E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Më çudit heshtja e PD për zgjedhjet

Nga Gilmana Bushati
 

TIRANE- Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo i sheh me dyshim zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare sa i takon diskutimit për reformën zgjedhore, e kryesisht pozicionimin e PD-së, e cila për të është ende e paqartë. Ai paralajmëron dështim të pjesshëm të zgjedhjeve, nëse do të realizohet ideja që votat e zgjedhjeve të ardhshme të numërohen në shkallë kombëtare.
Zoti Godo, PD-ja kohët e fundit u shpreh e gatshme për të filluar bashkëpunimin e saj me partitë e tjera. Si e vlerësoni ju këtë gatishmëri?
Tani për tani, Partia Demokratike është e paqartë në pozicionin e saj. Nga njëra anë shprehet se është e gatshme për bisedime, ndërkohë që nuk e hedh hapin për t'i hapur këto bisedime, pasi është ajo vetë që duhet të japë shembullin e para, sepse është partia më e madhe e maxhorancës. Vazhdon të jetë e paqartë sa i takon Kodit Zgjedhor, pasi ne ende nuk dimë me çfarë lloj sistemi do të shkojmë në zgjedhje.
Një nga idetë që është hedhur pas ndryshimit të sistemit zgjedhor, është që votat e këtij proporcionali të llogariten në shkallë kombëtare. A përbën kjo problem për partitë e vogla?
Unë mendoj se, nëse do të realizohet ideja që aktualisht është hedhur, pra për sistem proporcional rajonal, ku votat do të llogariten në shkallë kombëtare dhe jo mbi bazën e qarqeve, kjo me të vërtetë që do të jetë një problem. Kjo ide do të kompromentojë rëndë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse do të çojë drejt një dështimi të pjesshëm të tyre. Pikërisht ky dështim do ta dëmtonte rëndë zhvillimin e Shqipërisë, imazhin e saj në komunitetin ndërkombëtar. Gjithashtu, ky dështim do të tregojë edhe njëherë faktin se ne, që prej 17 vjetësh nuk arrijmë dot të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme, dhe nuk do të kemi mundësi t'i themi botës se ne dimë të bëjmë zgjedhje.
A ju shqetëson fakti që deri më tani janë socialistët që propozojnë pika të ndryshme të Kodit Zgjedhor, ndërsa PD-ja nuk e ka bërë një gjë të tillë?
Prej kohësh PD-ja hesht sa i takon reformës më të rëndësishme, siç është ajo zgjedhore. Në këto kohë kemi parë vetëm PS-në të hedhë ide, të propozojë për këtë reformë, kjo duket se është në vazhdën e qëndrimit të hershëm të PD-së, e cila është e gatshme të pranojë çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore. Kjo më duket me të vërtetë e çuditshme, sepse secila palë duhet të ketë idetë e veta për reformën, të diskutojë dhe debatojë me aleatët e vet dhe më pas me partitë e tjera. Unë mbetem me shpresë që kjo të zgjidhet shumë shpejt, menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›