E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës fryn arkën e qeverisë

Rritja e përgjithshme e çmimeve gjatë dy viteve të fundit, ka sjellë bum të ardhurash në arkën e qeverisë. Mallrat që vijnë nga jashtë zhdoganohen me çmim më të lartë. Një litër naftë shitet sot në tregun vendas me rreth 165 lekë. Dy vjet më parë çmimi varionte nga 115 deri në 120 lekë për litër. Për rrjedhojë, edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar zbatohet në një çmim më të lartë. Qeveria shqiptare fut sot në arkën e saj, 40 për qind për çdo lek që qarkullon tregtia e naftës në vend, ose e thënë në vlerë rreth 65 lekë për çdo litër naftë që shitet në territorin e Shqipërisë. Dy vjet më parë, qeveria arkëtonte 45 lekë për çdo litër naftë të shitur në vend. Shqipëria importon mesatarisht 400 deri në 500 mijë tonë karburant në vit. Me një llogari të përafërt, pa përfshirë naftën e prodhuar në vend, paratë shtesë në buxhetin e shtetit, vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës arrijnë në 10 miliardë lekë në vit ose e konvertuar, në mbi 80 milionë euro. Këto para i paguajnë konsumatorët finalë, që janë qytetarët. Qeveria ka parashikuar që të mbledhë nga akcizat për vitin 2008, plot 38.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar në buxhet, nga ky zë janë arkëtuar pak më shumë se 27 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2006, të ardhurat nga akciza ishin 19.8 miliardë lekë. Të ardhurat janë dyfishuar. Nga mallrat me akcizë rritje të fortë të çmimit kanë shënuar vetëm karburantet, ndërsa produktet e tjera, si duhani, kafeja dhe alkooli, kanë pak a shumë të njëjtat çmime me dy vjet më parë. Efekti vjen i gjithi nga karburanti. Qeveria thotë se rritja e të ardhurave ka ardhur kryesisht si pasojë e luftës ndaj evazionit. Qytetarët po paguajnë sot dy herë më shumë taksa për konsum nafte se sa paguanin në vitin 2006.

Greva nëpër botë

Pikërisht me këtë argument, sindikatat dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke rritur presionin mbi qeveritë e tyre për të reduktuar taksat mbi karburantet. Nën këtë presion, ish-qeveria italiane e Prodit reduktoi në muajin mars Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për benzinën me 2 cent të euros për litër. "E dimë që nuk mund të kontrollojmë çmimin me këtë masë, por ishte e domosdoshme për të treguar që shtetit nuk duhet t‘i interesojë rritja e çmimeve në treg për të përfituar më shumë taksa", deklaroi në atë kohë ministri italian për Zhvillimin Ekonomik, Pierluixhi Bersani. Kandidati Republikan për President, Xhon Mekein, i kërkoi qeverisë amerikane të ndërmarrë një moratorium për përjashtimin përkohësisht nga taksat të naftës. I ndodhur nën presion, Presidenti Bush tha se administrata e tij do shqyrtojë propozimin. Presidenti francez, Sarkozi, edhe ky bëri të njëjtin propozim për Bashkimin Evropian. Brukseli tha se do të ndërmarrë një vendim të tillë vetëm në qoftë se do të ketë konsensusin e të 27 vendeve anëtare. Në Shqipëri janë vetëm importuesit ata që po kërkojnë uljen e barrës fiskale për karburantet. Por kjo është kundërshtuar nga qeveria, veçanërisht nga ministri i Financave, Ridvan Bode, që mbron me fanatizëm parimin e djathtë "Laissez faire". "Vetëm një qeveri dhe një administratë e keqe do të ndërhynte. Një ekonomi tregu, do ta linte atë në rrugën e tij", thotë Bode.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›