusht që ndryshimet në qeveri të realizohen brenda muajit korrik. Por duket se një javë drejt përfundimit të këtij muaji, republikanët nuk kanë asnjë sinjal pozitiv nga Berisha për t’iu dhënë atyre një post ministror. Pikërisht ky fakt ka irrituar dhe Presidentin e Nderit të PR-së, Sabri Godon i cili kërcënon se do të dalë nga koalicioni qeverisës në rast se nuk marrin një karrige në qeveri.
21 Korrik 2008