E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj, rekord unikal me Vllazninë



Me fitoren 2-1 në transfertën kundër skuadrës sllovene Koper në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, Vllaznia regjistroi fitoren e parë nga 7 ndeshje të zhvilluara në këtë kompeticion evropian. Kjo falë dy golave të talentit Xhevair Sukaj, i cili vendosi edhe një rekord personal, duke u bërë i pari lojtar i Vllaznisë që realizon dy gola brenda një ndeshje ndërkombëtare dhe për më tepër në transfertë.
Sukaj është njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në Kupën UEFA, pasi skuadra shkodrane ka shënuar vetëm 3 gola. Autori i golit tjetër është Vioresin Sinani, i cili realizoi në ndeshjen Vllaznia-Spartak Trnava (Sllovaki) 1-1, e vlefshme për turin e parë të sezonit 1999-2000.
Dy gola kundër të njëjtit ekip ka realizuar edhe elbasanasi Klodian Duro, i cili shënoi në dy takimet kundër Rejkavikun, si në humbjen 2-1 në Islandë ashtu dhe në fitoren 1-0 në Shkodër, në ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kampioneve në sezonin 2001-2002. Sulmuesi gjirokastrit Arlind Nora është një tjetër lojtar që ka shënuar dy gola kundër të njëjtit ekip, por në dy ndeshje. Nora shënoi në takimet kundër kroatëve të NK Zagreb: 2-1 në Kroaci dhe 1-0 në Shkodër. Për të vazhduar me lojtarët që kanë luajtur për Vllaznisë, edhe Dorian Bylykbashi është autor i dy golave kundër qipriotëve të Nea Salaminës: 1 gol në humbjen 4-1 dhe 1 tjetër në humbjen 2-1 në Shkodër. Dy gola kundër të njëjtit ekip i ka realizuar edhe Hamdi Salihi. Sulmuesi, aktualisht në forcë te SV Ried në Austri i ka shënuar kundër izraelitëve të Hapoel Beer-Shevës në Kupën Intertoto 2004 në humbjen 2-1 dhe në fitoren 0-1 në Izrael.

REKORDI

Gjithsesi, rekordin shqiptar për më shumë gola në një ndeshje e mban ish-futbollisti i Tiranës, Indrit Fortuzi, i cili realizoi 3 gola kundër Fandokut në fitoren 3-0 në Tiranë në ndeshjet e vlefshme për Kupën e Kupave në sezonin 1994-1995 (25 gusht 1994). Fortuzi i ka shënuar 3 gola në dy ndeshje kundër qipriotëve të Apolon Limasolit në Kupën UEFA 2001-2002.

VLLAZNIA
Ndeshjet ndërkombëtare
2008-2009, Kupa UEFA
Turi I: Koper-Vllaznia 1-2
2007-2008, Kupa Intertoto
Turi I: NK Zagreb-Vllaznia 2-1, 0-1
Turi II: Trabzonspor-Vllaznia 6-0, 4-0
2004-2005, Kupa Intertoto
Turi I: Vllaznia-Hapoel Beer-Sheva 0-1, 3-0
Turi II: Slaven Belupo-Vllaznia 2-0, 0-1
2003-2004, Kupa UEFA
Turi I: Vllaznia-Dandi 0-2, 0-4
2001-2002, Liga e Kampioneve
Turi I: Rejkavik-Vllaznia 2-1, 0-1
Turi II: Gallatasaraj-Vllaznia 2-0, 4-1
2000-2001, Kupa Intertoto
Turi I: Nea Salamina-Vllaznia 4-1, 2-1
1999-2000, Kupa UEFA
Turi I: Vllaznia-Spartak Trnava 1-1, 0-2
1998-1999, Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo Tbilis-Vllaznia 3-0, 1-3
1991-1992, Kupa e Kupave
Turi I: Vllaznia-AEK Athinë 0-1, 0-2
1987-1988, Kupa e Kupave
Turi I: Vllaznia-Sliema Uonderes 2-0, 4-0
Turi II: Vllanzia-Rops Rovaniemi 0-1, 0-1
1978-1979, Liga e Kampioneve
Turi I: Vllaznia-Austria Vjenë 2-0, 1-4
Bilanci: 29 ndeshje; 9 fitore, 1 barazime, 19 humbje. Golat: 27-53.

