E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: “Siguria në punë, duhet të rriten kontrollet shëndetësore”



Siguria në punë është një çështje ende e pazgjidhur, ku jeta e punëtorëve shpeshherë është e rrezikuar. Autoritetet shëndetësore kanë bërë disa studime dhe kanë vlerësuar si të nevojshme kryerjen e kontrolleve për të siguruar shëndetin e punëtorëve.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u shpreh se duhet të shtohen kontrollet për të rritur jetëgjatësinë e punëtorëve. “Parandalimi parësor përmes zbatimit të rregullave për mbrojtjen e shëndetit në punë, bashkërenduar me kujdesin shëndetësor për punonjësit bën të mundur që jetëgjatësia mesatare e punëmarrësve te jetë e barabartë me ata të komunitetit përkatës ku jetojnë”,- u shpreh Godo. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me atë të Punës dhe institucione të tjera të vendit dhe të huaja, është duke punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor që prek çështjen e shëndetit në punë, në përafrim me direktivat e Bashkimit Europian. ISHP-ja ka kryer disa monitorime në në disa kompani ku ka rezultuar një rritje e përgjegjshmërisë së kompanive ndaj jetës së punonjësve. Por përsëri situata mbetet problematike dhe e pa sigurt. Shëndeti në punë është i lidhur ngushtë me shëndetin publik, pasi faktorët e dëmshëm në mjedisin e punës, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, ushtrojnë ndikim në mirëqenien fizike dhe ekonomike të familjeve në punë. Ministrja Godo theksoi se ulja e produktivitetit si pasojë e dëmtimit nga faktorë që lidhen me mjedisin dhe proceset e punës, mund të shkaktojnë një dëm ekonomik që llogaritet në një përqindje të prodhimit të brendshëm bruto. “Faktorë fizikë, ekonomikë, biologjikë, si dhe psikosocialë, kërcënojnë shëndetin e punonjësve. Kontrolli i këtyre faktorëve parandalon dëmtime, paaftësi dhe vdekje të parakohshme. Pra, parandalimi parësor, përmes zbatimit të rregullave për mbrojtjen e shëndetit në punë, bashkërenduar me kujdesin shëndetësor për punonjësit, bën të mundur që jetëgjatësia mesatare e punëmarrësve të jetë e barabartë me atë të komunitetit përkatës”,- deklaroi Godo.

Ndotja e Liqenit artificial, qytetarët nuk duhet të lahen

Rezultatet përfundimtare të kryera nga ISHP-ja, dalin në përfundimin se ujit i Liqenit Artificial të Tiranës është ende i ndotur. Specialistët theksuan se asnjë qytetar nuk duhet të lahet në të. Megjithëse përjashtuan faktin e zbrazjes së ujit të liqenit, pasi parametrat kanë ardhur drejt përmirësimit, pavarësisht se ende nuk duhet që qytetarët të kenë kontakt me ujin për arsye sigurie. Njëkohësisht, ata bënë të ditur se nuk ka më probleme për zhdukjen e gjallesave nga liqeni. Kështu, përbërësit ndotës në ujë kanë ardhur duke e humbur efektin e tyre dhe për pasojë niveli i lëndës së ngurtë dhe amoniakëve është ulur ndjeshëm. Speciet ujore që ndodhen në liqen nuk janë më të rrezikuara. Persona të panjohur kanë ndotur Liqenin me bojëra hidromat, dy javë më parë. Çka shkaktoi alarm për rrezikun e ndotjen dhe tharjen e Liqenit për ta sjellë në gjendjen e mëparshme.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›