E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat e pagesës së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë

Dega e thesarit jep shpjegimet sipas kategorive që përfaqësojnë. Çfarë duhet të bëjnë trashëgimtarët kur ish-i përndjekuri ka ndërruar jetë

Laureta Rryçi

Tiranë - Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, së cilës i është lënë dhe përgjegjësia e shpërndarjes së dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit, zbardh procedurat që duhet të ndjekin përfituesit. Fillimisht këto procedura duhet t’i ndjekin 1100 të përndjekurit që janë shënuar në listën e parë për të përfituar dëmshpërblim dhe më pas të gjitha dosjet që përfundojnë së shqyrtuari nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Drejtorisë së Thesarit, është Ministria e Drejtësisë që në bazë të ligjit ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkëngjitur në Ministrinë e Financave për pagesë.
Verifikimi për përfitimet e mëparshme të ish-të dënuarve është informacion i dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga Ministria e Financave për shumat në letra me vlerë dhe lekë përpara vitit 1997. Ky informacion është marrë nga ish-Banka e Kursimeve (sot Raiffeisen Bank) dhe për këtë Ministria e Financave komunikon direkt me Ministrinë e Drejtësisë. Këto përfitime, sipas ligjit, i raportohen Ministrisë së Drejtësisë dhe në mungesë të tyre kjo e fundit merr për bazë vetëdeklarimet e personave.
Komunikimi
Për këtë çështje Ministria e Financave nuk ka në detyrim apo funksion të japë sqarime individuale, pasi jo vetëm është i qartë përcaktimi që i bën ligji, por edhe praktikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë. Prandaj, komunikimi do të jetë vetëm shkresor. Në rast se ish-të dënuarit kanë vërejtje për përfitimet e mëparshme, gabime të mundshme etj., do t’i drejtojnë kërkesë zyrtare Ministrisë Drejtësisë për korrigjime të mundshme nëse rezulton një gjë e tillë. Ministria e Financave ndjek procedurat e pagesës vetëm pasi ish-i dënuari është përfshirë në listën e VKM-së dhe nuk ka asnjë kompetencë apo funksion për procedurat përpara daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave për pagesat individuale. Pra, Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit) është ngarkuar për të ndjekur vetëm pagesën sipas VKM-së duke depozituar direkt në llogaritë personale të ish-të dënuarve ose të trashëgimtarit (trashëgimtarëve) kur ish-i dënuari nuk jeton.
Ish-i përndjekuri jeton
Pasi është siguruar që emri i ka dalë për pagesë në VKM, i dënuari politik duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme; e para është që të depozitojë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat; Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, NBG, BKT, Banka e Tiranës, Union Bank, Banka Ndërkombëtare e Tregtare. Pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. E dyta, të dërgojnë me postë këtë numër llogarie??????????? në emër të tyre në adresën; Ministria e
Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Është kusht i domosdoshëm
për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare. Dhe e treta, për personat me dënim kapital dhe që trashëgimtarët janë listuar në VKM-në nr. 1699, datë 29.12.2008. a. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e listuara në pikën 2 (a). Pra të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
b. Veprimet për rastet sipas pikës 3 (a) mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për
pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.

Kur ish-i përndjekuri nuk jeton ose ka vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblimin

Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të
tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente;
• Certifikatë vdekje të ish-të dënuarit
• Certifikatë të trungut familjar
• Dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik
• Prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet
• Numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura.
b. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës më të gjithë trashëgimtarët ligjore sipas Nenit 8, pika 1, të Ligjit nr. 10111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.
Po bëhen të gjitha përpjekjet për të proceduar sa më shpejt me pagesat. Për këtë së shpejti do të ketë një sektor i posaçëm që do të ndjekë këtë procedurë këtë vit dhe në vazhdim. Në vazhdimësi informacioni do të jetë afishuar pranë degëve të thesarit, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave si dhe pranë shoqatave të ish-të dënuarve politikë.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›