E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Dritani i meriton të gjitha nderimet

Politikani dhe shkrimtari i njohur, Sabri Godo, vizitoi dje paradite familjen e Presidentit të ndjerë të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Ai shprehu ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre dhe tha se, për një njeri është shumë e rëndësishme vepra që lë pas. Dritani është një nga ata që meriton dhe do të meritojë nderimet e respektin e të gjithëve. "Shërbimi që ka bërë Tani shtrihet në shkallë kombëtare dhe përtej territorit të Shqipërisë. Ky besoj se është shërbimi më i madh që ka bërë kjo strukturë mediatike", u shpreh Godo. Sipas tij, e rëndësishme është ajo që bën njeriu në jetë dhe se si njerëzit që punuan pranë Dritan Hoxhës u ndikuan nga ai, përvetësuan idetë e tij dhe tani u del detyra të çojnë përpara projektet që la pas ai. "Uroj që grupi i masmedias të vazhdojë të kryejë shërbimet e veta dhe të mbajë gjallë frymën e shqiptarëve të shumtë, që janë larguar nga ky vend", u shpreh Godo.

Fytyra e re e aspiratës shqiptare

Në agoninë e vdekjes së nënës sime mora vesh dhe vdekjen e Presidentit të "Top Media"-s, të ndjerit Dritan Hoxha. Si ndjekës pasionant dhe i përditshëm i "Top Channel" dhe gazetës "Shqip", që në fillimet e tyre, u dëshpërova që u shuajt fytyra e re e aspiratës shqiptare për një botë tjetër, shumë më të mirë, të projektuar prej këtij djali të pabesueshëm e modern. Për mua do të mbetet në memorien e çdo dite dhe ore, koincidenca në këtë vdekje të dyfishtë. Nëna ime e ndjerë, Luiza, dhe burri modern Dritan Hoxha, nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, por unë besoj se në të njëjtën ditë ata duhet të kenë qenë bashkë në portën e ndritur të Parajsës, teksa hynin brenda saj. Shpreh ngushëllimin tim të sinqertë familjes që ai la pas dhe ekipit të mrekullueshëm e të shkëlqyer të perandorisë së tij mediatike shqiptare.

Me keqardhje dhe respekt:

Anastas Kostandini (Taso)

Piktor i Merituar

Qytetar Nderi i Pogradecit

Më preku thellë lajmi për vdekjen e Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta. Padyshim shkuarja e hershme e Tanit është një humbje e madhe për të gjithë shqiptarët. Jam shumë i sigurt se Ai bëri revolucion në skemën mediatike, jo vetëm në Shqipëri. Diçka që ishte e paimagjinueshme, Dritan Hoxha e bëri realitet. Ju takon Juve, bashkëpunëtorëve të tij të shkoni më tutje, pas ëndrrave të Tij.

Hamdi Sopa, Prishtinë

Biznesmeni i njohur shqiptaro-amerikan, Ekrem Bardha

Me hidhërim të madh mësova mbi humbjen e parakohshme të Dritan Hoxhës dhe bashkohem, duke ndarë dhimbjen me Ju në këto momente tepër të vështirë për të gjithë ne. Dritan Hoxha nuk i përkiste vetëm familjes së tij të dashur, por të gjithë familjes së madhe shqiptare, për të cilën punoi pa kursyer energjitë e tij krijuese. Nuk duhet të kishte vdekje për Gjeniun e Medias Shqiptare.

Ish-kryeministri kosovar Ramush Haradinaj

Shpreh ngushëllimet e thella për familjen e të ndjerit, por edhe për bashkëpunëtoret dhe stafin e "Top Media"-s.

Presidenti i kompanisë "Taçi Oil"

Në emër të kompanisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut Tuaj më të dashur. Ne bashkohemi në këtë moment me dhimbje me Ju, si të gjithë shqiptarët kudo që janë, për njeriun, i cili do të mbetet padyshim shembull për energjitë dhe vizionin krijues, forcën dhe vitalitetin që i shkriu te perandoria mediatike që ai krijoi. Për këtë arsye, ai do të mbetet një simbol i papërsëritshëm, sepse e papërsëritshme është gjithçka që Tani i "Top"-it u dhuroi shqiptarëve.

