Godo: “Paketë propozimesh Kuvendit, për mungesat në spitale”
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se do të hartojë një paketë ligjore që do të përmbajë të gjitha mungesat që ka në spitale. Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Durrësit, ajo është njohur me mungesat në medikamente, me korrupsionin që ndodh në shëndetësi, por edhe me mungesën e cilësisë së shërbimit. Ministrja e ka cilësuar periudhë krize mungesn e gjatë të medikamenteve në spital. Por ajo ka marr parasysh edhe ankesat e pacientëve që detyrohen t’iu japin ryshfete mjekëve për çdo rast sëmundjeje. Kjo e bën mjekun më të largët me profesionin e tij dhe me qytetarët. Për këtë, Godo theksoi se do të marrë masa të rrepta, të cilat do të jenë pjesë e paketës ligjore që premtoi se do të hartojë dhe se në muajin shtator do t’i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë. Për ministren Godo, reforma në sistemin mjekësor duhet të bëhet me hapin e duhur për të mos gabuar me emërimet politike, por duke i mëshuar cilësive profesionale të drejtuesve. Ajo vlerësoi infrastrukturën e spitalit të Durrësit, duke cilësuar se në të ardhmen ky spital mund të jetë një Qendër Universitare me të gjithë elementët e saj. Ministrja Godo premtoi se specialistëve do t’i vihen së shpejti në dispozicion aparaturat e nevojshme që mungojnë dhe që i shërbejnë shëndetit të qytetarëve. Godo zhvilloi disa takime me autoritetet vendore, gjatë të cilave u diskutua për problematikat e shëndetësisë në qytetin bregdetar. Gjatë takimit të organizuar në mjediset e prefekturës ajo kërkoi më shumë informacion lidhur me decentralizimin e sistemit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi për qytetarët.
Dhuna ndaj fëmijëve, numër telefoni për denoncimin e rasteve
Fëmijët dhe adoleshentët e dhunuar tashmë kanë të drejtën e tyre për t’u mbrojtur duke denoncuar rastet e dhunës. Projekti është parashikuar të nisë nga muaji janar i vitit të ardhshëm ku do të mund të denoncojnë rastet e abuzimit ndaj tyre në numrin 116, i njëjti numër që afrohet për këtë qëllim dhe nga vende të tjera të Evropës. Funksionimi i kësaj linje është një nismë e UNICEF-it dhe Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA). Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë (AKEP), ka vendosur në dispozicion të Linjës Kombëtare për Fëmijët në Shqipëri, numrin e telefonit të harmonizuar Europian 116. Linja Kombëtare e Fëmijëve do të hapet formalisht në shtator 2008 dhe në fillim të janarit të vitit të ardhshëm ajo do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet telefonatave të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria në mënyrë të kualifikuar dhe pa pagesë, 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës. Altin Hazizaj, drejtori i CRCA-së, u shpreh se linja kombëtare do të jetë përgjegjëse për dhënien e shërbimeve në tre numra telefoni: 116000, 116111 dhe 116123 për të gjithë fëmijët që ndodhen në Shqipëri, pavarësisht nga kombësia e tyre. Ndërsa Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, e cilësoi këtë nismë një risi që përkon me politikat e programit të Qeverisë dhe me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Fëmijëve dhe konventave ndërkombëtare.
Në mesin e muajit qershor të këtij vitit Këshilli i Evropës hapi në Zagreb të Kroacisë fushatën kundër dhunës ndaj fëmijëve, një fushatë dy vjeçare, që synon të kriminalizojë qoftë dhe një shuplakë ndaj kësaj shtrese të shoqërisë.
15 Gusht 2008