E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: PR të futet në qeveri brenda 10 ditëve

Gati katër muaj pasi ish-ministri i Mbroj-tjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen, republikanët ripërsërisin qëndrimin e tyre për t'u rikthyer në qeveri, madje këtë radhë duke folur me afate konkrete. 

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të republikanëve, Sabri Godo, tha dje në një prononcim për mediat se, kreu i qeverisë duhet të marrë një vendim sa më shpejt për të rikthyer partinë e dytë më të madhe të maxhorancës në kabinetin qeveritar. Madje, sipas tij, një gjë e tillë duhet të ndodhë brenda 10 ditëve dhe të mos shtyhet për në vjeshtë. Godo thotë se, për një problem të tillë republikanët kanë komunikuar edhe me kryeministrin Berisha, teksa shtojnë se, kjo vonesë e përfshirjes së tyre në qeveri, mund të lidhet edhe me ndryshime të tjera të mundshme. "Besoj se kjo çështje duhet të zgjidhet në ditët që vijnë, domethënë para mbylljes së kësaj legjislature. Ne kemi komunikuar me doktor Berishën dhe ai e ka thënë një gjë të tillë. Ndoshta kjo lidhet edhe me një ndryshim tjetër që eventualisht ai do të bëjë në qeveri. Ne kemi pritur kaq gjatë, mund të presim edhe 10 ditë. Do të ishte me të vërtetë e papranueshme që kjo të shtyhej për në vjeshtë". I pyetur se çfarë posti ministror duhet të marrin republikanët, pas rikthimit të tyre të mundshëm në kabinetin e kryeministrit Berisha, kryetari i Asamblesë së PR-së, nuk jep një dikaster konkret, por shprehet se, kjo është e drejtë e kryeministrit. Megjithatë sipas tij, ministria që PR-ja do të drejtojë në vazhdim duhet të përfaqësojë interesat e kësaj partie. "Do duam një ministri që të kishte peshë. Ne nuk mund të vëmë gishtin në ndonjë ministri sepse ky është atribut i kryeministrit", vijon Godo, teksa nuk pranon të japë emrin e republikanit që do të përfaqësojë këtë parti me 12 deputetë në qeveri. Pas dorëheqjes nga Ministria e Mbrojtjes të kryetarit të tyre, për shkak të tragjedisë së Gërdecit, republikanët u shprehën se, nuk do të futen në qeveri derisa të zbardhet plotësisht kjo ngjarje. Por, një muaj pas kësaj deklarate të tyre, ishte kryetari i grupit parlamentar, Arjan Madhi, i cili deklaroi se, PR-ja nuk mund të presë më dhe kërkon përfaqësim në qeveri. Nga ana tjetër edhe kryeministri Berisha është shprehur se, republikanët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar, por pa dhënë detaje për kohën e hyrjes së tyre në qeveri, apo pozicionin e ri që do të marrë kjo parti. "Partia Republikane është parti e koalicionit, ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet në qeveri", është shprehur kreu i qeverisë gjatë një konference për shtyp. a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›