Godo: Omonia të shpallet e paligjshme
TIRANË- Ndërsa kryeministri Sali Berisha shtrëngonte duart dje me kreun e bashkisë së Himarës Vasil Bollano në Porto Palermo, republikani Sabri Godo kërkonte nga Tirana nxjerrjen jashtë ligji të organizatës së minoritarëve grek “Omonia” të cilën Bollano drejton. Pas kërkesës së përsëritur për shkarkimin e Bollanos nga posti i kryetarit të bashkisë së Himarës, dje republikani, Sabri Godo ka shkuar edhe më tej në qëndrimin e tij, duke i kërkuar institucioneve shqiptare dhe kryeministrit Berisha që ta shpallë “Omonian” si të paligjshme. Shkak për këtë qëndrim ekstrem janë bërë pikërisht provokimet e shumta që përfaqësuesit më të lartë të këtij minoriteti, po i bëjnë shqiptarëve dhe institucioneve drejtuese të shtetit shqiptar, siç ishte kohët e fundit dhe shpallja e planit të “Vorio Epirit” apo dhe kërkesa për njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri. “Është qëndrimi i shtetit shqiptar që duhet ti thërrasë ata (minoritarët grekë) dhe tu thotë që ju jeni lejuar këtu që të keni organizatën tuaj dhe në qoftë se këtu do të bëni veprime antikushtetuese, që kërcënojnë tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe që cenon sigurinë kombëtare, ne do ju vëmë çelësin. Duhet t’i bëjmë paralajmërim, pasi nuk mund t’i lëmë të thonë çfarë të duan, të bëjnë çfarë të duan dhe të duket se asnjeri nuk dëgjon. Është një situatë e papranueshme”, - tha Godo. Sipas tij, shteti shqiptar duhet të tregojë se nuk mund të lejojë në pafundësi asnjë individ, qoftë ky dhe një komunitet i organizuar siç është minoriteti grek, që të cenojë simbolet dhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ndërkohë ndaj kësaj çështje ka reaguar dje dhe zëvendëskryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi, i njohur për qëndrimet e tij kundra pretendimeve të minoritetit helen në Shqipëri. Sipas tij, deklarata dhe kërkesa të tilla nga drejtues të këtij minoriteti, jo vetëm që provokojnë shqiptarët, por kërkojnë të vënë në rrezik dhe bashkëjetesën midis minoriteteve edhe në vende të tjera. “Kjo organizatë me gojën e Bollanos po merr gjithnjë e më shumë një rol për të provokuar dhe për të nxitur armiqësi dhe zjarre në nivel rajonal. Në këtë aspekt mendoj se këto deklarata të pabaza dhe të papërligjura dhe të pambështetura askund janë një provokacion”, - tha zëvendëskryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi.