Prishen ndërtimet pa leje 100 metra pranë detit
Eljona Ballhysa
Me miratimin e Masterplanit për zhvillimin turistik të bregdetit të Jonit, tashmë i hapet rruga dhe procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve të Zonave Informale, Ferdinand Shehu, ka bërë të ditur se pas miratimit nga KRRTRSH, masterplani do të studiohet nga ekspertët e agjencisë dhe në bazë të ligjit për legalizimet do të nisë dhe procesi i legalizimit në këto zona. Shehu thekson se do të legalizohen ndërtimet pa leje të cilat nuk ndodhen në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit. Kryesisht pjesë e procesit të legalizimit do të jenë objektet e ndërtuara 100 metra larg zonës bregdetare. Por, sipas tij edhe këto objekte do të studiohen, pasi jo të gjitha do të përfshihen në proces. Ai thekson se është e rëndësishme që objektet që do të legalizohen të mos prishin studimet urbanistike për zonat turistike. Pra, sipas nëndrejtprit të agjencisë së legalizimeve, objekt i procesit të legalizimit në zonat bregdetare do të jenë ndërtimet që nuk prishin zhvillimin turistik të zonës. Po kështu, nëndrejtori shpjegon se ndërtimet që do mund të legalizohen do të jenë në përputhje të plotë me masterplanin për zhvillimin e turizmit që u miratua vetëm pak ditë më parë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. Të gjitha objektet e tjera të ndërtuara pa leje, të cilat ndodhen brenda rrezes prej 100 metra pranë bregut të detit dhe që cënojnë zhvillimin e turizmit, duket se do të shemben.
Ligji
Në nenin 2 të ligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje përcaktohet procesi që do të ndiqet për legalizimin e zonave bregdetare. Kështu sipas këtij neni “për ndërtimet pa leje të ngritura brenda zonave që kanë përparësi zhvillimi e turizmit, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave përcakton vendbanimet formale, zonat informale dhe territoret e tjera, brenda zonave që kanë përparësi turizmin, në të cilat do të kryhet legalizimi sipas këtij ligji”. Megjithëse ligji për legalizimet është miratuar gati dy vjet më parë, duket se përcaktimi i zonave me përparësi turizmin është i vonuar. Deri tani nuk është legalizuar asnjë objekt i ndërtuar pa leje në bregdet.
Vendimi
Vetëm pak ditë më parë, KRRTRSH miratoi Masterplanin për zhvillimin e turizmit në bregdetin jonian. Sipas vendimit, të gjitha ndërtimet që do të kryhen përgjatë bregdetit jonian do t’i nënshtrohen tashmë këtij masterplani. Masterplani parashikon kritere dhe kushteve të forta në mënyrë që askush të mos ndërtojë objekte me leje në komuna e bashki, që nuk i përmbahen atij. Masterplani i miratuar nga qeveria hyn në fuqi brenda gjashtë muajve. Duke u bazuar në këtë dokument, pushteti lokal, i të gjitha niveleve, do të fillojë hartimin e planeve rregulluese të zonave të tyre administrative, por duke pasur parasysh pikërisht masterplanin e miratuar. Berisha, si kryetar i KRTRRSH-së, u shpreh në këtë mbledhje se nuk do të lejohen ndërtime në pyje e ullishta të cilat janë sipërfaqe të hapura nga zjarrvënia e qëllimshme. “Nuk do të lejojmë në asnjë lloj mënyre që të bëhen ndërtime në këto troje, madje zjarret në pyjet e këtij bregdeti do të konsiderohen të qëllimshme. Gjithashtu, nuk do të lejojmë që pronarët e ullishtave të ndërtojnë në ullishtat e djegura deri kur të mos mbillen rrënjë të reja me ullinj”, - u shpreh kryeministri Berisha.
21 Korrik 2008