E Diel, 1 Nëntor 2026

Psikiatria nuk plotëson kushtet e sigurisë për personelin mjekësor



Emanuela Sako

Spitali i Psikiatrisë nuk plotëson kushtet e sigurisë për personelin dhe pacientët. Mjekët deklarojnë se ndihen të frikësuar për shkak pacientëve apo personave që mund të hyjnë gjatë natës në godinë. Në shërbim të sigurisë së tyre nuk është asnjë roje sigurie gjatë orëve të natës, ndërsa gjatë ditës është vetëm një roje në shërbim të pacientëve dhe personelit. Por mjekët pohojnë se ka pasur mjaft raste kur ata janë kërcënuar nga pacientët në momentet e krizës apo nga persona që hyjnë dhe dalin në klinik. Gjatë orëve të natës në Spitalin e Psikiatrisë asnjë nuk ka roje sigurie për personat që hyjnë dhe dalin. Në këtë klinikë gjatë këtij orari mund të hyjë dhe të dalë kushdo, qoftë edhe për të kërcënuar me mjete të forta. Spitali është restauruar para pak kohësh dhe gjithçka është zhvendosur në këtë klinikë, pasi mjetet dhe pacientët ishin zhvendosur për shumë kohë në urgjencën e Psikiatrisë. Kushtet në këtë urgjencë kanë qenë tepër problematike, si për sigurinë dhe për kushtet e qëndrimit. Aktualisht, dyert e psikiatrisë janë bërë të blinduara dhe në to mund të hyhet vetëm me kartë.
Siguria
Mjekët shprehen se problemi i sigurisë është një ndër çështjet më problematike. Pasi një spital i tillë, ku qëndrojnë pacientë që kanë probleme të mëdha, ata mund të jenë në një moment tepër të rrezikshëm. Prandaj ata ndihen të rrezikuar. Sipas tyre, shpeshherë u është dashur të bëjnë kërkesë për shtimin e personelit, por aktualisht kjo gjë nuk është zbatuar. Gjatë natës dyert e psikiatrisë janë të hapura për këdo. Aty mund të hyjë kush të dojë dhe mund të bëjë çfarë të dojë dhe më pas të largohet i lirë. Ndërkohë që mjekët pohojnë se duhet të paktën një roje gjatë natës, i cili të jetë i pajisur me të gjitha mjetet që i duhet një roje sigurie. Pasi ky duhet të jetë i vetmi spital i një sigurie më të lartë se të tjerët.
Pacientët
Në këtë spital, aktualisht po trajtohen rreth 60 pacientë. Por mjekët flasin për kërkesa më të larta, ndërsa nuk mund t’i pranojnë pasi nuk kanë kapacitetet për të pritur një numër të tillë të lartë. Ata shprehen se të sëmurët vijnë vetë në spital për t’u kuruar dhe shumë pak prej tyre vijnë të shoqëruar nga të afërmit. Madje një pjesë e tyre marrin kurimin duke qëndruar disa kohë dhe më pas rikthehen përsëri. Një pjesë e pacientëve, përveç problemeve mendore e shohin edhe si një mundësi strehimi, pasi një pjesë e tyre janë të larguar nga familja dhe jetojnë në rrugë. Në momentin që ata paraqiten në spital janë të traumatizuar dhe mjekët përpiqen që t’i kenë nën kujdes të vazhdueshëm. Ndërkohë që vlerësojnë si tepër të domosdoshme krijimin e qendrave të trajtimit edhe pas daljes nga psikiatria. Kjo vlen për të gjithë pacientët sepse ata kanë nevojë për një trajtim të specializuar dhe nuk është e domosdoshme vetëm ngrohtësia në familje. Qendra të tilla në vendin tonë nuk ekzistojnë dhe kjo është një nga arsyet që pacientët rikthehen përsëri në psikiatri, pasi nuk kanë gjetur mënyrën e përshtatjes në ambientin e jashtëm dhe në shoqëri.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›