E Diel, 1 Nëntor 2026

Gojëkyçja e të gjallëve Nga Xhovani Shyti Sipas mitologjisë Laokoonti ishte i vetmi trojan që refuzoi futjen e kalit të drunjtë (dhuratë e palës së mundur greke) brenda mureve të kështjellës së Trojës. Pastaj ai u vu në krye të protestave, që iniciua

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gojëkyçja e të gjallëve Nga Xhovani Shyti

Sipas mitologjisë Laokoonti ishte i vetmi trojan që refuzoi futjen e kalit të drunjtë (dhuratë e palës së mundur greke) brenda mureve të kështjellës së Trojës. Pastaj ai u vu në krye të protestave, që iniciuan lëvizjen masive kundër vendimit të Mbretërisë për ta pranuar dhuratën e Menelaut. Këmbëngulja e Laokoontit kundër dhuratës rridhte nga argumentet që ai sillte. Mbi të gjitha, qëndronte thirrja e tij për mbretin Priam, kreu i oborrit dhe bashkështetasve trojanë, që i kujtonte se arma më e fortë e grekëve, kur u shteronin fuqitë ushtarake, ishte dinakëria.

Natën e fundit, para nisjes së protestës masive, ndërsa Laokoonti ishte duke përfunduar shkrimin e parullave, u sulmua, sipas legjendës, prej gjarpërinjve dhe u mbytur prej tyre. Të nesërmen u përhap fjala se gjarpërinjtë ishin dërguar nga Perëndia, e cila kishte marrë vendimin ta ndëshkonte Laokoontin për këtë kokëshkrepje antidhuratë apo mendim ndryshe.

Ky është varianti i parë i legjendës, përveç tij gjendet edhe një i dytë, moderni, i cili ia heq përmasën mitologjike dhe e bën legjendën më tokësore. Sipas këtij varianti, me këmbë në tokë, Laokoonti nuk u mbyt prej gjarpërinjve të perëndishëm, por u helmua nga kundërshtarët politikë, ata të cilët kërkonin me çdo kusht futjen e kalit prej druri në Trojë, ata që dëshironin të ishin sundimtarët e rinj të fronit të pushtetit të saj mbretëror. Për të zhdukur çdo hije dyshimi dhe për të mos lejuar një rebelim masiv, nga zbulimi i të vërtetës, këta kundërshtarë politikë, pas dhënies së gotës me helm, futën në lojë artin e mashtrimit, për të mbuluar të vërtetën. Duke u dhënë pagesa të majme rapsodëve, piktorëve, skulptorëve, dhe të tjerë kasnecëve ata iniciuan versionin e sajuar të vdekjes së Laokoontit, jo nga helmi i hedhur në kupën e verës, por nga mbytja prej gjarpërinjve të dërguar nga Perëndia. Ky variant irreal i paguar prej tyre shëtiti nëpër botë për mijëra vite, kurse e vërteta e helmimit mbeti e varrosur së bashku me amanetin e fundit, që Laokoontit la para se të hiqte frymën e fundit, dhe që ishte:”Mos e pranoni kalin, dhuratë të grekëve, madje mos pranoni asnjë dhuratë tjetër prej tyre, nëse nuk doni të rrënohet Troja”.

E përmenda zgjerueshëm këtë legjendë të ardhur nga mitologjia greke jo për të burrëruar e zhburrëruar grekët apo trojanët, por për të theksuar të vërtetën e përndjekjes së individëve, të cilët mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga sundimtarët e oborrtarët, që kanë në dorë mjetet e manipulimit, apo edhe nga ajo pjesë e turmës që i ndjek pas.

Ndërkohë, duke ju referuar legjendës së mësipërme nuk bëjmë gabim nëse e rreshtojmë Laokoontin si të pabindurin e parë historik ndaj pushtet-politikës, si pësimtarin e parë historik të mendim-ndryshësve, si dëshmorin dhe viktimën e parë të përplasjes së kundërshtarëve politik, të intrigave dhe pabesisë midis palëve. Sikurse ai mund të konsiderohet edhe martiri i mbrojtjes dhe i përhapjes së të vërtetës. I asaj të vërtete fshehja dhe manipulimi i të cilës solli jo vetëm shkatërrimin e shtet-kështjellës, por edhe shfarosjen e një popullsie të tërë që pas rënies së Trojës ja mbathi nga sytë këmbët.

