Sharon Stone: Përse jam e paturpshme
është pa dyshim një nga bukuroshet më jetëgjata të Hollivudit, me një bukuri të paperëndueshme, por edhe një grua “kokë më vete”, ose siç e quan ajo veten, “një e paturpshme” që nuk ndihet fajtore për asgjë. Madje, pikërisht të qenët “e paturpshme” ajo e konsideron si një nga aftësitë e saj më të mëdha, me të cilën ka bërë përpara në një botë të vështirë si ajo e Hollivudit. Të kuptohemi, e vështirë për kë vazhdon që të ketë ende një ndjenjë turpi. Madje ajo ua rekomandon ushtrimin e kësaj “aftësie” edhe të tjerëve, edhe pse në rastin e të qenit femër “paturpësia” mund të kushtojë ende shtrenjtë për sa i përket reputacionit. Ndërkaq, ajo nuk provon asnjë lloj ndjenje faji dhe të gjitha këto kanë bërë që të tjerët ta etiketojnë si grua të vështirë, apo të mbrapshtë. “Unë jam si një shishe vodkë në epokën e prohibicionizmit. Më dëshirojnë dhe dëshiroj në mënyrë të pafytyrë”, thotë aktorja 52-vjeçare. Por ndërkaq shpjegon se të qenit i/e paturpshme nuk është një gjendje natyrore, por duhet ushtruar. “është si të ndihesh Zot. Thjesht turpi duhet që të hiqet si koncept dhe më pas, kur një gjë e tillë ndodh, do të ndihesh sikur dikush të ka hequr një peshë shumë të madhe nga kurrizi”.
Edhe roli i saj i parë i rëndësishëm i karrierës si aktore, roli që i dha një famë të menjëhershme ndërkombëtare, ishte roli që luajti në të shumëdebatuarin film, “Basic Instinct”. është roli negativ i një gruaje shumë të bukur, joshëse, të zgjuar por tërësisht të paturpshme edhe për sa i përket ekspozimit të seksualitetit të saj. “Ajo me të cilën jam ngopur keqas është statusi i famës dhe i të qenit një VIP. Kam hequr dorë prej kohësh nga të konsideruarit e vetes si të tillë dhe për t’ju shmangur njerëzve që më konsiderojnë VIP, unë u shmangem evenimenteve ku ka njerëz dhe famë. “Tani po e kaloj kohën duke përjetuar ndryshimet që po më vijnë si pasojë e kalimit të viteve, pjekurisë së trupit, por edhe të shpirtit dhe mendimeve apo këndvështrimit”. Për të, jeta i ngjan një oqeani. Një herë ka batica dhe një erë zbatica, “ndërkohë që unë vetë ndihem si një lule shkretëtire, që mbijeton bukur në mes të të nxehtit dhe mungesës së ujit”. Por edhe pse në këtë moshë, ajo bën një pohim shumë interesant për veten. Që kur është divorcuar nga ish-botuesi i një gazete, 6 vjet të shkuara, thotë se “ndiqet” nga meshkuj që janë rreth të 20-ve. Teoria e saj në lidhje me këtë fenomen është se, me një grua të moshës së saj, ata e dinë që do të gjejnë gjithmonë diçka për të ngrënë në frigorifer dhe një person që do t’i pyesë se si u shkoi dita. Por edhe pse nuk e rrëfen vetë, divorci me bashkëshortin e saj, një njeri që e dashuronte, e ka goditur shumë më tepër nga sa ajo pranon. Sipas mikeshave të afërta, e gjithë bota për një çast sikur ju shemb dhe Sharon filloi të kishte dyshime mbi gjithçka, duke filluar që me pikën e saj të fortë, pamjen e jashtme. Për një kohë të gjatë vetmia, dyshimet dhe vetëdyshimet e depresionuan. Dhe pikërisht në këtë moment ajo vendosi që të ndryshonte diçka në paraqitjen e jashtme: të bënte buzët, por pa pyetur më parë se çfarë po injektonte brenda kësaj pjese të trupit të saj. “Më dukej sikur askush nuk më donte, sikur isha plakur në mënyrë të parikthyeshme dhe se ndoshta po të bëja buzët, do të më përmirësohej pak humori. Divorci më bëri që të ndihesha e shëmtuar”, rrëfen Sharon, ndërsa përpiqet që të tregojë për ndjenjat që po e mbysnin para se të bënte ndërhyrjen me injeksion. “Por çfarë ferri përjetova kur pashë se masa që kisha marrë për të më ndryshuar gjendjen, në vend që të ma përmirësonte, ma përkeqësoi edhe më shumë. Buzët më ishin fryrë e transformuar në një mënyrë të tillë sa nuk po arrija të njihja veten para pasqyrës. Ishin bërë aq të fryra dhe aq jonatyrale, sa mbi to nuk qëndronte dot më as buzëkuqi. Dukesha si një bibë”. Që nga ajo kohë, Sharon ka shpallur luftë ndaj ndërhyrjeve plastike në fytyrë, duke i quajtur denatyralizuese. “E di që është e lehtë për një grua si unë me të cilën natyra ka qenë bujare për sa i përket anës së jashtme, por ajo çka unë provova kur pashë veten pas injeksionit, ishte një denatyralizim. Sot shumë gra që janë pjesë e botës së modës dhe spektaklit, pikërisht për shkak të këtyre ndërhyrjeve kanë humbur atë çfarë kanë më të çmuar, individualitetin e tyre dhe janë shndërruar në kopje të njëra-tjetrës, me të njëjtat tipare dhe paraqitje. Unë personalisht jam kundër krijimit të kësaj ushtrie njerëzish me forma të njëjta, ku e veçanta sulmohet dhe luftohet me bisturi dhe me ndërhyrje kirurgjikale”, thotë aktorja.
Ndërsa për sa u përket ndjenjave të saj për ish-bashkëshortin, një gjë është e vërtetë, që kjo ndarje i ka dhembur dhe deri në një farë mase vazhdon që t’i dhembë edhe sot. Ajo nuk ka folur kurrë hapur në lidhje me shkaqet që e çuan drejt divorcit me një njeri me të cilin u martua me një dashuri të madhe. “Unë u martova me të duke u nisur nga qëllimet më të mira të mundshme, për të nderuar një marrëdhënie të mrekullueshme, dhe ndarja më shkatërroi. “Vetëm kur u ndava e kuptova në fakt se sa shumë e kisha dashur dhe kjo ndjenjë më bën shpesh të qaj. Ndonjëherë jemi shumë kokëfortë për të pranuar që ndajmë një ndjenjë të lartë si dashuria me dikë dhe na duhet humbja e tij që të kuptojmë se sa shumë e kemi dashur dhe se në fakt ajo që na lidhi dhe na mbajti bashkë, ishte dashuria. Ndaj do t’ju jepja të gjithëve një këshillë: mos kini droje apo turp për të dashur dhe për ta shprehur një gjë të tillë me zë të lartë dhe në kohën e duhur, sepse kur të kujtoheni, mund të jetë tepër vonë dhe do t’ju brejë brenda vetes për një kohë të gjatë”.