E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha dha leksione halucinante

 

TIRANË- Ne seancën plenare të ditës së enjte, kryeministri Sali Berisha nuk kërkoi ndjesë. Madje ai nuk kishte ndër mend ta bënte një gjë të tillë, duke i justifikuar fyerjet e ulëta ndaj familjes së deputetit Taulant Balla, me qëndrimin “provokues” të këtij të fundit. Kjo ishte arsyeja që sërish dje kryetari i PS-së, Edi Rama, doli në një konference për shtyp.”Për fat të keq më duhet të riflas sepse pas agresionit nuk erdhi ndjesa, madje nuk pasoi as heshtja, po vijoi shfaqja e ulët duke e ulur edhe më poshtë shkallën e besimit të shqiptarëve tek kjo politikë e vjetër e tek ky Parlament i lindur nga imoraliteti i Dushkut dhe i katandisur në një teatër të të gjitha varieteve të imoralitetit politik. Për fat të keq më duhet të riflas sepse nuk mund të heshtet përpara aktit edhe më të turpshëm të justifikimit të turpit me një turp tjetër. Turpi tjetër ishte kalimi i fajit të pashlyeshëm nga agresori tek viktima, përmes justifikimit se kryeministri na qenkej provokuar”, - tha dje Rama. Madje, këtë e bënë edhe deputetë e ministra, të gjithë ligjvënës. “Pra, për fat të keq, sipas këtyre zotërinjve që na qeverisin, çdokush është i përligjur të veprojë siç veprohej përpara se të lindte Kanuni dhe të mos e çajë kokën fare

as për ligjet e shoqërisë ku jetojmë, as për normat e bashkëjetesës qytetare dhe as për gratë, vajzat, fëmijët. Sipas këtij leksioni halucinant, që Sali Berisha dhe shpura e shërbëtorëve të tij dhanë mu në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, çdo lloj agresioni i egër verbal në mjedisin tonë shoqëror është i justifikuar, çdo lloj rrugaçi që i vërsulet me zhargonin kryeministror të asaj nate një qytetari a një familjeje çfarëdo në rrugë, në plazh, në autobus, në stadium, në park, në kafene, është i justifikuar, sepse barra e fajit, sipas shumicës së ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë ka kaluar nga agresorët tek provokatorët”,- tha Rama. Për këtë arsye, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se ka vetëm një rrugë. “Kjo është rruga e bashkimit të qytetarëve shqiptarë, burra e gra, të moshuar, të reja e të rinj, përtej të majtës e të djathtës, në një rrjet të madh mirëkuptimi e solidariteti njerëzor. Për një Shqipëri ku politika flet me gjuhën e urtësisë e jo të rrugaçërisë, ku Parlamenti rrezaton gjuhën më të lartë shqipe e jo nën kulturën e rrugës, ku njerëzit me detyra publike mishërojnë respektin ndaj qytetarit e jo talljen me hallet e shpresat e tij”, tha ai. Rama ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e bashkimit të ri për t’i dhënë fund

politikës së vjetër të së shkuarës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›