E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenar Ahmeti, gjykata shtyn dhënien e vendimit

20/05/2009  Ish-kryepolici i Tiranës

Gjykata e Tiranës shtyu dje dhënien e vendimit për Krenar Ahmetin, ish- shefin e Qarkullimit Rrugor Tiranë. Vetëm një seancë më parë organi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor të Ahmetit dhe dënimin e tij me 500 mijë lekë gjobë. Ahmeti u hetua dhe gjykua për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ka qenë prokurori Ervin Karanxha ai që ndoqi çështjen e Krenar Ahmetit, ndërkohë që në gjykatë janë zhvilluar disa seanca gjyqësore. Sipas akuzës, Krenar Ahmeti së bashku me një vartësin e tij në datë 17 maj 2008 në vendin që quhet tashmë përballë dy kullave binjake, kanë ndaluar një makinë për kontroll të rastësishëm. Por në këtë makinë ka rezultuar të udhëtonte prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, së bashku me vëllain e saj që ishte drejtuesi i mjetit. Pas ndalimit kanë filluar edhe debatet mes tyre. Bëhet e ditur nga ana e prokurorit se polici nuk ka marr parasysh faktin se prokurorja është prezantuar si e tillë, por ka vazhduar me fyerje dhe më keq ka njoftuar forcat e policisë për ta shoqëruar atë në komisariatin numër 2. Prokurori Karanxha i tha gjykatës se me anë të këtyre veprimeve, shefi i Qarkullimit Rrugor së bashku me vartësit e tij kanë kryer hapur veprime arbitrare që bien ndesh me urdhrat për zbatimin e rregullores së qarkullimit rrugor. Ahmeti nga ana e tij në gjykatë ka kundërshtuar akuzën duke deklaruar se ka zbatuar ligjin dhe nuk ka fyer njeri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›