E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha kërkon Gjykatën e Lartë për të mbyllur “Gërdecin”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta i cilëson nismat e maxhorancës për hapjen e dosjeve, si dhe të ndryshimit të Rregullores si përpjekje të 

 Kryeministrit Sali Berisha për uzurpimin e institucioneve kushtetuese. "Ne vëmë re, që përpjekjet e Berishës për një kontroll absolut të institucioneve, vijnë kur ai ndihet i rrezikuar jo vetëm për të humbur zgjedhjet, por edhe kur ndihet i rrezikuar edhe përpara drejtësisë, ndaj jo më kot kërkon me çdo kusht që të kontrollojë anëtarët e gjykatave të Larta e të çdo niveli. Sepse ne e dimë që është një dosje e madhe nuk është hapur akoma, për shkak të presionit politik, që është dosja e Gërdecit", deklaroi Meta gjatë një takimi të zhvilluar në njësinë numër 8 në Tiranë. Ai shtoi se: "Si LSI kemi kërkuar që në fillim dorëheqjen e Berishës, për arsye se jemi të bindur që pa dorëheqjen e tij nuk mundet t'i shkohet deri në fund hetimeve për Gërdecin dhe jemi të bindur që nuk po iu shkua deri në fund çështjes së Gërdecit dhe vendosjes së drejtësisë, do të jetë shumë e vështirë që në Shqipëri të vendoset një shtet i së drejtës". Ai u ndal edhe tek problemi social i mungesës së ujit në Tiranë edhe më gjerë, problem i cili po vështirëson gjithmonë e më tepër jetën e qytetarëve. "Është vërtet tronditëse, që edhe tre vjet pasi erdhi në pushtet Berisha, treçereku i Tiranës është pa ujë, po kështu edhe Durrësi, po kështu edhe qytete të tjera, për të cilat u premtua se do të jepej zgjidhja. Mos të përmendim faktin që ujësjellësi i Tiranës është shndërruar në një lloj ping-pongu midis Qeverisë dhe Bashkisë, ku asnjë nuk del për zot që të zgjidhë këtë problem dhe të dy e lënë jetim, duke lënë njëkohësisht pa ujë dhe duke krijuar shqetësim të jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›