Sarandë, e dyshuara në karantinë
24/07/2009 SARANDË - Një grua 49-vjeçare me origjinë nga rrethinat e Sarandës, e ardhur një javë më parë me pushime nga Çikago e Amerikës është e dyshuara e parë si bartëse e virusit A (H1N1). Arben Vogli, drejtori i spitalit civil “Petro Nako” të Sarandës, ka pohuar pasditen e djeshme se, “shtetasja amerikane Tatjana M. 49 vjeç, me origjinë nga një rreth i Sarandës, është paraqitur mbrëmjen e djeshme për këshillim mjekësor në spitalin e Sarandës, pasi kishte një temperaturë dyshuese 37.5 gradë”. “Dyshimet se ky nuk ka qenë një grip i thjeshtë janë thelluar më tej gjatë ekzaminimit dhe për këtë arsye është kërkuar ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka dërguar urgjentisht drejt qytetit të Sarandës një grup ekspertësh”, është shprehur Vogli. Sipas tij, pas ekzaminimit paraprak në spitalin e Sarandës, ajo është dërguar në masat e rrepta të karantinës drejt spitalit civil rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës, për një mjekim më të specializuar. Po i njëjti zyrtar ka theksuar se, të gjitha institucionet e shëndetësisë në jug të vendit kanë përforcuar shërbimit dhe çdo pacient që do të paraqitet pranë urgjencës do të marrë ndihmën e parë mjekësore. “Jemi gati të përballojë çdo situatë që mund të paraqitet në qytetin e Sarandës. Për këtë arsye në urgjencën e spitalit është dyfishuar numri i mjekëve specialist”, përfundon Arben Vogli, drejtori i spitalit të qytetit të Sarandës.