E Diel, 1 Nëntor 2026

BE “kryqëzon” Berishën për Gërdecin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe medietNga Tema Komisioni Evropian bëri dje publik Progres-raportin për Shqipërinë për periudhën nga tetori i vitit që shkoi deri në shtator të këtij viti. Të dhëna

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

BE “kryqëzon” Berishën për Gërdecin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe medietNga Tema

Komisioni Evropian bëri dje publik Progres-raportin për Shqipërinë për periudhën nga tetori i vitit që shkoi deri në shtator të këtij viti.

Të dhënat janë një goditje e fortë për qeverisjen në vendin tonë. Në një kohë kur priten përgjigje për liberalizimin e vizave apo për aplikimin për në BE, qeverisja merr kritika. Vetëm në disa fusha theksohet se Shqipëria ka shënuar pak progres, ndërsa për shumë të tjera nuk thuhet asgjë për përparim.

Maqedonia ka shënuar dje një sukses, pasi ka arritur të marrë një sinjal për të hapur negociatat për anëtarësim. Edhe Kosova ka marrë përkrahje për të nisur negociatat për të fituar nga liberalizimi i vizave.

Për Shqipërinë thuhet se zgjedhjet nuk plotësuan potencialin e vendit për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu procesi i numërimit të votave u politizua.

Raporti vëren se në Shqipëri mungon dialogu politik, mjaft i rëndësishëm për vendin. BE kërkon që ky raport të rivendoset, për shkak se reformat kanë nevojë për këtë raport.

Raporti thekson fort ndërhyrjen e qeverisë te drejtësia dhe kërkon që Gërdeci të zbardhet plotësisht dhe të gjithë fajtorët të shkojnë para drejtësisë. Raporti flet për Fatmir Mediun, edhe në rastin kur analizohet qeverisja e re, por dhe në rastin e Gërdecit. BE kërkon gjithashtu që të hiqet imuniteti i deputetit, si dhe thekson nevojën e hetimit të plotë për rastet e korrupsionit, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë.

Ajo çka është e rëndësishme gjithashtu është se kapacitetet administrative për të vënë në jetë infrastrukturën ligjore, por jo vetëm atë, që kërkon Bashkimi Evropian, janë tepër të dobëta. Para disa ditësh mediat e huaja theksonin se vetëm Serbia në rajonin tonë kishte kapacitetet administrative për të çuar përpara procesin e integrimit.

Shqipëria nuk merr notë kaluese në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe liritë e të drejtat e njeriut. Raporti vëren se mediat kanë rritur kapacitetet investiguese, por po sulmohen nga qeveria në mënyrë selektive, duke përmendur dhe nxjerrjen e gazetës “TemA” nga ambientet e saj.

Problemi i pazgjidhur i pronave theksohet në raport, gjithashtu dhe të drejtat e minoriteteve dhe pakicave.

Kritika i bëhen dhe parlamentit dhe kapaciteteve të tij. Gjithashtu kërkohet që ai të jetë më transparent për sa i përket buxhetit.

Krimi i organizuar vazhdon të jetë kërcënim për vendin, thuhet në raport dhe është bërë një progres i kufizuar në luftën ndaj tij, pastrimit të parave dhe në luftën ndaj trafikut të drogës dhe kultivimit të saj. Raporti përmend dhe faktin që policia nuk futet dot në Lazarat, ku kultivohet hapur kanabis.

Raporti voluminoz prej gati 55 faqesh është i organizuar në kapituj që përmbajnë konkluzionet e Bashkimit Evropian në fusha të veçanta, që nga kriteret politike, ekonomike, sistemi gjyqësor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit apo liria e shprehjes, dhe për hartimin e tij janë përdorur shumë burime, qoftë nga qeveria shqiptare, apo përfaqësitë e vendeve anëtare të bllokut.

Raporti është prezantuar në Bruksel nga Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn dhe në Tiranë nga përfaqësuesi i KE, Helmut Lohan. Ai i është dorëzuar më pas autoriteteve në vend. Duke folur në Bruksel, Rehn tha se arritjet që janë bërë në rajon nuk janë të pakthyeshme. Duke folur për aplikimin e Shqipërisë ai tha se “Komisioni Evropian është gati të përgatisë opinionin e vet, porsa Këshilli t’ia kërkojë këtë gjë”. Në njoftimin e KE theksohet se “forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit siç duhet i institucioneve shtetërore mbeten sfida të mëdha”.

Gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit, Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, tha: “Strategjia e zgjerimit që po paraqesim sot është provë e zotimit tonë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në këto kohë të vështira krize ekonomike, aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim nxjerrin në pah fuqinë e vazhdueshme tërheqëse të Bashkimit Evropian dhe rolin tonë në nxitjen e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Aplikimi i Islandës i shton një dimension të ri kalendarit tonë të zgjerimit.”

Përmbledhje e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë

- Më 29 janar, parlamenti miratoi njëzëri një rezolutë, që i bënte thirrje qeverisë për të aplikuar për anëtarësimin në BE. Në këtë tekst Shqipëria angazhohej për të kryer zgjedhje të lira dhe të drejta parlamentare dhe për të përafruar legjislacionin e saj me BE.

- Kultura e dialogut mes partive kryesore politike është përkeqësuar para zgjedhjeve. Kjo pengoi përparimin e reformave në fusha kyçe, siç është gjyqësori.

- Pati debate për miratimin e Kodit Zgjedhor, që vijuan me një grevë urie të disa partive që e kundërshtuan atë.

- Në përgjithësi, dialogu politik, një përparësi kyçe të Partneritetit Evropian, ka nevojë të kthehet në rrugën e duhur.