Sipas Kupave N F H H GOLAT
Liga e Kampioneve: 8 3 0 5 9:16
Kupa e Kupave: 4 2 0 2 6:2
Kupa UEFA: 7 1 1 5 3:13
Kupa Intertoto: 10 3 0 7 9:22
Total : 29 9 1 19 27:53

Kataliniç: "Partizani, eufori ballkanase"

Ish-trajneri i Dinamos sonë pohon se asgjë nuk ka mbaruar
Të kuqtë barazuan 0-0 kundër Shirokit në transfertë

Pas barazimit pa gola të arritur të enjten në mbremje në stadiumin “Pecara” në Shiroki Brijeg përballë skuadrës vendase me të njëjtin emër, futbollistët e Partizanit kanë festuar si të kishin fituar ndeshjen duke besuar kështu se kualifikimi për në turin e dytë të Kupës UEFA tashmë është një punë e kryer. Por me këtë gjë nuk pajtohet trajneri i Shiroki Brijeg, Ivan Kataliniç, që e sheh skuadrën e tij akoma në lojë për t’u kualifikuar për në turin e dytë edhe pas këtij rezultati jo shume te favorshëm.
“Ata po festojnë sikur të kishin fituar, dhe ky është një mentalitet tipik ballkanas. Pikërisht për këtë unë besoj se akoma asgjë nuk ka mbaruar, pasi në ndeshjen e kthimit mund të shënojmë një gol dhe të shkojmë më tutje”, - ka thënë pas ndeshjes për “abcportal.com” Kataliniç. Ai beson se Partizani do të luajë në të njëjtën mënyrë edhe në ndeshjen e dytë që do të zhvillohet më 31 korrik në “Qemal Stafa”, por duke qenë se janë edhe dy javë deri te ndeshja, skuadrës nënkampione të Shqipërisë i mbetet kohë e mjaftueshme për të përmirësuar disa aspekte të lojës së saj. Edhe efekti fushe dhe përkrahja e tifozërisë do të jetë një element shtesë në këtë përballje. Skuadra e trajnerit Hasan Lika duhet që të tregohet e kujdesshme dhe të mos nënvlerësojë kundërshtarin në ndeshjen e kthimit. E rëndësishme do të jetë vazhdimi i fazës përgatitore dhe zhvillimi i ndeshjeve miqësore në mënyrë që skuadra, sidomos sulmi dhe mesfusha të arrijnë të shprehen më qartazi në fushë pasi në Shiroki Brijeg këto dy reparte kanë pasur jo pak probleme sidomos në pjesën e dytë, për ndryshim nga mbrojtja që ka bërë një paraqitje solide.
Partizani mbërriti dje në Tiranë rreth orës 10, teksa kishte udhëtuar gjithë natën nga Bosnja me një autobus të marrë me qira të shoqërisë “Joy Travel”.

PARTIZANI
Të gjitha ndeshjet ndërkombëtare
2008-2009, Kupa UEFA
Turi I: Shiroki Brijeg-Partizani 0-0
2006-2007, Kupa Intertoto
Turi I: Ethnikos Aknas-Partizani 4-2, 1-2
2004-2005, Kupa UEFA
Turi I: Partizani-Birkirkara 4-2, 1-2
Turi II: Bnei Sahnin-Partizani 3-0, 3-1
2003-2004, Kupa Intertoto
Turi I: Partizani-Makabi Netanjau 2-0, 1-3
Turi II: Dacia Kisinau-Partizani 2-0, 3-0
2002-2003, Kupë UEFA
Turi I: Hapoel Tel Aviv 1-0, 4-1
1995-1996, Kupa UEFA
Turi I: Fenerbahçe-Partizani 2-0, 4-0
1993-1994, Liga e Kampioneve
Turi I: Partizani-Akranes 0-0, 0-3
1991-1992, Kupa e Kupave
Turi I: Partizani-Fejenord 0-0, 0-1
1990-1991, Kupa e UEFA
Turi I: Partizani-Universitea Krajova 0-1, 0-1
1987-1998, Liga e Kampioneve
Turi I: Benfika-Partizani 4-0, *
1981-1982, Liga e Kampioneve
Turi I: Austria Vjenë-Partizani 3-1, 0-1
1980-1982, Kupa e Kupave
Turi I: Malmoe-Partizani 1-0, 0-0
1979-1980, Liga e Kampioneve
Turi I: Partizani-Sëlltik 1-0, 4-1
1971-1972, Liga e Kampioneve
Turi I: CSKA Sofje-Partizani 3-0, 1-0
1970-1971, Kupa e Kupave
Turi I: Atividabergs-Partizani 1-1, 0-2
Turi II: Vaker Insbruk-Partizani 3-2, 2-1
1968-1969, Kupa e Kupave
Turi I: Partizani-Torino 1-0, 1-3
1964-1965, Liga e Kampioneve
Turi I: Partizani-Këln 0-0, 0-2
1963-1964, Liga e Kampioneve
Turi I: Partizani-Spartak Plovdiv 1-0, 1-3
1962-1963, Liga e Kampioneve
Turi I: Norkeping-Partizani 2-0, 1-1
Bilanci: 42 ndeshje; 8 fitore, 7 barazime, 27 humbje. Golat: 29-73.
*- Ndeshje e humbur në tavolinë