Omar Gashi, gazetar në Britaninë e Madhe

Mësova me hidhërim lajmin e humbjes së zotit Dritan Hoxha, punën e të cilit e kam njohur nga afër gjatë vizitës që realizova një vit më parë në "Top Media". I shpreh ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes së të ndjerit dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje.

Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

U shprehim ngushëllimet familjes dhe të afërmve të dashur, kolegëve e punonjësve për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë, Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha.

Me humanizmin dhe lirinë e pakursyer, me fantazinë dhe këmbënguljen e pashembullt në revolucionin mediatik që udhëhoqi e kurorëzoi me sukses në vendin tonë, Ai u dha minoriteteve oksigjenin e lirisë dhe të të drejtave themelore.

Le të mbetet i pacenuar suksesi i Tanit në "Top Media" dhe le të shërbejë vepra kolosale që Ai ngriti, si motivim për punonjësit dhe drejtuesit e saj, që ta çojnë më tej uraganin mediatik të fjalës së lirë.

QE KETU E POSHTE PER FAQEN TJETER

Flasin Skënder Minxhozi, Armand Shkullaku dhe Ylli Rakipi

Pse e firmosëm

deklaratën e gazetarëve

Disa nga gazetarët mendojnë se qeveria e teproi dhe kishte mëse dy muaj që kishte shpallur luftë me median, ndaj u vendos firmosja e deklaratës, që u publikua dy ditë më parë.

Skënder Minxhozi

Firmosja e deklaratës ka dy elemente kryesore. Së pari, ka të bëjë me instrumentalizimin dhe manipulimin që një pjesë e shtypit pranë qeverisë, por edhe instanca zyrtare të partisë në pushtet dhe konkretisht zëdhënësi i PD-së, i bënë ngjarjes ku humbën jetën dy persona, pronari i "Top Media"-s dhe shoqëruesja e tij. Në deklaratë kemi shprehur qartë dhe hapur se, ne, si kolegë, kemi zgjedhur solidaritetin para përmasave dhe peshës së kësaj tragjedie, përballë disa parimeve që hyjnë në ato kanunet klasike. Për disa arsye: është bërë jo vetëm për të mbrojtur dhe respektuar atë çfarë Dritan Hoxha përfaqësonte, por për të mos instrumentalizuar personin tjetër, i cili në këtë tragjedi kishte prezencën, por nuk duhej të kishte edhe instrumentalizimin.

Elementi i dytë ka të bëjë me atë që erdhi pas, me zgjatimin e kësaj ngjarjeje. Kjo ka të bëjë me sulmet direkte apo indirekte që Kryeministri u ka bërë të gjithë gazetarëve, të gjitha mediave që kanë mbajtur qëndrimin që thashë më lart, pra që në një moment të caktuar janë solidarizuar me ngjarjen. Ndoshta duke lënë diçka mënjanë edhe nga kodi profesional. Nuk mund të etiketohet media si bashkëfajtore, si fshehëse e krimit, pasi nuk ka bërë asnjë krim. Media ka pasqyruar me vërtetësi dhe besnikëri atë që ka ndodhur.