- Parlamenti ende nuk e ka adresuar çështjen e miratimit të disa rregullave që do të kufizonin imunitetin e anëtarëve të tij.

- Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u vlerësua nga OSBE/ODIHR se plotësonin shumicën e angazhimeve të OSBE, ndërsa nuk arritën të realizonin plotësisht potencialin e Shqipërinë për të arritur standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike. Progres i prekshëm u bë për sa i përket identifikimit të zgjedhësve, kuadrit ligjor, por politizimi i proceseve teknike, siç është numërimi i votave, mbetet për t’u adresuar në zgjedhjet e ardhshme.

- Pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit erdhi një qeveri e re koalicioni, që përfshiu edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Republikane. Partia Republikane siguroi postin e ministrit të Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave, duke u përfaqësuar me kreun e saj Fatmir Mediu. Z. Mediu ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e mëparshme dhe dha dorëheqjen pas shpërthimit të një fabrike demontimi të municioneve në Gërdec, në mars 2008. Gjykata e Lartë pushoi çështjen penale ndaj Mediut pas rizgjedhjes së tij si anëtar i parlamentit.

- Marrëdhëniet midis institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë të vështira. Vihet re një tendencë nga ekzekutivi që të ushtrojë kontroll mbi institucionet e pavarura, veçanërisht ndaj gjyqësorit.

- Ligj i lustracionit u miratua nga parlamenti në dhjetor të vitit 2008, edhe pse ishte këshilluar konsultim më i gjerë dhe konsensus para votimit. Zbatimi i ligjit të lustracionit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe ligji është në shqyrtim.

- Raporti vëren se pak progres është bërë në zbatimin e Planit Kombëtar për zbatimin e MSA dhe një bazë të dhënash e besueshme për përafrimin e legjislacionit është zhdukur. Hyrja në fuqi e MSA në prill nuk u shoqërua nga një forcim i kapacitetit administrativ për monitorimin e angazhimeve të MSA.

- Për sa i takon administratës publike, pak përparim mund të raportohet në këtë fushë, pasi zbatimi i kuadrit ligjor mbetet problematik. Lëvizjet nga puna me motivim politik kane vazhduar, ndonëse në një masë më të vogël.

- Përpjekjet e qeverisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit kanë politizuar debatin për reformën në drejtësi.

- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përfundoi hetimin e saj për shpërthimin e marsit 2008 në depon e municionit në Gërdec. 29 padi, duke përfshirë edhe atë të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, u dërguan në Gjykatën e Lartë. Gjyqi është shtyrë disa herë për arsye procedurale dhe Gjykata e Lartë vendosi në shtator të pezullojë rastin kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, për shkak të imunitetit të tij si anëtar i parlamentit. Për të siguruar besueshmëri në luftën kundër korrupsionit është i nevojshëm një proces i drejtë dhe transparent që të ndëshkojë të gjithë personat përgjegjës, pavarësisht nga pozita e tyre. Pak përparim mund të raportohet, lidhur me standardet e shëndetit dhe të sigurisë, të cilat janë pjesë e hetimit të Gërdecit.

- Në politikat antikorrupsion, përpjekjet e qeverisë për të luftuar fenomenin janë zvarritur ose janë aplikuar në mënyrë selektive. Duhet ende të adresohen dy rekomandime lidhur me rregullat mbi financimin e partive politike.

- Mënyra transparente dhe trajtimi i rasteve të korrupsionit të dyshuar, pavarësisht nga pozita e personave të përfshirë, do të jetë tregues i rëndësishëm për pavarësinë e gjyqësorit. Shumë vullnet politik është i nevojshëm për të shkulur kulturën e mosndëshkimit që vazhdon të mbizotërojë.

- Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore në fushën e të drejtave të pronës ka favorizuar praktikat e korrupsionit në këtë sektor.

- Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz.

- Për sa i përket lirisë së shprehjes, gazetaria investiguese ka kontribuar në raportimin e praktikave korruptive. Megjithatë, nga ekzekutivi u ushtrua presion, kryesisht financiar, por edhe me veprim selektiv ndaj operatorëve mediatike. Disa media u nxorën nga zyrat e tyre, në pronësi nga qeveria. Biznesi dhe interesat politike vazhdojnë të ndikojnë mbi mediet e pavarura, në aspektin e pavarësisë editoriale dhe kapaciteteve profesionale.

- Raporti i OSBE/ODIHR për sjelljen e medies në mbulimin e fushatës zgjedhore vë në dukje se të gjitha subjektet transmetuese treguan një paragjykim ndaj PD dhe PS. Transmetuesit e shërbimit publik nuk garantuan plotësisht kohën e transmetimit të barabartë për të gjitha partitë politike.

- Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit favorizoi mediat e lidhura me qeverinë. Gjobat e vendosura nga KKRT transmetuesve televizivë privatë shkaktuan reagimin e Avokatit të Popullit. Kjo situatë ngre shqetësime lidhur me pavarësinë e KKRT. Influenca e vazhdueshme e qeverisë ndikoi negativisht në pavarësinë e institucionit.

- Lufta kundër krimit të organizuar vazhdon të jetë e penguar nga mungesa e bashkëpunimit ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit, gjyqësorit dhe prokurorisë.

- Shqipëria vazhdon të mbetet një vend i origjinës së grave dhe fëmijëve të trafikuar, për qëllime shfrytëzimi seksual dhe punë të detyruar.

- Në lidhje me luftën kundër terrorizmit, nuk raportohet përparim. Strategjia kombëtare kundër terrorizmit nuk është miratuar ende. Në përgjithësi, përpjekjet kundër terrorizmit mbeten në faza fillestare.

- Ka pasur një progres të kufizuar në luftën kundër drogave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›