Plehrat te Sharra, 2.2 milionë lekë për shpronësimet
Qeveria ka vendosur të shtojë fondet për zbatimin e projektit të zgjerimit të fushës së mbetjeve urbane në zonën e Sharrës, Tiranë. Hapi i parë është hedhur për vendosjen e fondit rreth 2.2 milionë lekë, i cili do të përdoret për shpronësimet në interes të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i fushës së mbetjeve urbane. Me këtë proces do të merret kryesisht Komuna Vaqarr. Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen 4 237 m2 tokë arë, të vlerësuar me çmimin 537 lekë/ m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 2 275 269 lekë. Vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 128 810 lekë, do të përballohet nga Komuna Vaqarr. Mësohet se, shpronësimi do të fillojë në fillim të javës që vjen dhe përfundon në fillim të muajit shtator. Në këtë mënyrë, pronarëve të tokës nuk u mbetet veçse të plotësojnë formularët, duke paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Komunës Vaqarr.