E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Të unifikohet qendrimet diagnostike dhe terapeutike në obstetric-gjinekologji

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kërkoi unifikim të qëndrimeve diagnostike dhe terapeutike në fushën e obstetri-gjinekologjisë në rang vendi, për t'u bërë të detyrueshme për t'u zbatuar. "Në kushtet e realizimit të reformës spitalore bëhet e detyrueshme që çdo strukturë shëndetësore, që mbulon aktivitete obstetrikale dhe gjinekologjike në të gjithë vendin të unifikojë qëndrimet e saj, me ato të referuara nga qendra", theksoi ministrja Godo, në Kongresin e Parë të Shoqatës së Obstetri-gjinekologjisë, të organizuar sot në mjediset e Hotel Sheraton. Ministrja e Shëndetësisë e cilësoi këtë Kongres një ngjarje të madhe shkencore, një sfidë të rëndësishme për atë ç’ka shkenca e obstetri-gjinekologjisë ka në imazhin e saj për të ardhmen. "Është e tepërt të themi që çdo gjë që ndodh në shëndetësi, është e lidhur në mënyrë të detyruar me shëndetin e mirë të nënës dhe fëmijës, që do të lindë", tha znj. Godo, duke shtuar se impakti pozitiv apo negativ në shëndetin e çdo qytetari është tek ajo ç’ka ndodh në këtë fushë. Kryetari i Shoqatës së Obstetri-gjinekologji, Nikita Manoku, tha për mediat se “vendi ynë ka një mortalitet perinatal 2 %, kurse Europa është në shifrat 1.1 %. Me rritjen e nivelit profesional të mjekëve dhe përmirësimin e mjekësisë, synojmë të arrijmë në këto shifra", tha mjeku gjinekolog Manoku. Qëllimi i Kongresit ishte diskutimi i problemeve të obstetrikë-gjinekologjisë ndërmjet mjekëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe shkëmbimi i eksperiencave. "Kongresi tregon interesin për evolucionin dhe për arritjen e mjekësisë kontemporane nga ana e mjekësisë shqiptare në këtë fushë". theksoi Manoku.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›