E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ta mbrojmë lëkurën edhe në ditët e fundit të plazhit



Jonida Tashi

Edhe fundi i stinës së verës rezervon temperatura të larta dhe mundësi për t’iu drejtuar plazhit. Por edhe nëse këto ditë nuk i’u kanë munguar dhe do të donit të vazhdonin, duhet të vazhdoni të tregoni akoma kujdes për lëkurën tuaj.
Specialistët japin këshillat se si duhet ta shmangni djegien nëse e keni tejkaluar masën me banjot e diellit. Gabimi shpaguhet me skuqjen klasike të lëkurës: Lëkurë e kuqe dhe djegie, këto janë simptomat tipike. Nëse jeni djegur, nuk i’u mbetet të bëni gjë tjetër veçse të filloni të evitoni, derisa të shëroheni, qëndrimin në diell, kurse në zonën e acaruar mund të vendosni pomada që kanë në përbërjen e tyre kortizon. Nëse lëkura tek pjesa e gjoksit është e ënjtur, jep kruarje dhe fillojnë të shfaqen pikla të kuqe. Kjo nuk është thjesht skuqje, që në gjuhën mjekësore njihet me emrin eritemë, por bëhet fjalë për një farë alergjie që vjen nga dielli. Dhe, kjo mund të ndodhë edhe nëse ekspozoheni në diell qoftë edhe për pak minuta. Kjo lloj alergjie shërohet me pomadë me kortizon dhe nëse kruarja është e fortë, atëherë hyjnë në punë pomadat antihistamike.
Këshillat
Tre janë këshillat që japin specialistët dermatologë për të gjithë njerëzit që e kanë të vështirë të zgjedhin kremrat për lëkurën. Kështu, sipas tyre, kremrat duhet të jenë me vitamina C dhe E, si dhe me produkte qumështi. Gjithashtu, ata rekomandojnë që si në stinën e dimrit dhe verës, për t’u mbrojtur nga rrezet e dëmshme, të cilat në shumë raste shkaktojnë edhe kancer në lëkurë, duhet të përdoret kremi mbrojtës i lëkurës. Nga ana tjetër, sipas studimeve, rreth 90 për qind e rasteve me kancer në lëkurë shkaktohen kryesisht nga rrezet, sidomos ato ultravioletë, të cilat janë të dëmshme për të gjithë njerëzit dhe veçanërisht për fëmijët. Ai që shkon në plazh dhe në mëngjes lyhet me një krem mbrojtës me tregues 60, të mos mendojë se është i mbrojtur deri pasdite, ndoshta edhe pasi ka bërë banjo. Faktori mbrojtës llogaritet nga firma prodhuese në një situatë standarde, në të cilën nuk merret parasysh noti, djersitja. Kështu, është e qartë që kur kushtet ndryshojnë, edhe faktori mbrojtës zvogëlohet. Për të qenë të qetë duhet të jemi bujarë me dozat e kremit që vendosim në lëkurë, duhet të lyhemi çdo dy orë dhe gjithmonë pas banjos.
Problemet
Problem serioz për plazhistët dhe njerëzit që ekspozohen ndaj rrezeve të diellit janë djegiet e lëkurës. Ato nuk mund të shmangen ndryshe, përveç se me anë të përdorimit të solarëve, me mbrojtës me filtër të lartë. Është e këshillueshme që pas plazhit të përdoren kremra hidratues “pas diellit” për lëkurën, pasi nga plazhi lëkura thahet jashtë mase. Në raste djegiesh të thella, rekomandohen edhe preparate në formë xheli. As qëndrimi nën çadër nuk të mbron nga dielli, pasi edhe rëra, edhe gurët rrezatojnë. Probleme shkakton rrezatimi diellor edhe te nishanet mbi lëkurë. Njëlloj ndodh me njollat dhe qukat, prej të cilave ankohen shumica e njerëzve që vuajnë nga shfaqja me tepri e pullave të bardha mbi lëkurë, pa pigment. Zakonisht, për mykun dhe njollat rekomandohen preparate me ekstrakte bimore. Forcimi i rezistencës së organizmit duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo individi. Organizmi duhet që gradualisht t’u ekspozohet disa faktorëve dhe kushteve në të cilat e forcon rezistencën. Fortësimi i rezistencës së organizmit arrihet me shfrytëzimin e rregullt të faktorëve të jashtëm diellit, ajrit dhe ujit.
Ruajtja e ngjyrës
Pasi mbarojnë pushimet i vetmi kujtim që na mbetet është ngjyra që kemi marrë dhe si çdo vit ideja se dhe ngjyra do të largohet na trishton paksa. Ja disa këshilla për të qenë “të zeza” në një kohë sa më të gjatë. Fjala kyç është: hidratim. Për këtë vazhdoni të hani shumë fruta dhe perime dhe të pini të paktën një litër e gjysmë ujë çdo ditë për të hidratuar nga brenda lëkurën tuaj. Kur bëni banjë lëreni mënjanë sapunin e zakonshëm dhe përdorni produkte të veçanta që e hidratojnë në maksimum lëkurën si për shembull, vajrat.
Në qoftë se ju rripet lëkura mos hezitoni që ta fërkoni gjatë larjes për të larguar qelizat e vdekura. Ndryshe nga ajo që mendohet nuk do të heqë ngjyrën e lëkurës suaj, por do ta bëjë atë të ndritshme. Për këtë mund të përdorni dhe një peshqir të njomur, paksa të ashpër. Kujtohuni që ta hidratoni gjithmonë lëkurën në mbrëmje dhe në mëngjes dhe pas çdo dushi që bëni. Janë të këshillueshme kremrat hidratues dhe kremrat pas diellit që në të njëjtën kohë dhe e freskojnë lëkurën. Fytyra meriton një trajtim special. Trajtojeni fytyrën me produkte delikate dhe aplikoni rregullisht (dhe çdo dy ditë në qoftë se është e mundur) maska ushqyese. Në qoftë se në lëkurë fillojnë t’ju shfaqen disa njolla më të errtë se sa pjesa tjetër (janë shenja që ngjyra që keni marrë gjatë pushimeve po largohet) aplikoni në këto zona një krem zbardhues .

