E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes krimit dhe së vërtetës

Nëse një javë më parë, në ekranet e TV do të shfaqej portreti i Dritan Hoxhës, gjeniut që tashmë nuk është më, dhe pas ikjes të së cilit mund të ripërsërisja: "Kjo Shqipëri e pafat", të paktë do të ishin ata që do e njihnin. Duke përjashtuar kolegët e tij, njerëzit e afërt apo miqtë, të zakonshmit, sidomos ata që jetojnë prej kohe larg nga Shqipëria, do të kishin ngritur shpatullat dhe do të thoshin: "Nuk e dimë kush është".

Në të vërtetë kishim dëgjuar për të, kishim dëgjuar për perandorinë e medias që krijoi, duke u nisur nga hiçi, për të gjithë atë strukturë vigane që sjell Shqipërinë përditë e më pranë, edhe kur jemi mijëra kilometra larg dhe pa të cilën nuk do të mund ta përfytyronim tashmë kohën tonë.

Jo rrallë nga sallat e Parlamentit apo të qeverisë kishim dëgjuar për njeriun mafioz, për "top kafenë", për lidhjen e krimit mediatik me politikën, për shantazhin mediatik, për botën e errët, për fshehje fiskale. Berisha, si Kryeministër apo si shef i pozitës, ishte një nga më të përbetuarit dhe të mllefosurit, dhe dashje pa dashje, te njerëzit që ende e besojnë, kishte ndikimin e tij. Në të vërtetë, deri të premten, për të zakonshmit, Dritan Hoxha do të shfaqej mes dritëzimit të punës së tij vigane dhe mjegullimit të përbaltimit të tij. Mjerisht u desh një ditë e premte që ai të shfaqej ashtu si kishte qenë, një ëndërr e shuar, një dëshmi e thënies së hershme se "engjëjt ikin të parët nga kjo botë". U desh vetëm harku i pak minutave dhe të bien të gjitha përbaltimet, mjegullimet, sharjet me buzë të përgjakura dhe të jetë qartësisht e dallueshme se njeriu që bëri epokë, Dritan Hoxha, ishte ngritur përjetësisht mbi sharjet gjëmëmëdha të Berishës.

Berisha ishte betuar se do e nxirrte Dritan Hoxhën nga "Piramida". Në të vërtetë, Dritani doli nga aty. Berisha nuk mund ta dinte se tashmë ai kishte kaluar në memorien historike të njerëzve. Këtë ai nuk do të mund ta ndalonte.

Sidoqoftë, Berisha bëri edhe një përpjekje të fundit, përbaltimin pas vdekjes. As në kodet më të lashta të vendit nuk është dëgjuar një gjë e tillë. Njeriu që e thërret veten si "njeriu i fjalës së mbajtur", nuk u mbajt dot dhe, siç është në natyrën e tij meskine, kërkoi të bëjë hesape edhe me vdekjen. Nuk është e padëgjuar kjo për Berishën. Ai merret me të gjithë dhe për gjithçka. Nuk merret vetëm me të vdekurit e Gërdecit, ku mund të jetë edhe dora e familjes së tij; nuk merret me mafien e rrugës Durrës-Kukës, ku mund të jenë edhe përfitimet e tij; nuk merret me katrahurën në Hipoteka, ku në secilën ditë janë ndërhyrjet e vajzës dhe të djalit të tij (jo rrallë për të njëjtën çështje, por në kahe të ndryshme). Berisha nuk merret me dhunimin e ligjit, por me dhunimin e vdekjes, për të ngjallur vdekje të tjera.

"Top Channel" është para një prove të madhe, por edhe Berisha është, po ashtu, para sprovës së tij. "Top Channel" është para provës së të qenit media e lirë e mendimit të lirë, siç ishte edhe Dritan Hoxha. Nëse kjo do të ndryshojë, dhe në "Top Channel" do të futet berishizmi i sëmurë dhe njerëzit e mbrapshtë të tij, atëherë do të mund të mendohet se aksidenti nuk ka qenë i rastësishëm. Siç e thashë më lart, "engjëjt ikin të parët nga kjo botë". Berisha sigurisht do të bëhet më shumë se 100 vjeç. Nëse do të qëndrojë në politikë deri në këtë moshë, mund të ketë edhe "aksidente" të tjera.

Publicist - Vjenë, 28 maj 2008



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›