E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikin italianët, “Transplantimet” në pikëpyetje mungojnë fondet për operacionet

Sulçebe: ”Kemi vetëm për 3 muaj reagentë dhe materiale konsumi”.

Emanuela Sako

Me përfundimin e projektit italian për operacionet me transplantim ende nuk është përcaktuar vazhdimi i tyre. Mungesa e fondeve për të tilla operacione që përveç rëndësisë kanë dhe një kosto të madhe ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e tyre. Shefi i Labortorit Imunologjik në QSUT, Genc Sulçebe, tregoi dje për gazetën “Albania” se aktualisht projekti për kryerjen e transplantimet nga pala Italiane ka përfunduar dhe fondet për përballimin e situatës nuk janë përcaktuar ende. Sulçebe shprehet se çështja është në proces diskutimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së për përcaktimin e një fondi të caktuar për vazhdimin e punës. Drejtoria e QSUT-së ka premtuar se një zgjidhje është përdorimi të ardhurave dytësore të QSUT-së. Por, Sulçebe shprehet se nuk është e mundur mbulimi i shpenzimeve vetëm nëpërmjet të ardhurave dytësore. Të ardhurat dytësore do të menaxhohen nga spitalet, nga reformat që kanë nisur për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në spitalet e mëdha si QSUT-ja.
Çështja
Shefi i Laboratorit të Imunologjisë shprehet se kryerja e transplanteve ka një kosto të lartë shpenzimesh, çka duhet detajuar mirë për gjendjen financiare dhe ecurinë e punës. Të ardhurat duhen për blerjen e reagentëve të ndryshme dhe materialeve të zakonshme të konsumit në këtë Laborator etj. Aktualisht, në masat e marra parashikohen të shkojnë deri në 3 muaj, të cilat janë nga fondet e financuara nga KE-ja, në kuadër të projektit Interreg 3. Për kryerjen e transplanteve janë përgatitur mjekët dhe ambiente nga 3 shërbimet kryesore, si Laboratori Imunologji, Shërbimi i Urologjisë dhe Shërbimi i Nefrologjisë. Aktualisht do të vazhdohet të kryhen operacione me pjesëmarrjen e specialistëve italianë dhe atyre shqiptarë. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale kanë marrë pjesë mjekë shqiptarë dhe specialistët italianë. Ekipi i mjekëve shqiptarë është i përbërë nga 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, si dhe nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit. Prej dy vitesh mjekët shqiptarë u specializuan në spitalet italiane, ku asistuan në disa operacione të tilla. Ndërhyrjet kirurgjikale u mundësuan në kuadër të Programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Europian.
Transplantimet
Specialistët e Nefrologjisë kanë raportuar për një shtim të personave të prekur nga sëmundja e veshkave, ku regjistrohen rreth 450 raste të reja në vit. Specialistët bëjnë të ditur se sëmundja kronike e veshkave karakterizohet nga humbja graduale e funksionit të veshkave që vjen duke u përkeqësuar nga grada e parë deri në të pestën, që është dhe shkalla më e rrezikshme. Në stadin e pestë pacientët kanë nevojë për procedurat e dializës ku funksionin e veshkave e zëvendësojnë aparaturat përkatëse, ose për transplantim të veshkave. Një nga komplikacionet më të shpeshta të sëmundjes kronike të veshkave është anemia. Në vendin tonë me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorësh, incidenca e pacientëve që kërkojnë këtë trajtim, është mesatarisht 50 raste në vit. Qendrat e dializës janë të vendosura në katër qytete Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër. Sëmundjet kronike të veshkave dhe rreziku i vdekshmërisë janë të lartë edhe në vendin tonë.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›