Godo: Do të heq njerëzit e Ndokës
TIRANË- E sapodekretuar për postin e Ministrisë së Shëndetësisë, Anila Godo, nuk e fshehreformën që do të bëjë në këtë dikaster. Duke folur në një interviste për mediat, mbi punën e paraardhësit të saj, kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, mjekja e njohur Godo u shpreh se në shumë drejtori të ministrisë, por edhe nëpër rrethe janë shkarkuar profesionistë duke u zëvendësuar me njerëz më pak profesionistë, madje edhe militantë. Një politikë kjo që për mjeken Godo duket se është krejtësisht e gabuar, pasi siç shprehet në intervistën e saj, Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë dikasteri me ngjyrat më të zbehta politike. “Janë shumë gjëra që janë bërë gjatë këtij viti dhe që më kanë pëlqyer. Por jam e informuar dhe di mirë që janë hequr në disa drejtori në ministri, ashtu si edhe nëpër rrethe, profesionistë të mirë për t’u zëvendësuar me profesionistë shumë pak më të mirë dhe militantë të partisë. Unë vërtet do të bëj ndryshime dhe kjo është normale”, - tha ajo, duke sqaruar se kjo nuk është qëllim në vetvete. Godo ka sqaruar se për postin që ajo do të drejtojë për mandatin e mbetur të qeverisë Berisha, ka hezituar jo pak. Megjithatë, ajo ndihet e sigurt se me eksperiencën e saj, do të ndërmarrë reforma të domosdoshme në krye të këtij dikasteri. “Janë shumë gjera për t’u ndryshuar dhe hartuar për t’u vënë në jetë, por gjëja e parë që duhet të bej është se do të krijoj stafin tim dhe një rreth të ngushtë me personalitete të shëndetësisë, që do të konsultohem fort për të ndryshuar qoftë në ligjshmëri dhe strategji për të krijuar reformën në mjekësi, që faktikisht deri tani akoma nuk është e qartë se cila është fytyra e shëndetësisë shqiptare. Koha është e pamjaftueshme dhe kjo është një sakrificë”, -tha Godo, e cila shprehet se nuk i vjen keq që disa punë të saj mund t’i vazhdojë mandatin tjetër, pasardhësi i saj. Në rrëfimin e saj të gjatë, Godo thekson gjithashtu se është ndër të parat anëtare të PR-së. Madje ajo jep edhe një detaj interesant, duke zbuluar për mediat se mund të jetë e dyta ose e treta në listën e firmëtarëve që kanë kontribuar nëkrijimin e Partisë Republikane. Megjithatë, Godo ndihet pakëz në faj për mosangazhimin e saj të shpeshtë në kryesinë e PR-së për shkak të impenjimeve të mëdha të saj si mjeke. Pak ditë më parë, kryesia e PR votoi unanimisht për Anila Godon si kandidaten zyrtare për postin e ministrit të Shëndetësisë, dikaster të cilin Berisha ua premtoi thuajse një muaj më parë, kur filluan edhe bisedimet mes dy partive.