E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërheqja e Sami Gjergjit, banorët e Sukthit protestojnë para PD-së

Banorët: Ne i kemi dhënë lekë 18 vjet PD-së dhe ata nuk merren dy minuta me ne. Erla Mëhilli: “Personat që u paraqitën nuk kishin kërkuar më parë takim”

Eljona Ballhysa
Tërheqja e deputetit të Partisë Demokratike Sami Gjergji nga kandidimi ka shkaktuar reagimin e elektoratit të tij të zonës elektorale të Sukthit. Dhjetëra banorë të kësaj zone kanë protestuar dje paradite para selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë. Ata kanë kërkuar takim me drejtuesit e lartë të PD-së për t’u ankuar për tërheqjen e deputetit të tyre. “Ne i kemi dhënë lekë 18 vjet PD-së dhe ata nuk merren dy minuta me ne”, - janë shprehur banorët e pakënaqur për shkak se nuk janë pritur në takim nga drejtuesit e PD-së. Banorët janë shprehur se deputeti aktual Sami Gjergji ka punuar për zonën e tyre, prandaj duhet të jetë në një vend të sigurt në listën e deputetëve, në rast të kundërt, ata nuk do të votojnë për PD-në. Deputeti aktual, Sami Gjergji, u tërhoq nga kandidimi një ditë pas publikimit të listave të kandidatëve për deputet të PD-së, pasi vendi i nëntë në listën e Durrësit ishte një pozicion që nuk i siguronte atij mandatin e deputetit në Parlamentin e ardhshëm. Kjo është protesta e parë që zhvillohet nga një grup banorësh që përfaqësojnë një elektorat të pakënaqur të PD-së. Sipas banorëve, në rast se ata nuk do të marrin pjesë në votime, PD-ja e ka të humbur Sukthin. Nga ana tjetër, po gjatë ditës së djeshme, për këtë protestë ka reaguar zëdhënësja për shtyp e selisë blu. Në një deklaratë për medit, Erla Mëhilli bëri të ditur se “personat e paraqitur gjatë paradites së djeshme në PD nuk kishin kërkuar më parë takim me drejtuesit e strukturave të PD-së, por kanë preferuar që përçapjen e tyre ta bënin kryesisht publike nëpërmjet medias”.
Tërheqja
Biznesmeni Sami Gjergji deklaroi tërheqjen nga lista e deputetëve të PD-së për shkak se ishte vendosur në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Durrësit në vendin e nëntë. Ky pozicion është i pafavorshëm për t’i garantuar atij fitoren në Kuvendin e ardhshëm. Në bazë të Kodit të ri Zgjedhor, në qarkun e Durrësit dalin gjithsej 13 deputetë dhe pozicioni i nëntë në listë nuk ka shanse për të fituar mandatin e deputetit. Tërheqja e deputetit Gjergji nga kandidimi shënon rastin e parë të një kandidati që refuzon garën, ndërkohë që “tregon me gisht” përpjekjen e lidershipit të PD-së për të eliminuar atë që është quajtur nga kreu i PD-së, pakicën bllokuese të presidentit Topi në Kuvendin e ardhshëm. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sami Gjergji, në një deklaratë për media, akuzon për mungesë totale të vlerësimit të kontributeve të tij në Partinë Demokratike. “Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garën brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndier i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë. Për këtë arsye deklaroj se kam marrë vendimin për t’u larguar nga kjo garë politike. Të jesh apo jo pjesë e Parlamentit të Shqipërisë është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë ose kontributi real. Por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet, arrihet deri në dorëheqje”, - u shpreh ish-deputeti i PD-së, Gjergji.
Deputetët
Përveç deputetit Sami Gjergji, të tjera figura të PD-së ose janë lënë jashtë listës së kandidatëve, ose janë vendosur në vende të pafavorshme për të fituar. Lidershipi i PD-së duket se nuk e ka marrë aspak në konsideratë punën dhe kontributin e këtyre deputetëve në zonat e tyre elektorale. Pavarësisht se këta deputetë kanë punuar për katër vjet në zonën e tyre elektorale duke u ardhur në ndihmë banorëve dhe duke ndarë me ta problematikën sociale, lidershipi i PD-së ka vendosur të mos i garantojë mandatin e ardhshëm të deputetit. Përkundrazi, persona më pak të njohur dhe më me pak kontribute janë vendosur në krye të listës së PD-së. Protesta e banorëve të Sukthit tregon reagimin dhe pakënaqësinë e disa zonave të tjera elektorale, të cilëve nuk u është konfirmuar deputeti që i ka ndihmuar për katër vitet e kaluara.

Republikanët kandidojnë Shkëlqim Brushullin e “Big Brother 1”

Gjatë turit të tij të takimeve, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim në Zonën zgjedhore Nr. 48 në Tiranë, ku ka prezantuar si kandidat për deputet një nga ish-personazhet e “Big-Brother Albania 1”, Shkëlqim Brushullin. Gjatë fjalës së tij Mediu theksoi se “tashmë ne jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe kjo është një arritje historike për Shqipërinë. Përpara ne kemi sfida dhe projekte të tjera. BE-ja është një ëndërr e madhe e jona dhe këtë do ta realizojmë, të gjithë bashkë, duke vazhduar të punojmë me reforma të tjera të suksesshme dhe investime të mëtejshme, për një jetë më të mirë, për një ekonomi më të zhvilluar dhe më stabël, për të arritur edhe më tej standarde europiane”, - përfundoi kreu republikan.

Aldo Bumçi përshëndet Kongresin e PLL-së: “E djathta do të fitojë”

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Tiranë, Aldo Bumçi, u shpreh i sigurt e transformimi i jetës së shqiptarëve në këto katër vite do të sjellë fitore të koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit. I pranishëm në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Lëvizja e Legalitetit, pjesë e koalicionit të djathtë "Aleanca e ndryshimit", që drejtohet nga PD-ja, Bumçi tha se “PD-ja doli fituese dhe në zgjedhjet vendore të 2007-s, në të 12-të qarqet e vendit, edhe pse në atë kohë ende nuk ishin dyfishuar rrogat e arsimtarëve, mjekëve, pensionistëve në fshat dhe në qytet. Në atë kohë ishim akoma një vend me krizë energjetike, ndërsa sot jemi eksportues të energjisë dhe me 120 kontratat e firmosura për ndërtimin e hidrocentraleve do ta kthejmë Shqipërinë në një pasuri të madhe energjetike në Ballkan”, - është shprehur Bumçi. Duke shprehur sigurinë se PD-ja dhe aleatët e saj do të fitojnë zgjedhjet e 28 qershorit, Bumçi theksoi se përballë koalicioni i djathtë ka kundërshtarë që nuk e meritojnë të qeverisin, pasi kryetari opozitës është ngujuar në bashki dhe nuk del të kandidojë.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›