Duke ndjekur historinë e rrjedhur pas Laokoontit, këtë mesazh e ndesh të mëshiruar edhe në ndodhi të tjera reale, po aq, më pak, apo më shumë tragjike. Me personazhe laokoontiane, që janë martirizuar nga dëshira për të thënë e mbrojtur të vërtetën, përkundruall përpjekjeve për ta manipuluar e përdorur atë në interes të individëve, grupeve, kastave e klaneve që jo pak herë janë konvertuar në regjime diktatoriale gjakatare. Lufta midis laokoontianëve dhe manipulatorëve (këta të fundit, përgjithësisht përfaqësues të pushtetshëm pushtetesh), ka për bilanc triumfin e të dytëve dhe humbjen e të parëve. Në kuptimin fizik, pasi në atë moral laokoontianët janë jo vetëm superior por gjenerator zhvillimi e ecjeje përpara. Mendimi e veprimtaria e tyre ndryshe, që reket të evidentojë të vërtetën, realen, atë që është dhe jo atë që dëshirojnë të jetë padronet e pushtetshëm, dhe përpjekja për ta bërë sa më masive këtë të vërtetë, i detyrojnë të pushtetshmit të zmbrapsen, t’i mbajnë të ndrydhura, të pazbatuara, makinacionet dhe planet e tyre, që nuk i vlejnë shumicës së qeverisur por interesave te tyre. Përkundrazi në mungesë të laokoontianëve, mendim e ide-ndryshës, shoqëria konvertohet në robotike, nga që jeta e gjithkujt është në dorën e sundimtarëve që e komandojnë nëpërmjet levave të tyre.

Me shumë se kushdo tjetër popull në botë ne shqiptarët e kuptojmë mirë kumtin që përcjell fundi tragjik i Laokoontit, nga që për më shumë se gjysmë shekulli kemi lëvizur të diktuar prej levave të partisë-shtet. Në vitet e egra të komunizmit ne frymëronim nga fryma e partisë shtet, edukoheshim me mësimet e ndritura të udhëheqësit dhe të partisë shtet etj. Por të njëjtën gjë servir edhe fashizmi, edhe nazizmi, edhe junta e çdo formacion tjetër shoqëror-politik që ka në bazë të qeverisjes unimendimin dhe univeprimin. Nëpër këto sisteme dhe formacione, idetë, mendimet dhe veprimet ndryshe vijës së përgjithshme të udhëheqësisë ndëshkohen rëndë, sikurse kanë fat të njëjtë edhe mbartësit e tyre. Për konceptin e diktatorëve asgjësimi i laokoontëve është e mbetet domosdoshmëri, që shërben për të zgjatur sundimin e tyre. Koncept ky i hedhur poshtë nga historia, ngjarjet e të cilës kanë treguar se një sistem, apo formacion politiko-shoqëror, që gjuan për të shfarosur racën njerëzore të laokoontëve, është i destinuar të rrënohet një ditë, ngjashmërisht me Trojën. Në mos nga popujt e shndërruar në dele, prej luftës brenda llojit, prej kundërshtarëve politikë, që kupën me helm e rapsodojnë duke e kthyer në gjarpër. Në këtë kuptim laokoontët duhen konceptuar edhe si individë që me iniciativën e tyre të guximshme, me mosbindjen ndaj pushtet-politikës, shmangin kaoset sociale që mund të ndodhin nga përplasjet e brendallojshme të politikanëve. Por ata janë edhe luftëtarë në paqe, nga që, mbështetur në argumente të vërteta e të pakundërshtueshme, jo vetëm mendojnë e veprojnë ndryshe, por guxojnë ti shprehin hapur bindjet. Janë me pak fjalë të dobishëm, për popujt po se po, por të tillë duhet të vlerësohen edhe nga burrat e pushtetshëm të pushtetit.

