E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Jam dakord që mjekët të punojnë dhe privat

Nga Esmeralda Keta
 

TIRANE-Buxhet i pamfjatueshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat e shëndetësisë, por edhe zvarritje procedurash, pasaktësi në planifikime, harxhime mbi parashikimet, pse jo edhe abuzime korruptive për interes të ndonjë sektori privat". Sipas ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo, këto janë vetëm disa nga faktorët që kanë ndikuar në krijimin e situatave problematike të spitaleve tona. Ajo është shprehur se do të përkrahë dypunësimin e mjekëve, por nga ana tjetër ka deklaruar se nuk do të tolerojë as "profesionistët" dhe as ata që marrin rryshfete. Ministrja Godo, në një intervistë të dhënë për "Gazeta Shqiptare", ka deklaruar se do shtojë kontrollet në sektorin farmaceutik dhe do t'i japë fund trafikimit të barnave të spitalit në farmacitë private. Gjithashtu ajo ka theksuar se sfida më e madhe është QSUT-ja, ndaj drejtimin e saj do t'ja besojë një figure që e njeh mirë shëndetësinë.
Cilat janë pikat kyçe në të cilat do të ndërhyni për të zbutur problemet e sistemit shëndetësor?
Analiza e buxhetit, rivlerësimi i prioriteteve, reforma spitalore. Kemi nisur diskutimet rreth përfshirjes në skemën e financimit nga ISKSH të disa spitaleve rajonale apo më gjerë. Prioritet do të jetë edhe përmirësimi i shërbimit të ofruar në sistemin parësor, përgatitja e përmirësimi i kapaciteteve të menaxhimit spitalor si dhe përmirësimi i kontrollit të aktiviteteve në sektorin farmaceutik.
Duke qenë se ju punoni prej vitesh në QSUT, përse kemi kaq shpesh mungesa barnash dhe prishje aparaturash? Nuk ka fonde mjaftueshëm apo abuzohet me to? Kur do të marrë fund kjo situatë dhe pacientët të mos shkojnë në privat për të bërë edhe analizat e gjakut?
Dihet se buxheti asnjëherë nuk ka qenë e nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar në optimum kërkesat. Por çrregullsitë që ju përmendni shpesh kanë të bëjnë me: zvarritje të pajustifikueshme në procedurat përkatëse; pasaktësi në planifikime; harxhim mbi parashikimin për shkak të trajtimit edhe të rasteve që mjaft mirë mund të ndiqen në një spital rajonal e jo detyrimisht në një qendër terciare; ndoshta edhe abuzime korruptive për interes të ndonjë sektori privat.
Në jo pak raste mjekët janë bërë objekt i skandaleve, herë për shkak të pakujdesisë në mjekim e herë sepse marrin rryshfete. Pse ka ardhur kjo situatë? Nuk kemi profesionistë të mirë apo bluzat e bardha po shenjohen më kot?
U bëj thirrje qytetarëve të kenë më besim te bluzat e bardha. Kemi mjaft profesionistë të mirë, që jetojnë me shqetësimet e pacientëve çdo çast të jetës së tyre, e që japin shumë nga jeta e tyre për jetën e dikujt tjetër. Diku rrallë ka edhe ndonjë "profesionist" që do bënte mirë të ndërronte zanat, e diku më shumë ndonjë që merr rryshfet. U duhet treguar vendi të dy palëve.
Do ta lejoni dypunënësimin e mjekëve, apo, ashtu si edhe për pararendësit, do të ndaloni që vetëm shefat e shërbimeve të punojnë në privat, ndërsa mjekët e tjerë mund të punojnë pas orarit zyrtar të punës?
Ndofta kam qenë ndër shefat e pakët që nuk kam qenë e punësuar diku tjetër përveçse në spital, por nuk jam kundër dypunësimit. Mjekët tanë nuk janë aq të motivuar financiarisht nga shteti sa të pretendojmë këtë prej tyre. Por une jam që dypunësimi të vihet nën një vëzhgim e kontroll të rreptë, me penalizime të forta në rast të shkeljeve të rregullave të paracaktuara në ligj, mbi marrëdhëniet midis dy sektorëve.
Sipas jush cila është rruga që do të vendoste një ekuilibër midis punës në spitalet publike dhe në ata private, në mënyrë që mjekët që punojnë në spitale publike të mos i çojnë pacientët nëpër klinikat private ku edhe punojnë?
Spitalet publike të ofrojnë standarde të pranueshme për shumicën e popullsisë e kjo të promovohet mirë. Ata që munden e kanë dëshirë mund të zgjedhin privatin, i cili në ndonjë drejtim mund të ofrojë komoditete e facilitete që nuk i gjen në strukturën publike. Është normale e kështu është kudo. Pra do jenë vetë pacientët që do vendosin një ekuilibër.
Do ta zëvendësoni drejtorin e QSUT-së, Mati Pepa? Nëse po do të jetë nga fusha e shëndetësisë apo jashtë saj?
Po. Mendoj se një qendër spitalore universitare, për tani e vetmja në vend, duhet të ketë në krye një figurë që të sigurojë plotësimin e të tre atributeve që ka një qendër e tillë, pra shkencore, didaktike e diagnostiko-kurative. Do të jetë mjeke dhe pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë.
Duke qenë se ju keni punuar në QSUT gjatë kohës që Pepa ishte drejtor, periudhë e cila u shoqërua me shumë probleme, a mendoni se një pjesë e tyre mund të ishte evituar nëse ai do të ishte mjek me profesion?
QSUT është vërtet një sfidë e madhe. Problemet e këtij viti kishin të bënin kryesisht me një çrregullsi të paparë në furnizimin me medikamente. Nuk di të them nëse do kish qenë ndryshe nëse drejtori do kish qenë mjek, por di me siguri se ngathtësia, mungesa e përgjegjësisë, zvarritja, mungesa e bashkëpunimit. . .
Ish-ministri Ndoka, ka deklaruar se barnat e spitalit trafikohen në farmacitë private, d.m.th. nuk përfundojnë te pacienti, ju e pranoni një situatë të tillë? Stafi juaj çfarë masash do të merrë për ta zgjidhur këtë problem?
Nga personalitete të farmaceutikës më janë orfruar disa ide që do kontrollonin këtë "rrjedhje". Le të shohim më tej si do venë punët, por kam besim se do i vemë fre këtij trafikimi.
Onkologjiku ka kërkuar që të funksionojë si spital më vete. Ju e përkrahni këtë ide dhe pse?
Po. Për specifika të veçanta të trajtimit, të kushteve të trajtimit, të kostos së financimit, etj.
Aktualisht shëndetësia po kalon një krizë besimi, çfarë mesazhi do u jepni të gjithë atyre pacientëve që e kanë humbur besimin tek mjeku?
S'ka më keq se të humbasësh besimin. Unë do i ftoja të jenë gjallërisht aktorë të ndryshimit e do pres e bindur dhe e gëzuar t'i këndohet përsëri mjekut.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›