E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Udhërrëfyes për Stomatologjinë

Tiranë (start)-Në konferencën e 14-të të Stomatologjisë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka kërkuar unifikimin e qëndrimeve terapeutike dhe diagnostikuese në shërbimin e stomatologjisë. Godo theksoi se duhet të hartohet udhërrëfyesi dhe të krijohen skemat e një menaxhimi në rang kombëtar për shumë patologji të fushës së stomatologjisë.

“Strukturat qendrore dhe rajonale të fushës së stomatologjisë duhet të ushtrojnë një kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm mbi zbatueshmërinë e këtyre udhërrëfyesve, të detyrueshëm për të gjithë stomatologët, pasi duhet të arrijmë në një standardizim të të gjithë qëndrimeve tona në fushën e stomatologjisë"-tha ministrja Godo, ndërsa ka shtuar se “qytetari të jetë i mirëinformuar për shëndetin e tij në fushën orale".

Në konferencë u trajtuan problemet në shërbimin stomatologjik, për sa i përket epidemiologjisë, por dhe diagnozës sa më të hershme dhe më të saktë. Gjithashtu, të pranishmit diskutuan mbi arritjet e stomatologjisë shqiptare dhe të gjithsecilit, duke i ballafaquar ato me ato bashkëkohore.

Konferenca është organizuar nga Departamenti i Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, Shoqata e Stomatologëve dhe Ministria e Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›