Orjana Kurteshi apo Luçia de Lamermur

E bukur dhe mbi të gjitha e dashuruar, njëkohësisht e brishtë dhe e lënduar, e çmendur dhe në fund tragjike. Është kjo Luçia di Lamermur, një personazh i njohur i skenave botërore, që sopranoja shqiptare Oriana Kurteshi do të sjellë për publikun shqiptar. Ajo është një nga ato artiste që e ka ngritur karrierën e saj pa shumë zhurmë jashtë kufijve shqiptarë. Me sy që i shkëlqejnë, një buzëqeshje rrezëllitëse dhe sinqeritetin e saj, ajo të bën menjëherë për vete. Tanimë ndodhet në Tiranë për të interpretuar në rolin e Luçies në operën e Gaetano Donixetit, “Luçia di Lamermur”. Oriana Kurteshi jeton në Venecia dhe ka marrë pjesë në dy produksione të arenës operistike botërore, që është teatri “La Scala” nën drejtimin e dirigjentit Rikardo Muti i cili i ka dhënë Kurteshit “një ngritje profesionale”. Studentja e Susana Frashërit në Akademinë e Arteve në Tiranë, do të jetë soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit, në një nga kryeveprat e skenës botërore, siç është “Luçia di Lamermur”.
Kush është Orjana? Diçka më shumë për publikun
Orjana është një vajzë shqiptare që ka kënduar që e vogël, pra që është aktivizuar që në moshën 5 vjeçare, në pallatin e Pionerit, dhe që vazhdon jetën e saj në skenë deri tani dhe që merret vetëm me kanto.
Riktheheni pas 10 vitesh në skenën e TKOB-it. Pse pikërisht tani dhe si mbërritët te roli i Luçias.
Po është e vërtetë që kam vite që jetoj jashtë shtetit dhe kam ndërtuar atje edhe një jetë artistike. Por kjo nuk do të thotë se jam shkëputur nga vendi im. Përsa i përket rolit mund të them se gjithçka filloi me ftesën që më bëri Drejtori i TKOB, Zhani Ciko. Mbi të gjitha ky është një rol që i përshtatet vokalit tim. Dhe jam shumë e lumur që një institucion i tillë si TKOB mendoi që unë jam një nga këngëtaret shqiptare që mund ta realizoj këtë rol kaq të rëndësishëm.
Cili është mesazhi që roli juaj përcjell për publikun?
Mesazhi që unë dua të jap me këtë rol është që dashuria është shumë një ndjenjë shumë e fortë, por gjithsesi nuk duhet të kalohet deri në verbim. Si e përmenda edhe më sipër është një rol në karakterin e zërit tim. Nga ana tjetër vepra në fjalë është shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë, ashtu siç është një opera e bukur, sentimentale dhe me një histori të fortë. Historia e dashurisë e Luçias është shumë e fortë.
Pse zgjodhët që të iknit jashtë kufijve shqiptarë për të bërë një karrierë artistike?
Qëllimi i shkuarjes sime atje është ngritja artistike dhe marrja e eksperiencave të huaja perëndimore. Megjithatë unë jam shqiptare gjatë gjithë kohës dhe normalisht që në çdo aktivitet atje prezantohem si shqiptare dhe jam shumë krenare për këtë gjë. Nga ana tjetër kjo pritet shumë mirë, madje atje ku unë jetoj dhe punoj ka edhe shumë shqiptarë të tjerë, artistë. Pra, ajo që dua të them është se opinioni i huaj ka ndryshuar dhe na vlerësojnë shumë.
Pas kaq vitesh mungese si e gjeni Teatrin e Operës?
Që në fillim dua të theksoj që jam shumë e lumtur që që takova sërish kolegët me të cilët punova për dy vjet, para largimit tim. E veçantë është se në ktë rikthim timin kam gjetur të njëjtët njerëz, dhe mbi të gjitha po atë dashuri që të rrethon. Të gjithë janë shumë të talentuar, por do të doja që ata të kishin një teatër më të madh dhe kushte më të mira pune për të bërë artin e tyre. Dhe është pikërisht kjo gjë e cila na diferencon me institucionet jashtë kufijve, pra janë vetëm kushtet më të mira që artistët kanë andej. Shkolla shqiptare është një shkollë shumë e fortë dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë gjë, madje uroj që edhe në të ardhmen kjo gjë të ngelet e tillë, pasi me të vërtetë që ka shumë talente. Jo të gjithë e kanë pasur mundësinë që të shkojnë jashtë shtetit, por edhe ata që kanë qëndruar në Shqipëri kanë vërtet vlera dhe ne duhet që t`ua dimë këto.
Nga ndryshon publiku shqiptar nga ai i huaj?
Në lidhje me publikun do të thoja se nuk ka diferenca, megjithatë dua të theksoj se është më e vështirë të këndohet në Shqipëri.
Keni arritur të këndoni shumë herë në “La Skala” dhe çdo artist do ta dëshironte një gjë të tillë. Diçka më tepër rreth kësaj eksperience?
Po është e vërtetë. Dhe kjo është një arritje e madhe për mua. Në këtë drejtim unë dua të përmend bashkëpunimin e rëndësishëm që kam pasur me drejtorin artistik Rikardo Muti, i cili më ka rritur shumë nga ana profesionale. Kam bërë 5 produksione atje dhe duhet thënë se janë shumë. Të fundit e kam bërë në 2006-ën dhe pres një tjetër rol.
Në ç’role do ju shohim më tej?
Në fakt plane kam shumë dhe duke qenë një soprano lirike legero, kam ende shumë role për të luajtur. Megjithatë le t`ia lëmë gjithçka momentit.
...