E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të gatshëm të bashkëpunojmë për hapjen e dosjeve



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj deklaroi dje se Partia Socialiste ka kundërshtuar projektligjin e propozuar nga PD-së për çështjen e dosjeve, pasi sipas saj ky projektligj nuk mundëson hapjen e dosjeve.
“Partia Socialiste ka kërkuar të sqarojë, që ky ligj nuk është një ligj për hapjen e dosjeve dhe duhet që ta bëjë edhe njëherë të qartë për opinionin publik. Në fakt projekti i paraqitur së fundmi nga Partia Demokratike nuk është një ligj për hapjen e dosjeve, është një ligj lustracioni, për këtë arsye ne kemi kërkuar javën e kaluar, që përveç afatit kohor, projektligji të ketë në themel rezolutën e Këshillit të Europës, e cila i adresohet dhe në mënyrë specifike çështjes së lustracionit, i adresohet çështjes së hapjes së dosjeve”, tha Leskaj. Ndërkaq kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se PS është e gatshme për të bashkëpunuar dhe kontribuar për këtë çështje. Ajo përshëndeti edhe deklaratat e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, i cili tha se kërkonte konsensusin e opozitës për të miratuar brenda kësaj legjislature projektligjin për dosjet.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›