Armand Shkullaku

Deklarata është nënshkruar nga të gjithë ata gazetarë shqiptarë, pasi erdhi si reagim ndaj një procesi të gjatë shqetësues të raporteve të qeverisë me median dhe shtypin. Ajo përkon në të vërtetë edhe me një reagim të PD-së dhe kryetarit të kësaj partie në lidhje me aksidentin tragjik, ku humbi jetën Presidenti i "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Por në fakt, kjo deklaratë nuk është një sulm i përgjigjes së deklaratës së PD-së, por një shqetësim që gazetarët shqiptarë kanë shprehur, një shqetësim i akumuluar prej kohësh, që gjeti formë dhe shprehje në këtë deklaratë. Këtu kam parasysh një valë veprimesh të Kryeministrit në raport me median, që sollën këtë deklaratë. E këtu mund të përmendim disa reagime. Kujtoj reagimin e Berishës në mbledhjen e qeverisë, menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, kur ne të gjithë prisnim përgjegjësinë mbi shkaktarët e saj. Pra, që qeveria të merrte përgjegjësitë e saj. Por Kryeministri akuzoi mediat, duke i quajtur si të papërgjegjshme. Sigurisht që një qeveri mund të reagojë ndaj mediave, mund të ketë pakënaqësi dhe vërejtje, por kalimi në akuza apo në sulme personale prish këto raporte, i devijon dhe kthehen në shqetësim për mediat.

Ylli Rakipi

Deklarata ka në thelbin e vet një vijë të sjelljes dymujore të Kryeministrit Berisha me median, me atë që nuk është pranë qeverisë ose me median në përgjithësi. Rasti i fundit, që na detyroi ne, të gjithë komunitetin e gazetarëve, ishte akti i paprecedentë i Kryeministrit për t‘u marrë me një të vdekur. Ishte një akt që kishte brenda elemente nekrofilie. I vdekuri ikën, nuk është më, i gjalli është dhe turpi mbetet tek ai. Fyerjet dhe denigrimet nuk janë të denja për një njeri të zakonshëm dhe jo më për një Kryeministër.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Veriut

Berisha shkeli "Kodin e Vdekjes"

Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut, me qendër në Shkodër, si dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit të mediave në veri protestojnë ashpër ndaj sulmeve dashakeqe të iniciuara nga Kryeministri Sali Berisha me qëllim denigrimin e figurës së të ndjerit Dritan Hoxha, President i "Top Media"-s. Kjo situatë absurde e krijuar vetëm pak ditë pas vdekjes së tij tragjike, krahas habisë ka ngjallur indinjatë te gjithë komuniteti i gazetarëve, të cilët shihnin te figura e Tanit të "Top"-it simbolin e lirisë së fjalës. Në deklaratën e turpshme të gatuar në zyrat e selisë blu, flitet me termin "Kodi i Vdekjes". Në fakt, ky kod i vdekjes që është i njohur në terminologjinë kanunore është shkelur këmbë e krye nga Kryeministri i vendit, i cili megjithëse një person që krenohet me prejardhjen e tij prej malësori, e shkeli si askush tjetër atë duke tentuar të përdhosë figurën e një njeriu që nuk jeton më.

Kushdo në këtë vend e ka të qartë se tashmë për Kryeministrin Berisha mund të ishte momenti i shumëpritur për të sulmuar fjalën e lirë të mishëruar te "Top Media", por askush në fakt nuk priste që kjo fushatë të niste ende pa u mbyllur arkëmorti.

Do të ishte në nderin e Kryeministrit dhe oborrtarëve të tij patetike të ndërpresin këtë fushatë sulmesh të pandershme dhe të respektojnë zinë që ka përfshirë jo vetëm "Top Media"-n, por edhe gjithë komunitetin e gazetarëve.

Dhe së fundi një kujtesë: Betejën me mediat e kanë humbur presidentë, kryeministra e ministra në të gjithë botën, duke marrë pas vetes vetëm turpin.

1. Ardi Hoti

2. Taulant Kopliku

3. Blerti Delija

4. Sokol Pepushaj

5. Anila Dushi

6. Brunilda Dibra

7. Simon Shkreli

8. Elvis Nabolli

9. Ergys Kavaja

10. Besi Bekteshi

11. Mirsad Kruja

12. Rifat Ymeri

13. Brikena Shllaku

14. Nexhat Rakaj

15. Musa Kurtulaj

16. Senad Nikshiqi

17. Fatime Kulli

18. Kanto Zefi

19. Altin Mema

20. Ardo Marashi

21. Ridvan Shtegu

22. Gjergj Figuri

23. Gac Hila

24. Armir Mehja

25. Fabian Pepa

26. Kozeta Bruci

27. Zef Nika


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›