E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, Koeficientet e reja të indeksimit

18/12/2008  Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme treguesit për pensionet nga 1 janari 2008

Koeficienti është përcaktues për nivelin e pensionit që përfitohet

Qeveria miratoi dje koeficientet e indeksimit për bazën e vlerësimit vjetor për llogaritjen fillestare të pensioneve. Ky është një vendim që Qeveria e merr çdo fundviti. Edhe në nëntor të vitit të kaluar është ulur koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor financiar. Por ky vendim i marrë dje në mbledhjen e Qeverisë shfuqizon vendimin për përcaktimin e koeficienteve të indeksimit të nëntorit të vitit të kaluar.

Koeficientet

Koeficienti është përcaktues për nivelin e pensionit që përfitohet. Kështu paga referuese do të shumëzohet me indeksin përkatës. Dhe në bazë të saj llogaritet pensioni për ata që do të dalin nga 1 janari 2008. Siç dihet, për llogaritjen e pensionit merren 3 vite të 10 viteve të fundit për të cilin punëmarrësi ka paguar kontributet. Sipas ekspertëve, koeficientet e indeksuar të pagave që rriten nga viti në vit sjellin rritje të përqindjes përfituese për pensionistët që do të marrin të drejtën pas këtij vendimi. Llogaritja e koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar individuale të çdo kontribuesi është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet e evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 2005, 2006 dhe 2007 dhe mbi bazën e të dhënave statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve.

Mënyra e llogaritjes

Ekspertët shpjegojnë mënyrën e llogaritjes së masës së koeficienteve. Sipas relacionit, duke pjesëtuar të ardhurat nga kontributet me numrin e kontribuesve për çdo vit, del ngarkesa vjetore mesatare e kontributeve për çdo kontribues. Kjo ngarkesë e kontributeve, e vënë në raport me ngarkesën mesatare të vitit pararendës, jep indeksin e rivlerësimit të pagave mbi të cilat janë derdhur kontributet. Për të përcaktuar koeficientet e indeksimit sipas viteve në fund të vitit të kaluar u konstatua se ngarkesa mesatare vjetore e kontributeve ishte më e ulët se vitet e mëparshme. Kjo për shkak se në vitin 2006 norma e kontributit u reduktua me 9 pikë ose me rreth 25%. Ekspertët shpjegojnë se duke pasur parasysh koeficientin e llogaritur si më sipër për të gjithë personat që dalin në pension nga 1.1. 2006 e në vazhdim, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1.1. 1994 dhe deri në momentin e lënies së punës, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para datës 1.1.1994, do të rivlerësohen radhazi duke u shumëzuar me këtë koeficient.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›