Vendimi i Omonia-s, Berisha asnjë koment
TIRANË- Vendimi i fundit i Këshillit të Përgjithshëm tëOrganizatës së Omonia-s për ti kërkuar qeverisë sanksionimin e gjuhës greke si gjuhë e dytë zyrtare në vend është përcjellë pa asnjë koment nga kryeministri Sali Berisha. Edhe pse ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, gjatë përfundimit të vizitës së tij në zonën e bregut, pikërisht në Porto Palermo, Berisha nuk ka folur për gjë tjetër përveçse deklaratës thuajse të njëjtë në çdo zonë të bregut që ai po shkel se do të ndërtohen rrugë, kanalizime, ujësjellësa. Gjatë gjithë kohës, Berisha ka qëndruar përkrah Bollanos, por në asnjë moment nuk ka pasur komente rreth vendimit në fjalë, madje për këtë çështje Berisha nuk ka shtuar asgjë për mediat, përveçse ka mbajtur një fjalë të shkurtër përpara disa banorëve që ishin mbledhur në Porto Palermo. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Omonia-s e zhvilluar pak kohë më parë në Sarandë, ky këshill ftoi qeverinë shqiptare që të përmbushte detyrimin për përdorimin e gjuhës së minoritetit etnik grek në Shqipëri në dokumentet zyrtare. Porto-Palermo ishte ndalimi i fundit i vizitës së Berishës pas inaugurimit të investimeve në fshatrat e Bregut (Nivicë, Shën Vasil, Borsh, Palermo dhe Vuno) nën moton “Shqipëria po ndryshon”. Pikërisht në Nivicë, kryeministri Berisha është përballur edhe me shqetësimin e banorëve për pronat. “Në të gjitha fshatrat e Bregut has ankimime të tilla dhe shumë serioze. Por, duhet të jeni të sigurt që ligji 7501 nuk mund të abrogohet sepse nuk mund të bëhen dy ligje, një ligj për bregun dhe tjetër për në zonat e tjera, përshembull për Gjirokastrën apo për Korçën. Ju duhet të dini se çdo padrejtësie tëbërë duke keqpërdorur një ligj, i jepet përgjigje dhe zgjidhje me ligjin që sapo ka kaluar në Parlament. Të jeni të sigurt se do të investohet dhe do të bëhet çdo përpjekje që ky proces të përfundojë në mënyrë sa më transparente dhe efiçente. Po përpiqem të hetoj dhe të merrem me këtë çështje, por ligjin nuk e ndryshojmë dot”,- u tha Berisha banorëve.