E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Zgjidhja më e mirë nga Komisioni i Venecias

Politikani Sabri Godo ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje para se greva e urisë të kthehet në një tragjedi


TIRANË- Politikani i njohur, Sabri Godo, ndryshe nga refuzimi kategorik i shumicës në pushtet, theksoi dje se Komisioni i Venecias duhet të shfrytëzohet si mundësi për të zgjidhur krizën politike.


Ai vuri në dukje se ky organ këshillimor është një instrument i duhur për një proces të tillë, pasi sipas Godos, jo vetëm që është i pavarur, por mund të japë edhe një gjykim më të pranueshëm për forcat politike për të çuar në zgjidhjen e krizës politike.


Sipas tij, humbja e një mundësie të tillë do të ishte mëkat i madh për politikën shqiptare. "Komisioni i Venecias është institucioni i duhur. Është i përbërë nga personalitete në fushën e drejtësisë të njohur në Evropë.


Janë me të vërtetë krejt të paanë. Ata nuk duan të dinë parti, nuk duan të dinë të djathtë e të majtë. Ata janë organi më i përshtatshëm që mund të japë një gjykim për një konflikt të tillë. Do të ishte mëkat që ajo të mos shfrytëzohej",- tha dje Godo.


Përsa i përket lëvizjeve të fundit të faktorit ndërkombëtar në vend, Godo specifikoi se, ata mund të ndërhyjnë me sugjerimet e tyre, por nuk duhet të jenë aktori vendimtar për zgjidhjen e krizës politike. Sipas Godos, nëse vazhdon ende kjo situatë edhe në ditët e ardhshme, atëherë sipas tij, gjendja politike në vend mund të menaxhohet nga faktori ndërkombëtar.


Por, zgjidhjen nga të huajt Godo e sheh me pasoja negative për politikën shqiptare. Këtë ngërç, sipas tij, duhet ta zgjidhin vetë aktorët politikë shqiptarë dhe këta të fundit sipas Godos, nuk duhet të bëjnë kompromis politik me synimin për të mposhtur njëri - tjetrin. "Duhet lënë mënjanë ideja se njëra palë duhet të mposhtë tjetrën. Kjo nuk duhet të ndodhë.


Duhet të dy palët të ndahen me nder nga ky sherr. Secili të marrë të vetat. Në qoftë se nuk bëhet kjo atëherë unë do t'i quaja këta që janë në krye njerëz që nuk marrin mbi vete përgjegjësinë që u takon.


Mund të ndërhyjë ambasadori Bosh, mund të ndërhyjnë ambasadorë të tjerë mbi atë që ndodh në Shqipëri, por nuk janë ata që duhet të vendosin se si duhet të zgjidhet kjo çështje.


Do të ishte shumë keq për ne në qoftë se do të mbërrinim në një pikë të atillë dhe do të shkojmë drejt kësaj në rast se me të vërtetë nuk do të behet asgjë le të themi sot, nesër dhe pasnesër",- u shpreh ai.


Presidenti i Nderit në Partinë Republikane, ka komentuar edhe aksionin e fundit politik të opozitës, veçanërisht gjendjen e rënduar të grevistëve, duke thënë se shteti duhet gjejë format dhe mënyrat për të ndërhyrë, me qëllim që të shmangë ndonjë tragjedi.


Ai vuri në dukje se Kryeministri Sali Berisha nuk mund t'i largojë me dhunë grevistët, por duhet të marrë masa për të siguruar gjendjen e tyre në mënyrë që të mos ketë pasoja për jetët e tyre. "Kur jeta e dikujt kërcënohet atëherë medoemos shteti duhet të ndërhyjë. Duhet gjetur forma se si. Berisha nuk mund t'i shpërndajë me dhunë ata, nuk mund t'i shpërngulë.


Duhet të marrë masa të tjera, në mënyrë që të jemi të gjithë të sigurt, të mos jetojmë në çdo orë me ankth se aty nuk do të ngjasin gjëra tragjike", - nënvizoi Godo. Mazhoranca dhe opozita nuk po arrijnë në një akord midis tyre për zgjidhur krizën politike, edhe pse opozita ka ofruar tashme një zgjidhje që refuzohet në mënyrë kategorike nga kryeministri Sali Berisha.


*******************************


Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se në zonën e Dropullit po mbyllen bizneset për teka personale


Dervician, minoritarët protestojnë kundër qeverisë

GJIROKASTËR- "Larg duart nga bizneset greke". Kjo ka qenë motoja e protestës së organizuar në fshatin më të madh të minoritetit grek në Shqipëri, Dervician.


Organizatorët kanë deklaruar se tubimi paqësor i organizuar prej tyre nuk është politik, por thjesht ekonomik. Kryetari i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, i pranishëm në protestë ka denoncuar atë që e ka cilësuar si "trysni abuzive nga institucionet shtetërore ndaj bizneseve minoritare".


"Protesta e sotme (e djeshme), shpreh shqetësimin e biznesit në Dropull, që gjendet në trysni abuzive nga institucioneve shtetërore, që në fakt duhet të ishin në mbështetje të tyre.


Dhjetëra gjoba të pajustifikuara nga tatimorët u janë vendosur bizneseve, me të vetmin synim, mbushjen e arkës së shtetit. Prej dhjetë ditësh në mënyrë arbitrare, abuzive dhe pa asnjë argument është ndërprerë transporti urban në Dropull. Kemi të bëjmë me mendime të mbrapshta që duan të pengojnë zhvillimin ekonomik të Dropullit.


Jam këtu si një banor i zonës për të mbështetur bizneset dhe për t'i thënë qeverisë se nuk na duhen deklarimet pompoze për reforma me biznesin, reformat ë cilat kanë mbetur vetëm në letër. Është e papranueshme në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që aspiron për në BE, në zonën e Dropullit ku jeton minoriteti të mbyllen bizneset për teka personale", - është shprehur Dule.


Pas tubimit në qendrën e fshatit Dervician, minoritarët me autobusë dhe automjete kanë përshkuar aksin kombëtar Dervician- Kakavijë dhe e kanë bllokuar për pak momente atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›