Sipas Kupave N F H H GOLAT
Liga e Kampioneve: 15 3 3 9 7:26
Kupa e Kupave: 10 2 3 5 8:11
Kupa UEFA: 11 1 1 9 7:23
Kupa Intertoto: 6 2 0 4 7:13
Total : 41 8 6 27 29:73

Blerim Rrustemi firmos për Alkin në Qipro

Të gjithë drejt Qipros. Blerim Rrustemi është zyrtarisht lojtar i skuadrës qipriote Alki Larnaka. Mbrojtësi kosovar i Kombëtares shqiptare do të bashkohet kështu me portierin e kuqezinjve, Isli Hidi, i cili nënshkroi me skuadrën ishullore një kontratë dyvjeçare pak javë më parë. “Blerimi u testua për dy ditë te Alki dhe arriti të bindë trajnerin Kasiano për vlerat e tij, pasi klubi qipriot kërkonte një qendërmbrojtës” - tha për Albania-sport.com menaxheri i tij, Sokol Haxhiaj. “Rrustemi nënshkroi një kontratë dyvjeçare dhe do të përfitojë një shumë 300 mijë, plus një makine, shtëpi e trajtimit ushqimor falas në restorantet me të cilët klubi ka marrëveshje”, -shtoi agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhiaj, i cili gjatë merkatos së kësaj vere ka realizuar transferimin e Jahmir Hykës te Mainc 05 në Gjermani, Klodian Duros te Omonia në Qipro, Isli Hidit e Admir Telit, të dy te Alki në Qipro. Në kampionatin qipriot luajnë edhe portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta) e mesfushori i majtë, Altin Haxhi (Apoel).
Blerim Rrustemi, i cili është i vetmi futbollist shqiptar që ka mundur të luajë në Brazil e Uruguai, më parë ka luajtur për Borusian e Mënshengladbahut 2, danezët e AC Horsens dhe sërish në Gjermani me Erfuhrtin. Sipas sajtit sportiv qipriot, kerkida.net, mbrojtësi 25-vjeçar Rrustemi shikohet nga trajneri Kasiano si alternativa zëvendësuese e shkodranit Admir Telit në repartin difensiv. Lojtari i Vllaznisë është ende në forcë me skuadrën e qytetit të tij, madje luajti në Kupën UEFA në fitoren 2-1 kundër Koperit. Alki do të niset të shtunën për të kryer fazën përgatitore në Çeki dhe në listën zyrtare të publikuar në faqen e klubit të Alkit të pranishëm janë Isli Hidi e Blerim Rrustemi.
“Për momentin duket se Admir Teli është larg Alkit, por gjithsesi pas përfundimit të impenjimeve me Vllazninë në Kupën UEFA, Alki do ta thërrasë sërish atë”, - tha Haxhiaj.

