E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet Apolonia, mund Teutën në "Niko Dovana"

Apolonia bën surprizën tjetër të Javës së 12 të Kategorisë Superiore duke mundur më rezultatin 2-0 më meritë Teutën në "Niko Dovana" të Durrësit. Skuadra e drejtuar tashmë nga Hasan Lika ka demonstruar një vendosje të mirë taktike dhe ka ushtruar presion mbi kundërshtari, në portën e së cilëve jo vetëm ka shënuar dy gola, por mund ta kishte kthyer ndeshjen edhe në një goleadë. Pjesa e parë ka qenë më kërkuese për vendasit, të cilët kanë parë më shumë drejt portës së të riut, Hoxha, ndërsa Apolonia ka studiuar lojën e kundërshtarit, ka pikasur pikat e dobëta të tij dhe e ka kundërsulmuar pikërisht aty. Megjithatë, 45 minutat e para të lojës janë mbyllur në barazim 0-0, për t‘ia lënë golat pjesës së dytë, në një portë, në atë të Vashakut të Teutës. Minuta e 57-të ka prishur bardhësinë e rezultatit, teksa sulmuesi serbo-boshnjak i Apolonisë, Bërkiç, me gju, ka kaluar një parabël mbi kokën e gardianit durrsak, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi. Pas këtij momenti janë "djemtë e detit", që sulen me forca të shumta drejt portës fierake, por nuk kanë qartësi në finalizim. Godasin dhjetëra herë në kuadratin e Hoxhës, por pa realizuar dot. Pengesë për këtë bëhet edhe traversa e portës së Apolonisë. Sidoqoftë, fierakët janë të qetë dhe kundërsulmojnë herë pas here rrezikshëm, me dyshen Bërkiç-Haxhibuliç. Përmes një skeme të tillë sigurohet edhe goli i dytë, i cili realizohet nga shkodrani Albert Kaçi, në minutën e 69-të, duke prerë shpresat e Teutës për të barazuar të paktën. Me këtë rezultat, 2-0 për Apoloninë, mbyllet kjo ndeshje, e cila shënon fitoren e parë të Hasan Likës në krye të fierakëve, duke ruajtur pozita kryesuese, së bashku me Besën, ndërsa Teuta zhgënjen në momentin kur duhet të bënte edhe ajo hapin e madh drejt kreut. Kjo humbje ishte një goditje për durrsakët që mbeten në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Fierakët mbajnë hapin e Besës me 20 pikë (1 më pak se kavajasit).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›