Godo: “Të larguarit e PD-së, kosto të konsiderueshme elektorale”
Partia Demokratike përgatitet për zgjedhje mes pakënaqësive. Largimet e të pakënaqurve pritet të sjellin kosto të konsiderueshme elektorale. Fakti është aq i dukshëm, sa nuk mohohet dot as nga vetë e djathta, siç konfirmon Sabri Godo. “Të larguarit do t’i sjellin një farë dëmi Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Deri ku do të shkojë dëmi, askush nuk mund ta thotë. Por sigurisht që nuk mund të thuhet se i bën mirë PD-së lënia jashtë listës së kandidatëve e disa figurave si Mustafaj, Biberaj, Zogaj e ndonjë tjetri”, - është shprehur Sabri Godo. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u bën thirrje të pakënaqurve të PD-së që të bashkohen me Polin e Lirisë. Sipas Ndokës, është mirë që PD-ja të reformohet dhe të mos bëjë gabimet e së kaluarës. Ai shprehet i bindur se politika shqiptare nuk duhet të vazhdojë të jetë bipolare. “Duhet ndryshuar PD-ja për gafat e bëra gjatë së kaluarës. Sot është moment krejt tjetër, shqiptarët zgjedhin alternativën dhe nuk votojnë për një parti, për një lider, po kërkojnë realitete të tjera në politikë”, - është shprehur Ndoka.
25 Maj 2009