BE-ja, e kënaqur me hetimet e EULEX-it
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, Peter Feith, ka folur të mërkurën në Bruksel për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të BE-së në Komitetin për Ballkanin Perëndimor (COWEB). Sipas burimeve diplomatike të disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në këtë diskutim është shprehur mbështetje për punën e EUSR-it sikur edhe për hetimet që ka bërë dhe është duke bërë misioni i EULEX-it, shkruan në botimin e sotshëm gazeta “Koha Ditore”. Sipas të njëjtave burime, përfaqësuesit e shumë shteteve kanë shprehur mirënjohje dhe kënaqësi për faktin se EULEX-i së fundi ka filluar konkretisht, siç thuhet, që “me veprime të dukshme” të dëshmojë aktivitetin në kryerjen e kompetencave të veta në ndjekjen e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Po ashtu, në takim thuhet se është nënvizuar se është e rëndësishme që në Kosovë autoritetet e Kosovës të kuptojnë seriozisht këtë aktivitet të EULEX-it dhe të bashkëpunojnë me EULEX-in. Burimet nga BE-ja kanë hedhur poshtë edhe një herë akuzat për “përzierje të politikës” në rastin e hetimeve të EULEX-it në Ministrinë e Transportit, si dhe në hetimet e tjera. “Prokurorët janë krejtësisht të pavarur në punën e tyre dhe nuk ka ndikim politik në asnjë rast. Ne i hedhim poshtë këto akuza dhe nuk e kuptojmë fare as kuptimin e këtyre akuzave. Autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe qeverinë, duhet të përmbahen nga deklarime të tilla dhe të lejojnë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it, sikur edhe ata vendorë të Kosovës, që të pavarur, pa ndërhyrje politike, të kryejnë punët e tyre”, tha një diplomat i BE-së për KD-në.
#