E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet: Abuzimi, nafta shitet 30% më shtrenjtë

Tatimorët bëjnë të ditur se deformimi i çmimeve të naftës në treg shkon deri në 30%

Mosreflektimi i çmimeve të naftës gjatë periudhave të uljeve në bursa është kontestuar nga tatimorët, që kanë akuzuar për kontrolle të çmimit në treg, kompanitë e importimit dhe tregtimit të karburanteve. Skema e përgatitur nga Ministria e Financave për të rregulluar abuzimet me çmimet në tregun e karburanteve, synon që ato të ulen me 20-30% në tregjet e shitjes me pakicë të karburanteve. Me anë të këtij udhëzimi, kërkohet që të kontrollohet çmimi në treg dhe të ulet spekulimi. Në bazë të udhëzimit të ri, përcaktohet që midis tregtarit dhe importuesit të naftës duhet të caktohet një çmim fiks për sasinë e naftës që do të tregohet. Në këtë mënyrë Ministria e Financave kërkon që të mbajë stabël çmimin e naftës në treg, për një kontingjent të caktuar të importuar.

Zëvendësdrejtori i Tatimeve, Hysen Munceku ka deklaruar për mediat se, "pas investigimeve të bëra është vënë re, se çmimet e deklaruara nga të gjitha hallkat e tregtimit, nga importuesi, deri tek tregtari i pakicës, kishin deformime të mëdha nga çmimet reale, ndërsa lëvizja e tyre, varion nga 20-30%". Pas kontrolleve në 11 ditët e para të muajit gusht, organet tatimore kanë gjobitur 40 biznese për moszbatim të ligjit "Për procedurat tatimore", në bazë të të cilit, bizneset detyrohen që të plotësojnë faturën tatimore për çdo mall që tregtojnë, apo dhe blejnë. Me këtë formë të re taksimi, grosistët e karburanteve do të detyrohen të deklarojnë çmimin për njësi, pasi akcizën dhe TVSH-në do ta paguajnë mbi bazën e çmimit të shitjes të karburanteve tek tregtarët e vegjël. Falë këtij rregullimi ligjor, aplikimi i skemës së re, parashikon tatimin e grosistëve të naftës në bazë të çmimeve për njësi. Sipas Muncekut, këto masa do të reflektohen së afërmi në treg, pasi kontrollet e organeve tatimore i janë drejtuar edhe tregut abuziv të karburanteve në vend. Që nga fundi i muajit korrik dhe në vijim, në të gjitha vendet e rajonit, vazhdojnë të raportohen ulje të çmimit të karburanteve, të cilat po arrijnë në më shumë se 10%. Në Tiranë, çmimi i Eurodiezelit këto ditë ka rënë vetëm me 5 lekë për litër dhe nga 170 lekë për litër që shitej deri në datën 5 gusht, vazhdon të mbetet i ngurtësuar në 165 lekë për litër, ndërsa ulja mbetet edhe më e vogël për Benzinën, nga 162 lekë/litër, në 160 lekë/litër. Edhe pse Shoqata e Hidrokarbureve vazhdon të premtojë ulje të çmimit të karburanteve, ulja e vijueshme e çmimit të naftës në bursa, nuk korrespondon me çmimet në tregjet shqiptare. Brenda 5 viteve të fundit, çmimet e karburanteve janë rritur mbi 70%, që edhe krahasuar me tregjet fqinje, rritja është shumë më e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›