Nobelisti turk sot me studentët dhe politikanët

Shkrimtari turk Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, vjet mbërrin sot në mëngjes në aeroportin "Nënë Tereza" të Tiranës. Vizita e tij dyditore nis menjëherë me takimet e nivelit të lartë.
Shtëpia botuese "Skanderbeg boks" që prej katër vitesh boton Pamuk, ka njoftuar se ditari i takimeve nis në Presidencë në orën 11.00 ku do të pritet nga presidenti Bamir Topi.
Në orën 12.00 pritet në takim nga kryeministri Sali Berisha në Selinë e Kryeministrisë dhe prej andej, në 12.30 në në Selinë e Rektoratit të Universiteti Shtetëror të Tiranës, ku mbahet ceremonia e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa". Prej orës 13.00 shkrimtari do të jetë te studentët Fakulteti Filologjik.
Në mbrëmje, ora 19.00, në Sallën e Kuvendit të Shqipërisë bëhet prezantimi i veprës së tij "Stambolli" në prani të njerëzve të letrave, personalitete të kulturës, akademikë, përfaqësues të politikës, të medias, etj.
E marta është lënë për një udhëtim drejt Beratit. Autori ka shprehur dëshirën të vizitojë qytetin muze dhe pasurinë e tij ikonografike. Dhe më 19 maj Pamuk lë Shqipërinë.
Nobelisti ka të përkthyer në shqipe deri më tani romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re" dhe libri me ese "Baulja e babait". Gjatë këtij viti pritet të botohen romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi".