E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pranvera" zbulon armë e municione në Lezhë

Një numër i madh armësh dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, që mbaheshin pa leje nga persona të ndryshëm, janë sekuestruar dje nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë. Zëdhënësja e kësaj drejtorie, Elona Nika, njoftoi dje se armët edhe municionet u sekuestruan në kuadër të operacionit "Pranvera", që u organizua për parandalimin e veprave penale me përdorimin e armëve të zjarrit nga strukturat e komisariateve të Policisë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin. Policia sekuestroi 12 automatikë model 56, gjashtë pushkë njëzetëshe model 56, dy 2 pistoleta TT, 3180 fishekë, dy granata dore, 2 kallëpe tritoli dhe një shirit mitralozi me 100 fishekë. Gjatë operacionit "Pranvera", policia ka evidentuar pesë vepra penale me përdorimin e armëve të zjarrit, konkretisht 3 vrasje të mbetura në tentative, një vjedhje me armë dhe një kanosje. Për këto vepra penale, është bërë arrestimi i autorëve, si dhe sekuestrimi i armëve të krimit. Në kuadrin e këtij operacioni janë intensifikuar masat policore, duke pasur si prioritet të punës zbulimin e ngjarjeve të rënda, si dhe është bërë e mundur kapja e tetë personave të shpallur në kërkim. Në kuadër të operacionit "Pranvera", efektivët e Komisariatit të Policisë së Lezhës kanë kryer 10 aksione policore, që kanë rezultuar me sekuestrimin e 15 armëve të zjarrit. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Lezhës njoftoi gjithashtu se dje është bërë i mundur arrestimi i një personi, që ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për tentativë vrasjeje. Alban Kola, 23 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Lezhës, mësohet se është dorëzuar dje në Komisariatin e Policisë së qytetit të tij. Ai dyshohet si autor i ngjarjes së ndodhur më 29 dhjetor 2007 në qendër të qytetit të Lezhës, ku mbeti i vrarë shtetasi Hektor Kola. Alban Kola, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasit Gjergj Ndoka dhe Sokol Nikolli. Për shtetasin Alban Kola, të akuzuar për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka nxjerrë urdhër-ndalimi më 3 janar 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›