E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greta dhe Vilma Zenelaj, motrat shqiptare në derën e Hollivudit

22/06/2011   Filmi i tyre “In The Woods” shfaqet në Detroit Windsor International Film Festival

Los Angeles, “In The Woods”, filmi me regji nga shqiptarja Vilma Zenelaj dhe interpretuar nga Greta Zenelaj dhe David Landry është zgjedhur të jetë pjesë e “Detroit Windsor International Film Festinal Film”. Festivali do të çelet sot për të vijuar deri më 26 qershor, ndërkohë që filmi do të shfaqet më 24 qershor. Në të do të shfaqen filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, video dhe dokumentarë nga regjisorë të talentuar. Drejtor i festivalit është senatori John F. Kelly, i cili ka 35 vjet eksperiencë në edukimin e lartë, qeverisjen civile dhe ushtarake e gjithashtu ka shërbyer nga 2002 në Miçigan Film Advisory Board (Bordin Këshillimor të Miçigan Film) si zëvendëspresident i zgjedhur përgjatë kohës së tre kryetarëve të mëparshëm.

Në film, Greta Zenelaj interpreton rolin e Evës, e cila është bashkëshortja e Steve, interpretuar nga David Landry, ndërsa në film interpreton edhe Rocco di Nobile si Karl (Carl). Martesa midis Evës dhe Steve është e vështirë dhe gjatë jetës në çift kanë pasur jo pak probleme. Çifti vendos të shkojë për pushime për t’i dhënë njëri-tjetrit një shans për të përmirësuar martesën.

“In The Woods” është një produksion i “Colored Films” që tërheq publikun në suspansë, të qeshura dhe është plot kthesa surprizuese. Filmi është i mbushur plot të papritura që befasojnë publikun. Në të gërshetohen humori, ankthi, tmerri dhe ndjenjat.

Greta dhe Vilma Zenelaj janë bashkëskenariste të këtij filmi. Më parë ato kanë jetuar në Miçigan dhe kanë bashkëpunuar me kineastë lokalë dhe ndërkombëtarë.

Aktorja shqiptare Greta Zenelaj ka mbi 10 vjet që jeton në Amerikë, por këto katër vitet e fundit, me dy filmat, skenarët e të cilëve mbajnë firmën e saj dhe të së motrës, Vilmës e ku ka luajtur rolet kryesore, ka tërhequr vëmendjen e komunitetit më prestigjioz të kinematografisë të Hollywood-it.

Greta ka qenë pjesëmarrëse edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave në New York, ku dhe ka fituar çmimin “Komedia më e mirë” për filmin e saj “What Do I Do Now?” (Çfarë do bëj tani?), por ka qenë edhe pjesë e “Golden Globe Awards” që u zhvillua në Los Anxhelos më 16 janar. Ajo ka mbaruar shkollën për gazetari në Tiranë dhe erdhi në Amerikë për të ndjekur ëndrrën e saj për të prekur Hollywood-in. Rruga drejt suksesit për aktoren nuk ishte e lehtë. Për Zenelajn aktrimi është një pasion që u shfaq që kur mori pjesë në shfaqjet e para teatrale në Shqipëri. Bashkë me motrën e saj, Vilmën, vendosën të themelojnë kompaninë e filmit “Colored Films”. “In The Woods” (“Në pyll”) është filmi i tyre i dytë. Xhirimet e tij janë realizuar në Parkun Nacional të Los Anxhelos (Los Angeles National Park) dhe janë përfunduar për 10 ditë me 10 persona.

Interesante në këtë film është edhe pjesëmarrja e David Landry, i njohur për rolet e tij në NBC- “Windfall” dhe CBS: “Cold Case”, “Criminal Minds”, si dhe në serinë e re në HBO, “Luck”.

Premiera e “In the Woods” është shfaqur fillimisht për një rreth të ngushtë njerëzish: miq, kritikë dhe dashamirës të industrisë së filmit, ku morën pjesë dhe u prezantuan krijuesit e këtij projekti dhe aktorët. Filmi u pëlqye sidomos për nivelin e lartë profesional në xhirimin artistik, si dhe për lojën aktoriale. Motrat Zenelaj po punojnë ndërkohë për një film të tretë, për të cilin kanë thënë se do të filmojnë për të parën herë në Shqipëri.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›