E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Do jemi në administratë, por ndoshta me ministri tjetër

 

Partia Republikane pretendon të ketë sërish një post ministror në kabinetin e ri qeveritar, ku tashmë do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Por kryetari i asamblesë së PR-së, Sabri Godo, thotë se kjo forcë politike mund të ketë post tjetër qeveritar. “Me përqindjen e votave që mori LSI-ja, asaj i takon të jetë forca e tretë politike në vend. Ne dhamë një kontribut të mirë në fitoren e së djathtës, mund të them me plot gojën se dhamë tre deputetë. Dy i mori PD, duke fituar nga votat tona dhe një e morëm ne drejtpërdrejt. Pak a shumë mund të mbetemi në nivelin që kemi qenë, duke marrë parasysh pjesëmarrjen në administratën publike në tërësi. Nuk është e thënë në të njëjtën ministri”, vijoi Godo. Duke komentuar koalicionin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Godo e konsideron si zgjidhjen e duhur të ngërçit që krijoi 28 qershori. Për Godon, bashkëpunimi jo vetëm që do të zgjasë, por dhe do të funksionojë. “Ishte një marrëveshje e diktuar, këto zgjedhje krijuan një lloj ngërçi. Ishte një moment i atillë në historinë e vendit që kërkonte një zgjidhje disi, të themi, pak të jashtëzakonshme. Unë e konsideroj këtë një marrëveshje të nevojshme dhe që do t’i shërbejë vendit. Eshtë në provë, por unë kam bindjen se do të funksionojë. I njoh mirë që të dy, Berishën dhe Metën, ata do të kishin dashur zhvillime të ndryshme, po ja që e diktoi koha”, u shpreh Sabri Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›