E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo Jo demonstrate tjeter

Në Shqipëri nuk duhet të ketë asnjë demonstratë tjetër derisa prokuroria të ketë përfunduar hetimet e plota për ngjarjen e 21 janarit. Ky ishte qëndrimi që mban politikani dhe publicisti Sabri Godo, i cili në një intervistë për Alsat thekson se protesta e opozitës e ka dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë.

"Unë i bashkohem thirrjes së ambasadorit amerikan që palët të mos bëjnë deklarata pa arritur në një përfundim prokuroria. Krijon përshtypjen në botë se kemi probleme të përafërta me ato të Tunizisë dhe tani në Egjipt, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Doemos që Europa do të hezitojë tani më tej lidhur me integrimit tonë", tha Godo.

Duke qenë në sinkron me qëndrimin e shprehur nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi ndërprerjen e demonstratave të tjera, Godo është shprehur se nuk ka vend për kokëfortësi po për zgjidhje gjaftohtë. "Një kërkesë këmbëngulëse e SHBA dhe që përmblidhet në pak fjalë, uluni dhe bisedoni. Hiqni dorë nga demonstrimi i forcës, mos bëni demonstrata. Më qartë se kaq nuk kanë se si të na e thonë këtë gjë. Megjithatë ne prapë këmbëngulim në tonën, kjo është një kundërvënie dhe unë them se mund ti kundërvihesh atij që ke përballë por jo tërë komunitetit botëror", vijoi Godo.

Për politikanin Sabri Godo Shqipëria nuk duhet të përsëris demonstratat e dhunshme të së kaluarës pasi ato vetëm dëmtojnë aspiratat e vendit për tu përfshirë në strukturat europiane.

Ermira Dema

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›