Canës i humb durimi: “Dua një trofe”

Olimpiku i Marsejës po përgatitet me ambicie të mëdha për këtë sezon, duke pasur si synim një trofe në kompeticionet franceze të futbollit, kampionat e kupë, si dhe të arrijë fillimisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. “Ky është sezoni im i katërt te Marseja dhe qëllimi im këtë vit është të fitoj një trofe, cilido qoftë ai”, - thotë kapiteni i Marsesjës, shqiptari Lorik Cana për faqen zyrtare të UEFA-s. Cana ka humbur dy finale të Kupës së Francës në tri vitet e fundit, dhe kërkon të fitojë një trofe. Marseja ka fituar Kupën Intertoto 2005 e 2006, por ato shërbejnë si një garniturë e vogël kënaqësie. Cana pohon se qëllimi i parë i klubit të tij është kalimi i turit të tretë kualifikues dhe pjesëmarrja në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve.
Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, nuk morri pjesë as në stërvitjen e së premtes paradite, për shkak se ndjente dhimbje në gju. Mesfushori nuk u thirr as nga trajneri Erik Gerets për miqësoren e ditës së shtunë kundër Bordosë, pasi tekniku belg nuk dëshironte të rrezikonte.

Dështon miqësorja Kosovë-Brazil

Miqësorja mes përfaqësueses së Kosovës dhe kombëtares olimpike braziliane mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar. Ndeshja e paraparë të zhvillohej në Gjenevë të Zvicrës më 25 korrik nuk do të zhvillohet siç ishte përfolur për disa ditë me radhë. Lajmi është bërë i ditur të premten nga Federata e Futbollit të Kosovës që me anë të një komunikate ka treguar arsyet e dështimit të kësaj përballjeje. “Në të vërtet FIFA nuk e ka refuzuar zhvillimin e ndeshjes përkundër asaj që në shumë mediume serbe është shkruar se FIFA e ka ndaluar zhvillimin e ndeshjes, por me zvarritjen e vendimit për këtë ndeshje, ka detyruar rivalin Brazilin që të gjejë një kundërshtar tjetër për ndeshje miqësore, duke mos qenë e gatshme për të pritur më gjatë”, thuhet në vazhdim të komunikatës. Përfaqësuesja e Kosovës ka të programuara dy takime miqësore në muajin gusht. Më 18 gusht është paraparë që të luajë kundër kombëtares së Beninit, ndërsa dy ditë më vonë kundër asaj të Arabisë Saudite. Me këtë të fundit përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar një miqësore vitin e kaluar, me ç’rast kishte shënuar fitore me rezultatin 1-0.

Rrudho për testime me Lodz në Poloni

Sulmuesi Xhulian Rrudho mund të jetë një nga lojtarët e rinj të Lodz në kampionatin polak të futbollit. Tratativat janë ende në fazën e kontakteve, ndërkohë që për ish-sulmuesin e Kievos, klubi polak ka gati ofertën financiare. Lajmi pohohet për “Anbania”-n nga burime pranë menaxherit Rudi Vata, i cili pas transferimit të suksesshëm të kosovarit me banim në Australi, Labinot Haliti, po kujdeset edhe për sulmuesin e Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
Sulmuesi nga Divjaka, i cili më parë ka luajtur edhe për Ankonën, do të testohet për disa ditë pranë Lodz, një ekip që gjithmonë pretendon zonën evropiane. 20-vjeçari Rrudho vazhdon të kërkohet nga skuadra të Serisë B në Itali, por një burim konfidecial pohoi për Albania-sport se për sulmuesin interesohet edhe Livorno, ku sezonin e kaluar u aktivizua Bogdani. Vetë sulmuesi ka pranuar se kërkon një ekip ku te luaj titullar dhe jo të qëndrojë në stol, por ka pranuar faktin se është i tërhequr nga aventura polake. Gjatë sezonit që përfundoi Xhulian Rrudho, i cili ka luajtur edhe disa minuta në Serinë A, pikërisht në një ndeshje kundër Milanit në “San Siro” (3 mars 2007), u aktivizua me Skafatezen e Serisë C1.

Skela e Curri ndahen si miq

Ishte pritur një ndeshje me shumë gola, por miqësorja midis Energi Kotbus ku aktivizohet Ervin Skela dhe Erzgebirge Aue e Skerdilajd Currit i mbyllën 90 minutat në barazim pa gola. Skela luajti 45 minutat e para, ndërsa kavajasi Curri u zëvendësua në minutën e 68-të. Të enjten, mesfushori i avancuar i Energi Kotbusit realizoi dy gola në fitoren 3-0 në ndeshjen miqësore kundër FK Jablonec, skuadër çeke e Kategorisë së Parë.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›