Përmet, dhunoi policët për të shpëtuar vëllanë, prangoset 31 vjeçari
Arrestohet një i ri, pasi ka dhunuar dhe fyer punonjësit e policisë. Ka qenë ky veprimi i të riut Julijan Jaçe nga fshati Stërmbec i Përmetit, të cilit i kushtoi arrestimi në flagrancë dhe ngritja ndaj tij e dy veprave penale nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës. I riu 31- vjeçar, është arrestuar dje në orën 12:30 minuta në banesën e tij në fshatin Stërmbec të Komunës Carcovë nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Një konflikt fizik mes tij dhe policëve, të cilët kishin ardhur për të shoqëruar të vëllanë e tij Tomorr Jaçen, është bërë shkas që atij ti hidhen prangat ndërsa i vëllai të shpëtonte si pasojë e grindjes mes dy palëve, duke ikur në drejtim të paditur. Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje kanë mbërritur forca të tjera të policisë, të cilët kanë kryer shoqërimin për në Komisariatin e Përmetit të 31- vjeçarit Julian Jaçe dhe më pas arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë dhe fyerje për shkak të detyrës. Sipas burimeve zyrtare policore, i vëllai i Julijanit, Tomorr Jaçe do të shoqërohej në polici pasi një ditë më parë rreth orës 15:00, ka debatuar me një bashkëfshatar i cili po qarkullonte me motoçikletë ku më pas e ka kërcënuar me jetë madje për ta kryer atë që pati deklaruar, Tomorr Jaçe, e ka ndjekur nga mbrapa me makinën e tij për ta vënë nën rrota. Pas një pune kërkimore intensive, policia ka arritur të kapë dhe më pas të shoqërojë në Komisariatin e Policisë Tomorr Jaçen, i cili gjendej i fshehur në pyll mbi fshat. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Tomorr Jaçe është lënë i lirë dhe ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale të kanosjes.