E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gojë më gojë në tri qytete

Tri lexime skenike të shkruara nga tri autore femra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës posaçërisht për t’u shfaqur në Kosovë. E para titullohet ‘Gojë më gojë’, është shkruar nga Lindsay Kayser dhe do të jepet premierë sonte (e enjte) në Mitrovicë. Nga Alfred Beka më 23 qershor 2011 në ora 08:48

Tri performanca në tri qytete të ndryshme. Do të fillojnë në Mitrovicë, për të vazhduar në Prizren dhe do të përfundojnë në Prishtinë. ‘Gojë më gojë’ është emërtuar performanca e parë, e cila do të shfaqet sonte (e enjte) në 7 Arte në Mitrovicë. Autore e saj është Lindsay Kayser nga Teksasi, ndërsa regjinë e ka bërë Anthony Barilla, po ashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ndihmësregjisoren nga Mitrovica Çameri Ceraja, ndërsa performohet nga Teuta Bajrami. E tërë kjo është bërë në organizim të Blackbird Books, që udhëhiqet nga vet regjisori Barilla, i cili është më meritori lidhur me këtë projekt, i cili është përkrahur nga Programi Kulturor Zviceran për Ballkanin Perëndimor.

“Secilin muaj (qershor, korrik dhe gusht) ne do të prezantojmë nga një lexim të shkurtër në skenë nga një dramaturg. Secilën herë performanca do të jetë në tri qytete: në Mitrovicë, performanca do të mbahet në 7 Arte, në Prizren do të mbahet në lokalin Hemingway Cafe dhe në Prishtinë në Tetris”, u shpreh për Express regjisori Barilla.
Ai tregoi se këto performanca janë lexime skenike të shkruara nga tri autore femra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës posaçërisht për t’u shfaqur në Kosovë. Ai tregoi po ashtu se këto performanca do të jenë premierë botërore, pasi që nuk janë shfaqur tjetërkund më parë.

“Këto shfaqje nuk janë produksione të plota, por ‘lexime skenike’ nga autorë novatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secila nga këto tri femra ka shkruar një pjesë të re veçanërisht për këto aktore të Kosovës, kështu që këto lexime skenike janë premierë botërore”, tha Barilla, i cili që disa vite ka punuar me aktorë të rinj, kryesisht nga Mitrovica, dhe ka bërë disa shfaqje, në mesin e të cilave vlen të përmendet drama ‘Vizita’ e dramaturgut zviceran Friedrich Durrenmatt, e cila para pak vitesh është inskenuar në Teatrin Oda.

Për shkak se performancat janë të shkurtra, ai tregoi se ato do të ndiqen nga disa performanca të shkurtra muzikore nga artistët vendor. Megjithatë, ai pohoi se këto janë të shkruara nga disa autore të mrekullueshme dhe ai ndihet i kënaqur që po prezantohen këtu për herë të parë.

“Por, megjithëse këto performanca janë të shkurtra, besoj se janë shkrime të reja të mrekullueshme nga disa shkrimtare shumë ngacmuese dhe ne jemi shumë të kënaqur që t’i prezantojmë ato për herë të parë këtu.

Pas Mitrovicës, performanca ‘Gojë më gojë’ do të jepet në Prizren, të premten, në ora 15:00 në Hemingway Cafe, ndërsa të shtunën në Prishtinë, në ora 20:00 në Tetris.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›