Nga që e ndjeu këtë dobi të racës së qytetarëve luftëtarë, prej shekujsh bota e zhvilluar perëndimore i ka dhënë laokoontëve status të veçantë. Për ta stimuluar të mbetet ajo që është dhe për të mos e detyruar të futet në këllëfin e shumicës servile,të paanshme, indiferente e frikacake. Në një shtet perëndimor mendim-ndryshësi ndjehet i admiruar, i përfillur, madje në qendër të vëmendjes, jo sepse është qenie e klonuar nga politikat e klaneve, grupeve, klikave, qarqeve të caktuara etj., por sepse është vetvetja me të gjitha, sepse është gjenerator që shtyn përpara mendimin rutinë. Me dinjitet e moral të pa shitur te pushteti e politika që, në vendet si i yni, ka në dorë të të bëjë të pasur, apo të të lërë të varfër, të të japin një kat të tërë pallati apo të të lërë të pastrehë etj. Përkundrazi, krejt ndryshe paraqitet fati i laokoontëve në vendet e pazhvilluara të botës së tretë, në ato shtete që drejtohen nga diktatura, e ku sistemi funksionon sipas parimit: jeta jote është në dorën e udhëheqësisë. Në këto shoqëri, ku bëjmë pjesë edhe ne, laokoontëve mendim-ndryshës vërtetë mund të mos u ofrohet gota me verë të helmuar, por përndjekja e tyre është sofistikuar. Për ta argumentuar këtë le t’i drejtohemi realitetit shqiptar ku të jesh laokoontian do të thotë të luftosh për mbijetesë financiare dhe shoqërore. Të jesh Laokoont në Shqipërinë post-diktatoriale vërtetë mund të mos përfundosh biologjikisht si Laokoonti i lashtësisë, apo ai i kohës së komunizmit, por është e sigurt se do jesh i papunë, i papërfillur, i anatemuar prej rapsodëve e artistëve të paguar nga pushteti, i përjashtuar, me pak fjalë i linçuar deri në zgrip. Për hatër të të vërtetave që thonë e mbrojnë laokoontianët shqiptarë janë të padëshiruar nga krahët e politikës. Sepse kanë fatkeqësinë e madhe që nuk dinë ti thonë “derrit dajë”, nuk dëshirojnë ta hedhin vallen sipas avazit të pushtetarëve. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që, megjithëse kanë shkuar rreth 20 vjet nga post-komunizmi në shoqërinë shqiptare gjallojnë të njëjtët personazhe politikë, të njëjtët personazh mediatik, të njëjtët biznesmenë të suksesshëm- të njëjtët të pasuksesshëm e të falimentuar, të njëjtët të pasur-super të pasur - të varfër e skajshmërisht të varfër, të njëjtët VIP-a e të njëjtët rripa, të nomeklaturuar si të tillë jo nga aftësitë individuale, por nga preferenca e politikës.

Si nën diktaturën komuniste, ashtu edhe në këtë periudhë anarkizmi politik post ’90 në shoqërinë shqiptare laokoontizmi është një barë e rendë për atë që e mbart, dhe që përpiqet ta kultivojë. Prej këtej rrjedh edhe roli i spektatorit, që luan pjesa dërmuese e popullit, i cili, i izoluar në pa prijsmërinë e tij, hesht edhe atëherë kur është e bindur se i janë shkelur hapur të drejtat e veta kushtetuese. Nga që edhe pushteti post-komunist i ka shpallur të padëshiruar laokoontët, e reket t’ua deformojë imazhin e vërtetë, nëpërmjet rapsodëve e kasnecëve të paguar prej tij, raca shqiptare e mendim-ndryshësve gjendet e strukur në ndonjë cep, diku përtej të majtës e të djathtës, duke bërë sehir se si të vdekurit flenë gjumin e përjetësisë, kurse të gjallët qëndrojnë gojëkyçur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›