Godo: “Do të shtohet numri i pacientëve për kurim në Turqi”
Numri i pacientëve që do të kurohen në shtetin turk do të rritet dhe kjo rritje do të fillojë që në muajt e ardhshëm. Deklarata është bërë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila zhvilloi një vizitë në Turqi, ku takoi dhe homologun e saj, Rexhep Akdag. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e shëndetësisë mes vendeve tona. Ministrja Godo falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë turke për ndihmën e madhe të dhënë gjatë këtyre viteve në sistemin tonë shëndetësor. Një pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte diskutimi mbi zgjerimin e marrëveshjes që ekziston mes Turqisë dhe Shqipërisë, në kurimin e 100 pacientëve në vit, në spitalet turke. Ministri turk shprehu gatishmërinë e plotë dhe ra dakord për shtimin e numrit të pacientëve që kurohen atje. Gjithashtu homologu turk shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton edhe në projekte të tjera shëndetësore, trajnime e specializime të stafit mjekësor, për të cilat ministria jonë do të paraqesë së shpejti një draft marrëveshjeje. Në këtë mënyrë, pacientët shqiptarë që do të kërkojnë nga MSH të trajtohen në spitalet turke, do të jetë më i madh. MSH-ja ka marrëveshje bashkëpunimi në këtë fushë me shtetin turk dhe atë grek. Por Greqia pranon rreth 30 pacientë në vit, ndërsa Turqia tashmë do të rrisë numrin e saj në mbi 100 pacientë në vit. Në spitalet turke numri i pacientëve që shkojnë çdo vit është më i lartë dhe kjo për shkak se Turqia dhe vendi ynë nuk kanë viza për kalimin kufitar. Ndërsa nxjerrja e vizave me Greqinë, qoftë edhe për kurimin e pacientëve, është më e vështirë. Kështu, ministrja Godo zgjeroi bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë mes dy palëve. Në këtë takim u prezantuan sistemet shëndetësore të të dyja vendeve si edhe prezantimi i reformës spitalore të saponisur në vendin tonë. Ministrja Godo mori mbështetjen maksimale për realizimin me sukses të nismave dhe projekteve që Ministria jonë e Shëndetësisë do të ndërmarrë. Gjithashtu, u diskutua edhe për shkëmbimin e eksperiencave në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në edukimin në vazhdim të personelit tonë shëndetësor. Një moment i rëndësishëm i vizitës së ministres Godo në Turqi ishte takimi me presidentin e Agjencisë për Zhvillim dhe Koordinim(TKA), që është në varësi të kryeministrit. Presidenti i saj, Musa Kaluklikaya, i bëri të ditur ministres Godo se projekti për hapjen e qendrës së hemodializës në Pediatrinë e QSUT-së, është aprovuar. Fondi është çelur dhe shumë shpejt pritet fillimi i konkretizimit të këtij projekti të rëndësishëm. Ky projekt përfshin 8 shtretër aktivë dhe 2 rezervë. Kryerjen e dializës peritonale, rikonstruksionin e ambientit si edhe pajisjen me materialet e nevojshme për funksionimin optimal.
2 Mars 2009