Studim socio-kulturor e etnografik për trevën e Podgurit
“Gjytetet thërrasin ndërgjegjen” është libri i dytë i autorit Hasan Zekaj, që është në realitet vazhdimi i librit të tij të parë “Dy gjytete thërrasin ndërgjegjen”, që trajton jetën, historinë dhe të gjitha ato që lidhen me Krasniqen e Vendit, siç e quan ai trevën perëndimore të Podgurit, me Dukagjinin deri të aspektet socio-kulturore të shqiptarëve në përgjithësi.
Derisa në librin e parë Zekaj trajtonte historikun, ngjarjet dhe personalitetet e shquara, në librin e dytë ai merret me doket dhe zakonet, përkatësisht me socio-kulturën dhe atë etnografike të kësaj treve, që e përcjellin jetën e këtyre njerëzve, ndërkaq në librin e tretë, të cilin e paralajmëron, ai do të trajtojë “thesarin e trashëgimisë natyrore e kulturore”.
Nga vetë titujt e kapitujve të librit shihet qartë preokupimi i autorit që të trajtojë tema interesante e gjithëpërfshirëse nga jeta e banorëve të kësaj ane.
Treva e Podgurit karakterizohet edhe me kulturën ndërtimore, të trashëguar nga e kaluara, nga paraardhësit e tyre, në mesin e të cilave dallohen kullat, si fortifikata, pra jo vetëm për banim, por edhe si mbrojtëse të jetës se banorëve të tyre. Kullat dalloheshin edhe për faktin se në to, pos dhomave për familjet ishte edhe oda ku mblidheshin meshkujt, por edhe ku bëheshin kuvende e merreshin vendime të rëndësishme për popullatën. Në këto objekte, pra në kulla, ndodheshin edhe dhomat e fjetjes së familjareve, pastaj shtëpia e grave, siç quhej dhoma ku rrinin kryesisht gratë e familjes e që dallohej nga ajo e burrave dhe te gjitha këto shoqëroheshin edhe me infrastrukturën përcjellëse, siç ishte oborri e të tjera.
Si edhe popujt tjerë edhe banorët e Podgurit kanë trashëguar shumë adete e rite të se kaluarës, të cilat janë përcjellë prej një brezi në tjetrin, duke i ruajtur ato që janë thelbësore. Të këtilla janë zjarret si simbolikë e kalendarit të traditës, mandej besimi në hënën e diellin si dhe drangoji, kuçedra apo edhe zanat e malit, ora e të ngjashme.
Një aspekt i veçantë i trajtimit në veprën në fjalë është ai etnografik, ku autori sjell para lexuesit shumë doke, dukuri, sjellje e të ngjashme, që dëshmojnë për pasurinë shpirtërore të banorëve të Podgurit që krejt pak është studiuar deri më tani. Në këtë vazhdë, Zekaj do të merret gjerësisht me familjen, duke e konsideruar atë si vlerë kombëtare, ku gruaja është vetë shtëpia derisa burri është shtylla e saj.
Një kapitull i posaçëm i është kushtuar mjeshtërisë dhe zejtarisë artistike, duke veçuar në këtë mes përpunimin e drurit, atë të leshit e pëlhurës, argjendit e tjera.
Martesa dhe ceremonitë që e përcjellin atë janë temë tjetër e trajtimit në veprën e Zekajt. Kjo fillon me fejesën dhe fjalën që e sjellin shkuesit, pastaj kanagjeqi që organizohet në familjen e vajzës, gratë që shkojnë ta marrin që njihen si gratë e “kerrit” si dhe shumë veprime të tjera që e përcjellin këtë, si vuarje e plisit në kokë të nuses, me shpresë se ajo do të lindë djem. Në popullin kanë qarkulluar edhe shumë legjenda, që kanë të bëjnë edhe me marrjen e nuses, ku duhet lakuar rruga, sepse gjatë rrugës asaj mund t’i përcillej ndonjë magji. Me ardhjen e nuses në shtëpi shtohet familja dhe kur ajo të lindë zhvillohet një ceremoni e posaçme që shoqërohet edhe me lajmëtar në forma të ndryshme, zakonisht me qitje pushkësh. Për emrin e fëmijës së lindur, në të shumtën e rasteve, nuk kanë vendosur prindërit.
Në popull, pra edhe në trevën e Podgurit, janë zhvilluar lojëra të ndryshme, që dallojnë nga ato të popujve tjerë, qoftë për mënyrën e zhvillimit të tyre po edhe porosinë që dalin nga këto lojëra. Shumë nga këto, për të mos thënë të gjitha, janë përshkruar në studimin e Zekajt, duke filluar nga vallëzimi e gjer te loja e kapuçave, si një ndër lojërat e rralla e që janë luajtur ndër burrat e fshatrave të kësaj treve dhe jo vetëm të saj. Kjo lojë është përcjellë me këngë kapuçash, duke e tallur humbësin me shumë këngë shpotitëse e satirike, por që asnjëherë nuk ka shkaktuar trazime, përkundër ofendimeve që i janë bërë palës humbëse.
Ndërkaq, një kapitull i posaçëm i është kushtuar ushqimit dhe gatesave, që janë dalluar në këto treva, duke i përshkruar veç e veç secilën prej tyre. Në këtë mënyrë është plotësuar jeta e fshatarëve me të gjitha karakteristikat specifike që i dallojnë nga të tjerët, por që disa prej tyre janë edhe të përgjithshme, pra që mund të gjendet edhe në trevat tjera shqiptare. Për ta rrumbullakuar sa më mirë dhe të plotë përshkrimin e jetës etnografike, etnokulturore dhe thellësisht socio-kulturore të kësaj treve, Hasan Zekaj ka vazhduar me sjelljen e elementeve që flasin për zhvillimin ekonomik e shoqëror të kësaj treve, duke bërë fjalë për elektrifikimin, ndërtimin e sharrave e të tjera. Bashkë me këto në këto treva është zhvilluar edhe bujqësia dhe blegtoria me çka përmbyllet studimi për të cilin folëm këtu. Të shtojmë se të dhënat për këto, pra për gjithë atë që është shkruar, janë shoqëruar me foto, varësisht nga objekti i studimit, që lexuesit i jepet mundësi t’i njohë edhe më mirë objektet për të cilat flitet, gjegjësisht shkruhet.