E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Thellimi i krizës, diplomatët e humbën durimin

“Nëse s’ka marrëveshje, rruga e rrezikshme” “Kaluan pothuajse në nota kërcënimi”

Politikani Sabri Godo ndjen keqardhje për faktin që liderëve politikë iu desh të shkonin në Strasburg për të negociuar. Sipas tij, mosgjetja e një zgjidhjeje do të ishte shumë e rrezikshme për vendin.

Si e shikoni situatën aktuale kur kreu i mazhorancës dhe ai i opozitës janë nisur në Strasburg për ta gjetur atje zgjidhjen për krizën e brendshme politike?

Kjo ishte ndërhyrja e fundit e strukturave europiane. Nuk është një ftesë për darkë, siç e komentojnë disa. Komisioneri Fule dhe të tjerë kaluan pothuajse në nota kërcënimi, kur thanë se këtu bllokohet integrimi. Mua nuk më vjen mirë që këta liderët tanë shkojnë të merren vesh në Strasburg, duhet ta kishin bërë këtë këtu në Shqipëri. Gjithsesi le ta quajmë këtë një hap që do të na ndihmojë të dalim nga kriza. çështja është të arrihet një marrëveshje atje. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, atëherë me të vërtetë marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën do të hynë në një rrugë shumë të rrezikshme dhe të dëmshme. Por, edhe brenda në vend situata do të keqësohet. Por unë e përjashtoj këtë skenar, kam bindjen se do të arrihet një marrëveshje dhe kjo nuk do të thotë që do të mbyllet hendeku. Sepse më pas do të vijë faza për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe në këtë kuadër kërkohet vullnet dhe kujdes nga palët.

Drejtuesit e grupeve parlamentare të Parlamentit Europian kërcënuan edhe me ngrirjen e procesit të integrimit në Shqipëri në rast se kriza nuk zgjidhej. Si e shikoni këtë qëndrim?

Ndërkombëtarët e humbën durimin, për shumë muaj me radhë ata dërguan gjithfarë delegacionesh të larta nga Këshilli i Europës, Parlamenti Europian. Duke mos pasur zgjidhje, atyre u humbi durimi dhe kaluan në përdorimin e këtyre termave ekstreme, duke menduar se ne nuk dëgjojmë ndryshe.

Cili është qëndrimi juaj për grevën e urisë 19-ditore të opozitës? A mund të konsiderohet ajo si një sukses për kauzën e socialistëve, apo një veprim që e radikalizoi situatën në vend?

Unë kam qenë kundër grevës, sepse jam kundër ideve që radikalizojnë situatat. Gjithsesi ajo u bë dhe u vendos si kusht që të mbyllej greva, në mënyrë që të normalizohet jeta në Tiranë dhe të nisin bisedimet. Unë edhe vetë këtë kisha thënë një javë më parë, që duhet të mbyllet greva dhe në të njëjtin moment të fillojnë bisedimet. Nuk del ndonjë gjë e mirë të hysh në grevë, të vetësakrifikohesh dhe të dëmtohet shëndeti i njerëzve. Nuk duhet të kërkojmë këto rrugë për të zgjidhur situatat politike të cilat bëhen më tepër në sferat e larta dhe më pas pasojat i vuan populli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›