E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit që morën dënim kapital

Si do të përllogaritet dëmshpërblimi për këtë kategori të dënuarish politikë. Çndodh në rastet kur ish-i përndjekuri nuk jeton më, si bëhet tërheqja e parave

Laureta Rryçi

Tiranë - Ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve ka përcaktuar se familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Falë këtij përcaktimi, të gjithë të dënuarit politikë që kanë emrin në listë do t’u përllogaritet dëmshpërblimi në bazë të formulës së mësipërme. Edhe kjo kategori nuk do të përjashtohet nga rregulli. Nëse kanë marrë dëmshpërblime të mëparshme në letra me vlerë ose pasuri të paluajtshme, do t’u bëhet zbritja e shumës përfundimtare.
Përllogaritja
Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë me disa institucione të tjera shtetërore për të nxjerrë faturën financiare që do të përfitojë çdo ish-i përndjekur politik. Konkretisht, bashkëpunimi do të jetë me Ministrinë e Financave, Entin Kombëtar të Banesave dhe Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, të gjithë të dënuarve politikë që kanë përfituar dëmshpërblime nga ligje të mëparshme, shuma e përfituar do t’u zbritet në dëmshpërblimin e tanishëm, që pritet të shpërndahet për secilin. Përfitimet do të llogariten edhe nëse janë marrë në formën e lekëve, letrave me vlerë apo në formën e pasurisë së paluajtshme. Vendimi ka përcaktuar se do të ketë dy formularë për ata që kanë përfituar në lekë dhe në letra me vlerë, si dhe për ata që kanë përfituar në pasuri të paluajtshme. Ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre, që pretendojnë të përfitojnë dëmshpërblim, duhet ta plotësojnë formularin me të dhëna të sakta, pasi rrezikojnë të përballen me ligjin për të dhëna të rreme. Madje jo vetëm kaq, por vendimi ka përcaktuar që ish-i dënuari humbet çdo të drejtë për të përfituar dëmshpërblim nëse deklaron të dhëna të rreme. Vendimi ka përcaktuar rregulloren për përfituesit që ndodhen brenda dhe jashtë vendit. Për ata që ndodhen brenda vendit ka përcaktuar si institucion për formularët e vetëdeklarimit Postën Shqiptare, ndërsa për përfituesit që janë jashtë vendit do të komunikohet nëpërmjet shërbimit konsullor në shtetin ku ndodhen.
Kur ish-i përndjekuri nuk jeton
Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar procedurë më vete për tërheqjen e dëmshpërblimit për ato raste kur ish-i përndjekuri nuk jeton. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë Degës së Thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente: certifikatë vdekje të ish-të dënuarit; certifikatë të trungut familjar; dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik; prokurë ku autorizohet një person për të bërë veprimet; numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura.
Pas kryerjes së kësaj procedure pagesa do të vijojë normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës me të gjithë trashëgimtarët ligjore sipas Nenit 8 pika 1 të Ligjit nr. 10111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.

Box
Tërheqja e dëmshpërblimit kur ish-i përndjekuri jeton
Pasi është siguruar i dënuari politik se emri i ka dalë për pagesë në VKM, duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme;
E para, të depozitojë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat; Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, NBG, BKT, Banka e Tiranës, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare. Pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. E dyta, të dërgojnë me postë numrin e llogarisë në emër të tyre në adresën: Ministria e
Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave procedon pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Është kusht i domosdoshëm
për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare. Për personat me dënim kapital dhe që trashëgimtarët janë listuar në VKM-në nr. 1699, datë 29.12.2008. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e listuara. Pra të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit,
Tiranë. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.

Box
Kriteret për të përfituar dëmshpërblim

I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

Të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.

Heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në Nenin 5 të këtij ligji.

Të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht.

Të kenë fituar pafajësinë, sipas Ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar.

Sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë.

Box
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë
Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë do të jetë si më poshtë:
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë.
Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë.
Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›