Rrezet e diellit
Rrezet e diellit në tërësinë e tyre përfshijnë disa lloje rrezesh. Ato ndahen në tri lloje:
Drita e dukshme, që na mundëson të shohim ngjyrat e objekteve
Rrezet infra të kuqe, që na japin ndjesinë e ngrohtësisë
Rrezet ultra violet
Drita e dukshme dhe ajo infra e kuqe, (në shumicën e rasteve) janë të pa dëmshme për shëndetin e njeriut, ndryshe nga rrezet ultra-violet UV, që përbëjnë një rrezik të madh. Brenda rrezeve ultra-violet dallohen tri tipe rrezesh:
UVA, ultra-violet A, me valë të gjata
UVA - nuk filtrohen nga atmosfera dhe nuk e përshkojnë xhamin. Ato sjellin një lloj bronximi, sipas llojit të lëkurës. Dikur cilësoheshin inofensive, por sot është provuar se ato janë të dëmshme.
UVB, ultra-violet B, apo ato që djegin lëkurën
UVB - një pjesë e tyre filtrohet nga atmosfera, nga shtresa e ozonit. Ato nuk e përshkojnë xhamin dhe shkaktojnë një bronxim të lëkurës, por dhe djegie të saj, duke sjellë si pasojë rrudha, plakje të përshpejtuar dhe kancer të lëkurës. Intensiteti më i madh i tyre është në orën 12.
UVC, ultra-violet C, me valë të shkurtra
UVC - filtrohen në atmosferë nga shtresa e ozoit para se ato të prekin tokën. Ato e djegin lëkurën dhe shkaktojnë kancer.
Kur rrezet ultra-violet prekin lëkurën, një pjesë e tyre reflektohen. Ajo që mbetet, shpërndahet në indet nën sipërfaqen e lëkurës. Një pjesë absorbohet nga qelizat e lëkurës, duke dëmtuar substancat e ndjeshme të saj.

Këshillat
Për të ruajtur lëkurën nga dëmtimet e rrezeve përdorni gjithmonë kremra, edhe në dimër edhe në verë
Ato duhet të jenë me përbërje frutash
Më të mira janë kremrat që kanë në përbërjen e tyre qumësht dhe portokall
Gjithashtu efikase dhe mbrojtës nga rrezet janë edhe kremrat me vitaminë C dhe E
Kremi duhet të përdoret 20 minuta para se të dilni nga shtëpia edhe dimër edhe në verë
Në verë filtrat e mbrojtës që përmban kremi duhet të jenë më të mëdha
Nga ora 10-16 duhet të evitohet dalja në rrugë dhe kontakti me diellin

Të rejat nga shkenca/ Vezët ndihmojnë dobësimin

Një studim i realizuar te personat me mbipeshë, të cilët kanë konsumuar vezë, ka treguar se vezët ndihmojnë në dobësim te personat të cilët janë në dietë. Pjesëmarrësit janë ndarë në katër grupe: njëri grup ka ngrënë dy vezë për mëngjes, grupi tjetër ka ngrënë dy vezë të cilat kanë qenë pjesë e dietës me kufizim të konsumimit të kalorive dhe yndyrës, grupi u tretë ka ngrënë biskota, ndërsa i katërti ka konsumuar biskota si pjesë e dietës me kufizim të konsumimit të kalorive dhe yndyrës. Pas tetë javësh, personat të cilët kishin konsumuar vezë në mëngjes si pjesë e dietës me kufizim të konsumimit të kalorive dhe yndyrës kanë pasur peshë më të vogël trupore në krahasim me grupet tjera.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›