E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburg, darka hap rrugën e transparencës së zgjedhjeve

Berisha dhe Rama diskutojnë mbi një draft të ofruar nga grupi i PSE-së

Rikthehet drafti i bërë publik nga ambasadori Robert Bosch, por me disa ndryshime të vogla. Thelbi i diskutimeve në negociatat e mbrëmshme në një restorant luksoz të Strasburgut ka qenë “transparenca e zgjedhjeve, duke respektuar kushtetueshmërinë”.

Darka politike mes mazhorancës dhe opozitës në Strasburg ka pësuar një ndryshim të formulës së diskutimit. Në takimin joformal mes Berishës dhe Ramës kanë marrë pjesë edhe ekspertët përkatës të së majtës dhe të së djathtës, duke i dhënë një dimension më të gjerë “menysë” së diskutimit politik, edhe pse paraprakisht ishte parashikuar që pjata kryesore do të ishte e brendshmja e patës, që njihet si ushqimi tradicional i Strasburgut. Më shumë se menyja e ushqimit, ka pësuar një ndryshim thelbësor protokolli i përbërjes së tryezës së Strasburgut, në restorantin luksoz “Crocodile”.

Përveç Berishës dhe Ramës, kanë marrë pjesë edhe ekspertët e PS-së dhe PD-së, përkatësisht Vasilika Hysi dhe Oert Bylykbashi. Nga ana tjetër, komisioneri Stefan Fule ka marrë me vete në darkë përveç drejtorit për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, edhe dy zyrtarë të tjerë të dikasterit që drejton ai. Ndërkaq, edhe kreu i grupit parlamentar të socialistëve evropianë dhe të partive popullore, përkatësisht Joseph Doul, si dhe Martin Schultz, do të kenë nga një ekspert. Në darkë ka marrë pjesë edhe austriaku Hans Swoboda, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, i cili është një ekspert i çështjeve të Ballkanit dhe posaçërisht të Shqipërisë. Palët në darkën diplomatike kanë konsumuar variantet e negociatave që tashmë janë bërë të njohura në opinionin politik. Kështu, opozita ka mbështetur variantin e bërë publik nga ana e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, që si thelb ka hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimit në Komisionin e Venecias të fletëve të votimit. Por gjithsesi ky variant është përballur me deklaratën e Presidencës së Këshillit të Europës, që nuk i jep një detajim çështjes së kompetencave të komisionit parlamentar hetimor. Në draft thuhet se "PS-së do t'i jepet shumica në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet, opozita do të ketë kryetarin, komisioni do të hapë materialet zgjedhore e nëse do të vërejë parregullsi në materialet zgjedhore, atëherë ai do të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias, nëse të hapen apo jo kutitë e votimit". Duke iu referuar sërish njoftimeve nga Strasburgu, socialistët europianë duket se kanë negociuar me Ramën dhe me një përfaqësues të kabinetit qeveritar, që nuk konfirmohet zyrtarisht, por mund të ketë qenë zv/kryeministri Ilir Meta. Por grupi i partive popullore ka marrë të mirëqenë draftin e ofruar nga të majtët, duke diskutuar një kompromis që mund të pranohet nga Berisha. Mësohet se Kryeministri ka rezistuar në dhënien e një konsensusi të hapur për variantin e paraqitur në tryezë, duke u kërkuar palëve që të konsultohen me të gjithë praktikën kushtetuese dhe vendimet e gjykatave. Por pas konsumimit të të brendshmeve të patës dhe verës së kuqe, nuk është marrë vesh realisht se cili ka qenë përfundimi i “darkës së fundit”, apo “darkës së parë” mes krerëve të mazhorancës dhe opozitës. E rëndësishme nga takimi i mbrëmshëm është se gjatë darkës së “Crocodile” ka dalë edhe një deklaratë zyrtare e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian, baroneshës Cathrine Ashton, e cila kërkon miratimin e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund krizës politike në vend. Marrëveshje, e cila pritet të bëhet publike gjatë takimit të sotëm, ku do të marrin pjesë edhe ekspertët dhe pritet që si Berisha, ashtu edhe Rama, të vënë firmën e tyre në dokumentin përfundimtar të kompromisit. Ky i fundit do të hapë rrugën e hetimit parlamentar të një komisioni parlamentar të drejtuar nga opozita, që do të bazohet në hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ku bëhet fjalë për listën e zgjedhësve që kanë votuar më 28 qershor dhe dokumentet shoqëruese, që janë letërnjoftimet dhe kartat e identitetit. Nëse nga ky hetim del që ka probleme, atëherë mund të kërkohet nga Komisioni i Venecias interpretim mbi hapjen e kutive të fletëve të votimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›